Testet eksterne me gabime ekstreme

Të dashur miq, e mendova gjerë e gjatë që të deklarohem ose jo në lidhje me vlerësimet eksterne që po organizohen nëpër shkollat fillore dhe të mesme të Maqedonisë me mësim në gjuhën shqipe. Isha në mëdyshje. Dikush më tha: “…ke reaguar edhe më parë, por kot! E shikon që gjërat vetëm po përsëriten. Andaj, mos u merakos! Do të vijnë ditë më të mira…”

Duke marrë parasysh se unë jam pjesë e këtij “zhvillimi” dhe duke konsideruar që ndjeshmëria profesionale, morale e pedagogjike nuk do t’më lënë të qetë, e kam patjetër t’i shpalos lëshimet e mëdha në përpilimin dhe distribuimin e pyetjeve nga testimi ekstern.

Që nga fillimi i implementimit të këtij procesi e deri më tani janë dhënë vërejtje të shumta nga nxënës, mësimdhënës, pedagogë, gjuhëtarë, psikologë dhe analistë të ndryshëm për dështimet e njëpasnjëshme në konceptimin, hartimin dhe realizimin e vlerësimit ekstern.

Tani unë nuk dua që t’i përsëris teoritë e njohura të psikologut hungarez Çiksentmihoj mbi motivin e të mësuarit, psikiatërve amerikanë Gordon dhe Stokes për ndërlidhjen e të mësuarit me stresin; të taksonomisë së Blumit dhe Andersonit për notimin pa lot, e kështu me radhë, të cilat si duket u anashkaluan në këtë proces që rezultoi pa ndonjë debat të fuqishëm dhe të arsyeshëm publik, por dëshiroj të potencoj, për të satën herë, se vazhdimisht do të përkrah çdo nismë dhe çdo përpjekje për ngritjen e cilësisë në arsim, do të mbështes në mënyrë të paanshme çdo investim në modernizimin e arsimit, do të kontribuoj në mënyrë të palodhshme për një konkurrencë të mirëfilltë në tregun e dijes, duke u shfaqur në të njëjtën kohë, gjithmonë aty ku mungon përgjegjësia, profesionalizmi dhe drejtësia. Gjithashtu, do të përpiqem që t’i nxjerr gjithnjë në dritë gabimet dhe lëshimet e mëdha dhe të pajustifikueshme, do të përpiqem që ta nxjerr në shesh “nijetin” jo të pastër të një “zinxhiri institucional” që sjell huti jo vetëm te nxënësit, por edhe te  mësimdhënësit.

Thuaja se nuk ekziston lëndë për të cilën testet eksterne janë sajuar pa gabime e mangësi.

Këto ditë të fundit kam dëgjuar gjithçka dhe, jo rrallë “debatet shkencore e profesionale” të cilat fillonin me shumë “seriozitet”, përfundonin me ngjyrime të tepruara komike.

Për t’i dhënë kësaj “atmosfere” edhe muzikalitetin trishtues, me këtë rast do të ndalem në pyetjet e përpiluara për lëndën “Art muzikor” të shkollimit gjimnazial.

Gjatë shtjellimit të materialeve gjegjëse kam arritur në përfundimin se testi ekstern për lëndën “Art muzikor” ngërthen gabime të natyrave të ndryshme si: teknike, logjike, profesionale, gjuhësore dhe tendencioze (të qëllimshme).

 

  1. Gabimet teknike janë të shumta. Ka raste kur shenjat e pikësimit nuk janë në vendin e duhur, ose mungojnë fare. Ka raste kur dy fjalë janë bashkuar duke krijuar një fjalë të re të pakuptimtë. Të shpeshta janë fjalitë e shkruara me fonte të ndryshme. Ka raste kur shfaqen edhe pyetje në gjuhën maqedonase, si p.sh.:

  1. Gabimet logjike kanë të bëjnë me lidhjen e paarsyeshme ose të pakuptimtë të fjalëve brenda fjalisë. Pra, mungon lidhja e brendshme e idesë me ç’rast zbehet edhe fuqia e arsyetimit.  P.sh.:

 

  1. Gabimet profesionale kanë të bëjnë me qasjen joprofesionale ndaj lëndës, me përvojën e dyshimtë pedagogjike të përpiluesit të pyetjeve, me mosnjohjen ose keqkuptimin e qëllimeve konkrete të nxënësve.

Nxënësit e gjimnazit nuk e kanë të obligueshme ta dinë se çfarë dite ka lindur një kompozitor, në cilin fshat, se çfarë ka punuar gjyshi i tij, se çka ka qenë ai në horoskop, se cila ka qenë dashuria e tij e parë. Këto të dhëna do t’i shërbenin ndonjë studiuesi të muzikës, ose ndonjë biografi që do të merrej me ndonjë kompozitor konkret. Për nxënësit e gjimnazit të cilët duhet të pajisen me kulturë të përgjithshme muzikore është e nevojshme të dihen periudhat muzikore, të dallohen përfaqësuesit, të kuptohen karakteristikat e stileve muzikore,  të dallohen shkallët muzikore,  të kuptohen përmbajtjet dhe karakteret e këngëve, të zhvillohet aftësia e dëgjimit të veprave klasike, të dihet përkatësia nacionale e kompozitorit, vepra, … e assesi varri i tij. Bile mund të insistohet në përmbajtjet e epitafeve, sepse ato janë shumë domethënëse, me përmbajtje tepër filozofike, por se sa njerëz kanë marrë pjesë në varrimin e ndonjë kompozitori, pianisti apo dirigjenti, besoj se është e tepërt.

 

Mangësi profesionale konsiderohet edhe mospërfshirja e disa pyetjeve që janë mjaft të rëndësishme për kulturën e përgjithshme muzikore. P.sh. “harresa e qëllimshme” e Jan Kukuzelit – njërit nga muzikantët më të dalluar të Mesjetës, konsiderohet gabim i rëndë. Pastaj, anashkalimi i tre kokave gjeniale: Manuel de Fala-s, Eduard Grieg-ut dhe Jan Sibelius-it paraqet fyerje të rëndë për romantizmin muzikor spanjoll, norvegjez dhe finlandez. Dështim profesional është edhe mospërfillja për zonjën e Robert Shumanit, pianisten e shkëlqyer dhe artisten e palodhshme Klara Vik e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës së shekullit XIX. Gjithashtu, mospërfshirja e pyetjeve për zhanret e muzikës zbavitëse gjatë shekullit XX, konsiderohet ofendim i rëndë për miliona e miliona adhurues të rinj e të vjetër…

 

  1. Gabimet gjuhësore janë më të pranishmet në këto teste eksterne. Përkthimet profesionale duhet të bëhen nga njerëz të profesioneve konkrete. Është absurd që një “njohës” i maqedonishtes të merr guximin dhe të përkthejë në shqip materiale të fushave të ndryshme. Duhet medoemos të bëhen konsultime me njerëz të sferave konkrete sepse çdo lëmi në vete përfshin një bagazh të madh termash, fjalësh dhe nocionesh profesionale.

 

Përkthyesi, fjalën “stav” nga maqedonishtja e ka përkthyer si “qëndrim”; në fakt duhet të përkthehet si “kohë“.

 

Këtu, “njohësi i gjuhëve”, togfjalëshin “kvinten krug” e ka përkthyer si “rrota e kuantit”; ndërkaq duhet të përkthehet si “rrethi i kuintës”.

Në të gjitha rastet, fjala “sllovenski” është përkthyer si “sllovene”, kurse duhet të përkthehet si “sllave”; pra, popujt sllavë, vendet sllave, kompozitori sllav etj.

Pyetja e drejtë duhet të jetë: Cili nga këta kompozitorë ka shkruar mesha? Pra, fjala “misa” në shqip ka kuptimin “meshë”.

Në testin ekstern të “Artit muzikor” është përsëritur disa herë edhe togfjalëshi “shpërblimi romak” në vend të “çmimi i Romës”; pastaj “moll” në vend të “mol”; “tinguj korral” në vend të “zëra koralë”; “ulje” në vend të “zbritëse” etj.

Do të na duheshin edhe shumë fletë të tjera për t’i paraqitur të gjitha gabimet dhe mangësitë e këtyre testeve.

  1. Por, të mos harrojmë se, përveç gabimeve të shumta ka edhe lëshime shumë serioze, ndoshta edhe tendencioze (të qëllimshme), përmes të cilave fyhet rëndë dinjiteti kombëtar i shqiptarëve në Maqedoni. Askund nuk bëhen pyetje për vlerat shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve, askund nuk përmendet ndonjë kompozitor apo vepër shqiptare, askund nuk përmenden veglat muzikore tradicionale shqiptare, vallja kombëtare shqiptare, kënga popullore shqiptare etj.

Duke pasur parasysh të gjitha këto lëshime, gabime dhe dështime, gjithsesi se nxënësit shqiptarë nuk do të jenë në pozicion të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre maqedonas, andaj, miq të dashur, edhe rezultatet e pafavorshme të cilat do të shpallen së shpejti nuk do të jenë të rastësishme, por të habitshme gjithsesi.

Shkruan Mr. Bekim Ramadani (mësimdhënës në Gjimnazin e Tetovës)

Lajme të ngjashme

Back to top button