Biden dënoi përpjekjet e Rusisë për aneksim të territorit të Ukrainës, vendosi sanksione të reja

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dënoi sot përpjekjen e Rusisë për të aneksuar territorin e Ukrainës dhe njoftoi vendosjen e sanksioneve të reja. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Rusia po shkel ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara, shkruan Zëri i Amerikës.

Deklarata thekson se këto veprime të Rusisë nuk kanë legjitimitet dhe se Shtetet e Bashkuara do të respektojnë gjithmonë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës dhe se do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Ukrainës për të rimarrë kontrollin e territorit të saj.

Në përgjigje të pretendimeve false të Rusisë për aneksimin e territorit, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët njoftuan sot sanksione të reja ndaj individëve dhe entiteteve brenda dhe jashtë Rusisë, të cilët ofrojnë mbështetje politike apo ekonomike për përpjekjet e paligjshme për të ndryshuar statusin e territorit të Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar në listën e sanksioneve Guvernatoren e Bankës Qendrore ruse, Elvira Sakhipzadovna Nabiullina, e cila ka qenë edhe këshilltare e Presidentit rus Vladimir Putin; familjet e Kryeministrit rus Mishustin dhe Ministrit të Mbrojtjes Shoigu; 109 deputetë; Këshillin e Federatës së Asamblesë Federale të Rusisë dhe 169 anëtarë të saj.

Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione edhe ndaj 14 kompanive furnizuese, ndër to edhe dy ndërkombëtare, “për mbështetjen e zinxhirëve të furnizimit ushtarak të Rusisë”.

Ndër entitetet e sanksionuara përfshihen 57 entitete të reja në Rusi dhe Krime që Uashingtoni i akuzon se kanë ndihmuar “sulmin brutal të ushtrisë ruse ndaj Ukrainës”. Këto përfshijnë kompani që blenë ose u përpoqën të blinin sende të origjinës amerikane për ushtrinë ruse dhe ato që kërkuan teknologji kompjuterike kuantike për përpjekjet e luftës.

Shtetet e Bashkuara bënë gjithashtu një paralajmërim për vendet e tjera që mbështesin përpjekjet e Rusisë. “Kontrollet aktuale të eksporteve të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë mund të zbatohen për entitetet në vendet e treta që kërkojnë të ofrojnë mbështetje materiale për sektorët ushtarakë dhe industrialë të Rusisë dhe Bjellorusisë”, thuhet në një deklaratë të Thesarit.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu u zotuan se do të punojnë për ta bashkuar komunitetin ndërkombëtar në dënimin njëzëri të këtyre lëvizjeve të Rusisë, si dhe për ta mbajtur atë përgjegjëse për veprimet e saj.

Kutjojmë se, presidenti rus, Vlladimir Putin, sot pasdite në sallën e Shën Gjergjit në Kremlin ka mbajtur fjalim në të cilin e ka shpallur aneksimin e katër rajoneve ukrainase, Donetsk, Luhansk, Herson dhe Zaporizhija, në të cilat u mbajtën referendume, të cilat Perëndimi i quajti të manipuluara.  Duke përsëritur pretendimet se Ukraina i përket Rusisë, ai thotë se Perëndimi thjesht po kërkon mënyra për të thyer Rusinë duke mbështetur Ukrainën në luftën e saj për pavarësi.

Putin iu drejtua Ukrainës dhe Perëndimit me fjalët se qytetarët e rajonit të Donbasit do të bëhen qytetarë rusë përgjithmonë. Nëse Rusia anekson katër rajonet ukrainase, Putin mund ta paraqesë çdo përpjekje ukrainase për të rimarrë këto rajone, si sulm ndaj vetë Rusisë.

Ndryshe, Ukraina është nën agresionin rus që nga 24 shkurti i këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button