COPËZ E DHIMSHME HISTORIE

Nuk ka asnjë dyshim se shqiptarët bëjnë pjesë ndër popujt më autoktonë të siujdhesës trazavaçe ballkanike. Sipas ilirologut të shquar arbëresh Aleksandër Stipçeviqit ne mund të themi se jemi pasardhës të ilirëve, që dikur shtriheshin në territore shumë më të mëdha, që për shkaqe të njohura historike (pushtimeve të njëpasnjëshme nga perandoritë e fuqishme të kohërave të shkuara dhe luftërave mbrojtëse), erdhën duke u tkurur bashkë me numrin e njerëzve. Shkaktarët më të mëdhenj të tkurjes në fjalë janë serbët dhe grekët, që aneksuan pjesë të mëdha të trojeve tona dhe ushtruan gjenocide të papara, të paktën që nga gjysma e dytë e sh. XIX dhe gjysma e parë e sh. XX. Mjerisht, hise në tragjeditë e përjetuara ka dhe paaftësia jonë për të dalluar miqtë nga armiqtë dhe naiviteti që na shtyri shpesh t’u besojmë xhelatëve, madje të lëmë kockat për krijimin dhe forcimin e shteteve të tyre, pas të cilave përherë e kemi ngrënë preshin.

Nga të dhënat historike serbe e shqiptare, mësojmë se në gusht të vitit 1804, në krye të betejës për çlirimin e Beogradit nga osmanët, qe komandanti i çetës së epirotëve Jani Kondo (Kondo Bimbashi). Këtë betejë e ndihmuan edhe shqiptarët e Kelmendit, Grudës, Nishit, Kurshumlisë dhe Prokuples, me bindjen naive se serbët do t’i ndihmojnë më pas për fitimin e autonomisë apo formimin e shtetit të tyre. Natyrisht ky është vetëm njëri prej mashtrimeve të shqiptarëve nga serbët, të cilët më 1877 i dëbuan me gjenocid të paparë nga Sanxhaku i Nishit.

Në kurthin e premtimeve të rreme shqiptarët ranë edhe në luftën e vititi 1821 për çlirimin e Greqisë nga Perandoria Osmane. Përveç shqiptarëve të krishterë (arvanitasve), pjesë e kësaj beteje qenë dhe mbi 3500 shqiptarë të besimit musliman, Por edhe grekët u treguan të pabesë ndaj çlirimtarëve dhe në vitin 1944 vranë mijëra shqiptarë gjatë aktit gjenocidal të përzënies së tyre të përgjithmonshme nga Çamëria.

Greqia dhe Serbia edhe sot kanë pretendime territoriale ndaj trojeve tona të sakatosura si mos më keq. E para kërkon zgjerimin me dymbëdhjetë milje detë që i takon Shqipërisë, kurse e dyta, edhe pas gjenocidit akoma të freskët në kujtesën e botës, synon ripushtimin e Republikës së Kosovës me dy milion shqiptarë dhe dyqind mijë serbë. Megjithatë, ajo që është për t’u habitur nuk janë kërkesat e pandalshme të fqinjëve nëpërka për zvogëlimin e Shqiptarisë, po paaftësia jonë për t’ia përcjellur botës të vërtetën e gjenocideve të sipërpërmendura ndaj nesh. Serbia, bie fjala, ka pasur dhe personalitete, që i kanë dokumentuar më mirë se shqiptarët krimet monstruoze të bëra nga ushtritë serbe, të paktën përgjatë 150 viteve të fundit.

Njëri prej tyre është gazetari dhe publicisti Dimitrije Tucoviq, i cili, në cilësinë e dëshmitarit okular, shkroi shumë atrtikuj për krimet serbe ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike. Në veprën “Serbia dhe Shqipëria” aneksimin e Sanxhakut të Nishit (1877), Tucoviqi e quan ekspeditë pushtuese serbe, kurse hyrjet e ushtrisë serbe në trojet shqiptare gjatë viteve 1912-1916, i quan vise të reja¸duke i dalluar nga Serbia e vjetër.

Ai ka përshkruar si askush tjetër masakrat e ushtrisë serbe të Pashiqit në vendbanimet shqiptare, po në pamundësi për t’u zgjeruar më shumë për shkak të natyrës së këtij shkrimi, po shkëpusim vetëm një copëz tmerri, që do të duhej të mjaftojë për t’ua, mbyllur gojën albanofobëve të djeshëm e të sotëm serbë, në çdo takim të rëndësishëm të nivelit ndërkombëtar, ku pinjollët e garashaninëve, pashiqëve, cvijiqëve, andriqëve, rankoviqëve e millosheviqëve shiten si roje të paqes në Ballkan.

“Shqiptarët u tërhoqën me mashtrim afër zjarrit artilerik. Menjëherë pastaj, shrapnelat tanë bënë kërdinë më të tmerrshme në ta. Shqiptarët binin në grumbuj, klithmat e tërbimit dhe dhembjes gati barazoheshin me bubullimat e topave. Në ajër fluturonin duart, këmbët, kokat dhe copat e mishit të shqiptarëve . E kur zjarri artilerik u ndal, fushëbeteja ishte e mbuluar jo me kufoma, por me gjymtyrë të copëtuara, që dukeshin si ndonjë masë e ngjyer me ngjyrë të kuqe karmini”. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button