Tetovë, do të themelohet ndërmarrja publike për energji elektrike, Sedat Sulejmani do të jetë koordinator (VIDEO)

Me 16 vota pro dhe 13 kundër, këshilli i komunës së Tetovës miratoi propozim-vendimin për themelimin e ndërmarrjes publike për prodhim të energjisë elektrike, shitje të energjisë elektrike, ekonomizim, vendosje dhe mirëmbajtje të ndriçimit publik. Gjenerimi i energjisë elektrike parashihet të përmes instalimit të paneleve fotovoltaike në objekte publike me çka do të gjenerohen të ardhura, shkruan Portalb.mk.

Kjo ndërmarrje publike e cila mori dritën jeshile për procedurat e mëtejme do të quhet NP “ Elektro Tetova”-Tetovë, ndërsa personi përgjegjës i cili do ti udhëheq punët e ndërmarrjes publike deri në konstituimin e saj u emërua Sedat Sulejmani, përndryshe ish zëvendës-ministër i Kulturës.

Për themelimin dhe fillimin e punës së ndërmarrjes publike, Komuna e Tetovës investon mjete financiare në shumë prej 500 mijë denarësh.

Mjetet nga kryerja e veprimtarisë, ndërmarrja publike parashihet t’i sigurojë nëpërmjet: të hyrave nga veprimtaritë vetanake, nga buxheti i Komunës dhe nga burime tjera në pajtim me ligjin.

Aktualisht, zyrat e ndërmarrjes do të jenë në Komunë.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Udhëheqësi i Sektorit për veprimtari komunale në Komunën e Tetovës, Memet Jonuzi gjatë debatit për këtë pikë në këshillin komunal tha se ndërmarrja themelohet për të pasur ndriçim cilësor publik.

“Kemi pasur disa probleme me menaxhimin e ndriçimit puiblik. Ndërmarrja themelohet me qëllim që në mënyrë të vazhdueshme të organizuar dhe vendosje cilësore të ndriçimit publik. Me çka nënkuptohet prodhimi, shitja dhe furnizimi me energji elektrike. E gjithë kjo ka të bëjë me një organizim të ri të ndërmarrjes dhe mendojmë që cilësia dhe puna do të jetë më efikase nga se ka qenë deri më tani”, tha Jonuzi.

Këshilltarët akuzojnë se do të punësohen aktivistë partiak

Këshilltari komunal Emin Velij nga BDI, theksoi se themelimi dhe mirëmbajtja e ndërmarrjeve publike është sfidë e rëndë për Komunën e Tetovës dhe se nuk duhet themeluar.

“Nuk është koha e mirë për themelim të kësi lloj ndërmarrjeje që do të bëhet barrë shtesë për buxhetin e komunës së Tetovës”, tha Veliji, duke shtuar se drejtori duhet të zgjidhet nga këshilli komunal e jo nga kryetari i komunës.

Liridon Disha, këshilltar po nga BDI kritkoi themelimin e të njëjtës duke thënë se bëhet “për të krijuar vende pune për aktivistët politik”, ndërsa kërkoi analizë më të detajuar dhe studim fizibiliteti.

Këshilltari komunal nga Alternativa, Faton Selami theksoi se themelimi i të njëjtës duhet të shqyrtohet më seriozisht në baza ligjore.

Ndërsa nga PDSH, këshilltari Visar Palloshi pyeti se prej ku do të prodhohet energjia elektrike.

Kryetari i Komunës, Bilall Kasami duke iu referuar çështjeve të lartpërmendura tha se kanë gjetur mundësi ligjore që të themelohet ndërmarrje e veçantë përmes së cilës do të ketë çmim të garantuar të furnizimit me energji elektrike.

“Nuk do të jemi në tregun e lirë ku tani më çmimet janë dhjetëfishuar me furnizim zë energjisë, që të kemi një furnizim stabil të kësaj ndërmarrjeje dhe ndriçimit publik në Tetovë”, tha Kasami.

Sa i përket gjenerimit dhe prodhimit, ai deklaroi se kjo është në funksion të efikasitetit energjetik, ku bëhet fjalë për burime të rinovueshme të energjisë elektrike, më konkretisht mundësi që kjo ndërmarrje duke siguruar mjete vetanake apo edhe me investitorë privat në formën e partneritetit publiko-privat të instalojë panele fotovoltaike në objekte publike, shkolla, salla sporti dhe objekte tjera publike. Me çka do të gjenerojë të ardhura për mirëmbajtjen e ndriçimit publik dhe investime të reja në zgjerimin e të njëjtit.

Ndërkaq sa i përket personit të autorizuar, Sedat Sulejmani, kryetari i Komunës deklaroi se ai nuk do të jetë drejtor, ai do të jetë që do të përgatis dokumentet e nevojshme për regjistrimin e ndërmarrjes, statutin dhe programin që në vijim do prezantohen para këshillit dhe që do duhet të miratohen.

Nismë të tillë ka edhe në Komunën Qendërnë seancën e fundit të Këshillit të Komunës Qendër u propozua pika për themelimin e ndërmarrjeve publike për prodhimin e energjisë elektrike me fotovoltaikë. Sipas Komunës Qendër, arsyeja është kriza energjetike, çmimi i lartë i energjisë elektrike dhe shmangia e kolapsit financiar në komunë. Kjo parashihet të zhvillohet në dy faza.

Ndryshe,dje kryeministri sqaroi që do të subvencionohet për 80 % energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, duke mbështetur financiarisht faturat e rrymës.

Kompanitë nuk do të anashkalohen nga subvencionimi, pasi kryeministri premtoi që rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Propozim – vendimi për vazhdimin e gjendjes së krizës në energjetikë, pasdite e kaloi filtrin në Komisioni kuvendor ligjvënës-juridik. Pritet që deputetët në seancën plenare të votojnë për vazhdimin e gjendjes së krizës në energjetikë nga 1 tetori deri më 30 prill të vitit 2023. Në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button