Fatura më të lira, Qeveria e RMV-së siguroi kushte që shkollat të mos mbajnë mësim online

Shkollat fillore dhe të mesme në territorin e tërë shtetit do të transferohen në tregun e rregulluar, me çka do të paguajnë fatura më të lira për rrymë. Këtë e kumtoi mbrëmë kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp në të cilën tregoi vendimet e Qeverisë për përballjen me krizën energjetike në prag të sezonit dimëror, njofton Portalb.mk.

“Miratuam vendim, që në tregun e rregulluar të jenë edhe shkollat fillore dhe të mesme në territorin e tërë shtetit pa dallim që obligimi i sigurimit të procesit arsimor është i komunave”, tha Kovaçevski.

Vendimi i këtillë i Qeverisë vjen pasi kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut, për shkak të krizës energjetike kërkuan që pushimi dimëror të zgjatet dhe mësimi të zhvillohet online që të mos ketë harxhime të larta për ngrohjen e klasave dhe hapësirave shkollore.

Ndaj kësaj kërkese, Qeveria u përgjigj se mësimi duhet të vazhdojë me prani fizike pasi që është në interes të nxënësve.

Me vendimin e sotëm, Qeveria ua zvogëlon faturat komunave dhe rrjedhimisht me këtë u krijon kushte për të mos kërkuar që mësimi të mbahet online.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Propozim – vendimi për vazhdimin e gjendjes së krizës në energjetikë, pasdite e kaloi filtrin në Komisioni kuvendor ligjvënës-juridik. Pritet që deputetët në seancën plenare të votojnë për vazhdimin e gjendjes së krizës në energjetikë nga 1 tetori deri më 30 prill të vitit 2023. Në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button