Komuna e Strugës: Mjaft vjedhjes nga Buxheti i struganëve

Komuna e Strugës reagon ashpër ndaj siç thotë diskriminimit që bën Qeveria e Republikës së Maqedonisë, gjegjësisht Ministria e Financave ndaj komunës së Strugës. Sipas tyre bëhet fjalë për paratë e qytetarëve struganë, të cilat kjo ministri kohë pas kohe ua merr nga Buxheti i komunës së Strugës, në emër të borxhit të NPK ” Proaqua”.

“Javën që lamë pas nga Buxheti i qytetarëve të Strugës u morën edhe 4 milionë e 700 mijë denarë tē tjera, para të destinuara për projekte në të mirë të qytetarëve struganë, si asfaltim rrugësh, rrjet kanalizimesh apo ujësjellës. I rikujtojmë opinionit të gjerë se ky borxh, për të cilin për të disatën herë dënohen qytetarët e Strugës, është borxh i përbashkët me komunën e Ohrit, por çuditërisht procedura e përmbarimit për këtë komunë nuk zhvillohet, madje as nuk ka filluar. Pra për borxhin e njëjtë nga komuna e Ohrit nuk është marrë as edhe një denar”, thonë nga komuna e Strugës.

Sipas tyre absurdi më i madh është se nga kredia e marrë nga NPK “Proaqua”, që kapte shumën prej 233 milionë denarëve, gati i gjithë investimi është bërë për komunën e Ohrit, ndërsa borxhin e paguan komuna e Strugës dhe qytetarët e saj.

“Deri tani për këtë borxh nga Buxheti i komunës së Strugës, janë marrë mbi 67 milionë denarë, të gjitha para të taksapaguesëve struganë. Ne si komunë, dënojmë ashpër këtë sjellje të pushtetit qendror ndaj komunës së Strugës dhe qytetarëve të saj, pasi sjellja e tillë na shtyn të besojmë se veprimet e tilla të Qeverisë janë të qëllimshme dhe paraqesin diskriminim me përmasa raciste, pasi Struga është komunë me shumicë të popullsisë shqiptare”, thonë nga Komuna.

Ata i bëjmë thirrje qytetarëve të komunës së Strugës, që të kenë mirëkuptim ndaj komunës së Strugës, pasi të gjitha projektet dhe planet për investime në të mirë të tyre, nuk gjejnë mirëkuptim nga pushteti qendror dhe të njejtat bllokohen pa filluar.

Lajme të ngjashme

Back to top button