Putin shpalli aneksimin e katër rajoneve ukrainase: Do të bëhen qytetarë rusë përgjithmonë

Presidenti rus, Vlladimir Putin, sot pasdite në sallën e Shën Gjergjit në Kremlin ka mbajtur fjalim në të cilin e ka shpallur aneksimin e katër rajoneve ukrainase, Donetsk, Luhansk, Herson dhe Zaporizhija, në të cilat u mbajtën referendume, të cilat Perëndimi i quajti të manipuluara, njofton Portalb.mk.

“Rezultatet dihen, dihen mirë. Jam i sigurt që Asambleja Federale do të mbështesë katër subjektet e reja të Federatës Ruse, sepse ky është vullnet i miliona njerëzve”, tha Putin, duke shtuar se rezultatet e referendumit janë “e drejtë natyrale e atyre që kanë votuar”.

Në fjalimin e tij ai u ka bërë thirrje familjarëve të ushtarëve që të marrin pjesë në luftë, apo siç tha ai në “operacionin special ushtarak”.

“Të dashur miq, kolegë, sot dua t’u bëj thirrje ushtarëve që marrin pjesë në operacionin special ushtarak. Dëshiroj t’u bëjë thirrje edhe grave dhe fëmijëve të tyre që ata të kuptojnë se për çfarë po luftojmë”, tha Putin.

Duke përsëritur pretendimet se Ukraina i përket Rusisë, ai thotë se Perëndimi thjesht po kërkon mënyra për të thyer Rusinë duke mbështetur Ukrainën në luftën e saj për pavarësi.

Putin iu drejtua Ukrainës dhe Perëndimit me fjalët se qytetarët e rajonit të Donbasit do të bëhen qytetarë rusë përgjithmonë.

“Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe Rusia do të mbrojë tokën e saj me të gjitha mjetet që Rusia ka për të siguruar jetesë të sigurt për popullin tonë. Rusia do të rindërtojë rrënojat në qytete dhe fshatra dhe do të zhvillojë infrastrukturën, kujdesin shëndetësor dhe arsimin”, tha Putin.

Putin e përshkruan Perëndimin si “lakmitar”, duke thënë se dëshiron që Rusia të jetë “kolonia” e tij. Ata nuk duan të na shohin një shoqëri të lirë. Ata duan të na shohin si një turmë skllevërsh,” pohoi Putin.

Fjalimi i Putinit

Sot në “Sheshin e Kuq” gjithashtu është paralajmëruar një koncert për të festuar bashkimin e këtyre katër rajoneve. Zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov, nuk tha nëse edhe Putin do të merrte pjesë në koncert. Një skenë me ekrane të mëdha video dhe tabela është ngritur tashmë atje, e ngjashme me atë që u bë gjatë aneksimit të Krimesë në 2014.

Derisa Moska është në festë, 23 civilë ukrainas humbën jetën dhe 28 të tjerë u lënduan gjatë ditës së sotme nga raketat ruse në Zaporizhja. Viktimat kanë qenë duke lëvizur në kolonë të cilët kanë shkuar t’i mbledhin nga pikat kufitare familjarët e tyre të cilët kanë dëshiruar të ikin nga rajoni ukrainas i okupuar nga Rusia.

Rusia ka përforcuar sulmet e saja raketore derisa, Putin paralajmëroi se do t’i aneksojë 4 rajonet ukrainase.

Referendumet e rreme

Zyrtarët e instaluar nga Moska në rajonet pjesërisht të pushtuara të Ukrainës, më 28 shtator pretenduan se shumica e votuesve në referendumet e rreme kanë votuar për bashkimin me Rusinë.

Shtetet e Bashkuara njoftuan se po planifikojnë të paraqesin një rezolutë në Kombet e Bashkuara për të dënuar të ashtuquajturat referendume.

SHBA-ja po ashtu po përgatit një rund të ri të sanksioneve kundër Rusisë nëse ajo anekson territorin ukrainas, por edhe një pako të re të armëve për Ukrainën në vlerë prej 1.1 miliard dollarësh do të shpaloset së shpejti, thanë zyrtarët amerikanë.

Votimet e organizuara me nxitim u mbajtën për pesë ditë në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut dhe në Zaporizhja e Herson në jug. Katër territoret kanë një sipërfaqe prej 90,000 kilometrash katrorë, që është rreth 15 për qind e sipërfaqes totale të Ukrainës, e cila është e barabartë me madhësinë e Hungarisë apo Portugalisë.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia pretenduan se rezultatet varijonin nga 87 për qind deri në 99.2 për qind në favor të bashkimit me Rusinë. Kreu i Dhomës së Lartë të Parlamentit rus tha se kjo dhomë mund ta shqyrtojë aneksimin më 4 tetor.

Në territoret e pushtuara, zyrtarët e instaluar rusë mblodhën votat shtëpi më shtëpi. Kievi dhe Perëndimi thanë se kjo ishte e paligjshme dhe ishte një metodë e frikësimit të votuesve me qëllim që të krijohet pretekst ligjor për Rusinë që të aneksojë katër rajonet ukrainase.

“Kjo farsë në territoret e pushtuara nuk mund të quhet as imitim i një referendumi”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një video-adresimi në orët e vona të së martës.

Nëse Rusia anekson katër rajonet ukrainase, Putin mund ta paraqesë çdo përpjekje ukrainase për të rimarrë këto rajone, si sulm ndaj vetë Rusisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button