Zgjedhjet përfunduan, reklamat zgjedhore mbetën

Krahas asaj se zgjedhjet kaluan para më shumë se 35 ditë, Shkupi vazhdon të jetë i vërshuar me reklama dhe bilborde të kandidatëve presidencialë dhe bartësve të listave.

Bilborde me kryeministrin Nikolla Gruevski mund të shihen në qendrën e Shkupit, e nuk mungojnë as bilbordet të cilët u vendosën gjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet presidenciale të kandidatit dhe presidentit aktual Gjorge Ivanov. Edhe pse më pak, bilborde anembanë qytetit mund të shihen edhe të partive të tjera politike.

Bilborde reklamues të Nikolla Gruevskit
Bilborde reklamues të Nikolla Gruevskit

Ligji Zgjedhor parasheh se organizatori i fushatës zgjedhore është i obliguar në afat prej 30 ditë t’i largojë pllakatet. Në të kundërtën, parashihet dënimi ndaj organizatorit të fushatës, në lartësi prej 500 deri në 2.000 euro. Ilija Dimovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE nuk përgjigjej në thirrjet tona, të shpjegojë për çfarë arsye ende nuk janë larguar bilbordet.

Njohësit të cilët i konsultuam thonë se Ligji Zgjedhor është i paqartë sa i përket largimit të bilbordeve.

“Ligji është rregulluar shumë keq. Nuk është e qartë se a përfshihen edhe bilbordet kur thuhet pllakate dhe mbetje. Nuk është e qartë edhe se kush është kompetent për ta dhënë dënimin. Ajo që është e qartë është vetëm se organizatori i fushatës është i obliguar t’i largojë mbetjet, ndërsa agjencitë e reklamave t’i largojnë bilbordet. Kjo me siguri nuk është bërë me bilbordet te të cilët nuk ka zëvendësim, kështu që bilbordi do të qëndrojë deri sa ta marrë me qira dikush tjetër”, shpjegon një anëtar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Xhabir Deralla, kryetar i Civilit, u bën thirrje institucioneve përgjegjëse t’i sqarojnë këto dilema dhe të veprojnë ashtu siç parasheh ligji.

“Ua kujtojmë organizatorëve të fushatave zgjedhore se në pajtim me nenin 79 alineja 2 të Ligjit Zgjedhor (LZ), janë të obliguar që në afat prej 30 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve t’i largojnë mbetjet e pllakateve. Në të kundërtën, në pajtim me nenin 185 të LZ parashihet dënimi për kundërvajtje të organizatorit të fushatës zgjedhore në lartësi prej 500 deri në 2.000 euro në kundërvlerë në denarë, në rast se në afatin e përcaktuar në nenin 79 alineja 2 të këtij ligji, nuk i largon mbetjet nga pllakatet. U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të sistemit të veprojnë sipas dispozitave të Ligjit Zgjedhor dhe atyre të cilët do të konstatohet se i kanë shkelë, t’u përcaktohen masa përkatëse”, apelon Deralla.

Kjo është hera e parë që qytetarët të jenë të rrethuar me bilborde të partive politike një kohë të gjatë pas përfundimit të zgjedhjeve. Në zgjedhjet presidenciale të kaluara, fotografia e Ivanovit qëndronte mbi një ndërtesë në qendër të Shkupit plot 10 muaj pas përfundimit të zgjedhjeve. Edhe atëherë mediet e parashtronin pyetjen se kush është kompetent për ta larguar fotografinë e madhe, cila shtrihej në katër kate të ndërtesës. VMRO-DPMNE nuk u dënua në këtë rast për shkak të paqartësive të Ligjit Zgjedhor – a duhet të largohet reklama nga ana e organizatorit të fushatës apo nga ndonjë agjenci të reklamimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button