Kryeministri Kovaçevski mbajti konferencë të jashtëzakonshme në lidhje me krizën energjetike, premtoi subvencione

Në orët e pasdites Qeveria e Maqedonisë së Veriut paralajmëroi që kryeministri Dimitar Kovaçevski do të jetë në konferencë të jashtëzakonshme për media në ora 21:15, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri sqaroi që do të subvencionohet për 80 % energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, duke mbështetur financiarisht faturat e rrymës.

Kompanitë nuk do të anashkalohen nga subvencionimi, pasi kryeministri premtoi që rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Qytetarët e Shkupit do të kenë ngrohje qendrore prej 15 tetorit, premtoi kryeministri ndër të tjera, përmes licencimit të EMV-së për prodhimin e energjisë termike. Ai premtoi që të gjithë institucionet e arsimit parauniversitar dhe ato shëndetësore do të kenë energji elektrike pa ndërprerë.

Ai kërkoi nga qytetarët që të kursejnë energji elektrike, ndërsa nga të gjithë deputetët kërkoi që nesër në Kuvend të votojnë të gjitha propozim-ligjet në lidhje me energjetikën.

Këshilli ekonomik për energjetike në kuadër të Qeverisë sot mbajti mbledhje në lidhje me krizën energjetike në vend, ku u miratuan këto propozime.

Propozim – vendimi për vazhdimin e gjendjes së krizës në energjetikë, pasdite e kaloi filtrin në Komisioni kuvendor ligjvënës-juridik. Pritet që deputetët në seancën plenare të votojnë për vazhdimin e gjendjes së krizës në energjetikë nga 1 tetori deri më 30 prill të vitit 2023. Në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button