Durmishi: NP “Parkingu i Qytetit” në Tetovë pas shumë kohësh ka funksionuar në fitim, NPK “Tetova” ende në humbje por më të vogël (Video)

Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” në Tetovë për dallim prej viteve paraprake ka dalë në fitim dhe jo në humbje. NPK “Tetova”ende vepron me humbje por më të ulëta se vitet e kaluara. Kështu deklaroi kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi i pyetur nga Portalb.mk për gjendjen financiare të ndërmarrjeve.

Durmishi deklaroi se NP ”Parkingu i Qytetit” për herë të parë, edhe vitin paraprak muajt e fundit ku ata e kanë marrë në udhëheqje ka zvogëluar dukshëm humbjet për dallim nga vitet tjera.

“Nga fillimi i vitit 2022 në të dy kuartalet, ka dalë me saldo pozitive, 5 milionë denarë në tremujorin e parë, ndërsa në tremujorin e dytë nuk e di saktë shifrën, por është me saldo pozitive. Ka arritur që xhirollogarinë që e ka pasur të bllokuar nga DAP-i ta zhbllokojë, punëtorët kanë qenë 3-4 muaj mungesë të rrogave, ka arritur ti shlyejë edhe ato”, deklaroi Durmishi.

Ndërsa vitin 2021 ndërmarrja e parkingjeve e ka mbyllur me 6 milion denarë humbje.

Sa i përket NPK “Tetova” Tetovë, ai tha se kjo ndërmarrje ka arritur të hyrat ti zmadhojë ndërsa ka zvogëlim të shpenzimeve.

“Por përsëri vepron me humbje, por me shifër tepër më të vogël në krahasim me vitet paraprake”, tha Durmishi.

Ndërkaq për sa i përket gjendjes financiare të ndërmarrjes së transportit publik “Tetova Transport” tha se e njëjta do të sillet në periudhën në vijim.

Ndërkaq, sipas asaj që deklaroi Durmishi, gjendja financiare e kësaj ndërmarrjeje nuk është e lakmueshme, pasi komuna do e subvencionojë financiarisht të njëjtën për funksionimin dhe mbarëvajtjen e procesit të punës.

“Mjete financiare do të jenë për arsye se ka probleme, shkaku i faktorëve të cilëve do të jeni të njoftuar nga udhëheqësit e ndërmarrjes si rezultat i çmimit të ulët, pasi më shumë është shërbim publik se sa drejtori fitimprurëse”, deklaroi Durmishi.

Kujtojmë që në të kaluarën, ndërmarrja e parkingjeve vazhdimisht ka punuar në humbje.

Ndryshe, borxhi oficial i Komunës së Tetovës së bashku me shkollat dhe ndërmarrjet komunale, i publikuar vitin e kaluar ishte mbi 24 milion euro, ndërsa së fundmi kreu i Komunës së Tetovës deklaroi se borxhi është ulur për 4 milion euro, që i bie të jetë rreth 20 milion euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button