Qeveria e RMV-së ndau 1.1 miliardë denarë për furnizim me energji termike

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike, transmeton Portalb.mk

Në konferencën për shtyp të realizuar sot nga këshilltari i kryeministrit për energjetikë, Viktor Andov, ai tha se qeveria ndau 1.1 miliardë denarë SHA ESM-së për furnizim me ngrohje para fillimit të sezonës së ngrohjes, në kuadër të vendimit për menaxhim me gjendjen e krizës për ngrohje me energji termike në vend. Sipas tij, me këtë vendim, qytetarëve iu sigurohet furnizim i pandaluar i ngrohjes me energji termike gjatë sezonit të ngrohjes.

Andov tha gjithashtu se institucionet janë në komunikim të vazhdueshëm, që të sigurohen resurset e nevojshme për prodhimin e energjisë termike me kushte më të volitshme, me qëllim që amvisëritë të kenë shpenzime më të ulëta.

Nga ana tjetër zëdhënësi i qeverisë, Dushko Arsovski, tha se kryeministri, zëvendëskryemnistri, si dhe ministri i Ekonomisë kanë paraqitur planin për menaxhimin e kësaj krize tek presidenti Pendarovski dhe se të gjitha aktivitetet paraprake, duke përfshirë bisedimet në Ballkanin e Hapur dhe vizita në Greqi janë në funksion të realizimit të energjisë për sigurimin e energjisë me çmime të pranueshme.

Ai tha se plani nuk është rishqyrtuar akoma në qeveri, por se mirëpret edhe propozimet dhe sugjerimet e opozitës.

Arsovski gjithashtu tha se është duke u biseduar edhe për blerjen e gazit natyror nga Serbia me çmim të volitshëm, megjithëse çmimi akoma nuk është i definuar. Sipas tij, ideja është që të bëhet këmbimi i gazit me energji elektrike, ku Serbia do të paguante për energji dhe RMV do të paguante për gazin.

Arsovski përmendi edhe idetë për furnizimin me mazut nga Greqia dhe energji elektrike nga Turqia , si dhe bisedimet me Bullgarinë për çmim më të ulët të energjisë elektrike, vende me të cilat RMV ka negociuar në lidhje me çështjen në fjalë, por se akoma nuk ka asnjë marrëveshje të nënshkruar.

Sipas tij, deri në javën e ardhshme do të bëhet e ditur se për cilën marrëveshje do të merret vendim nga qeveria.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%, por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button