Dhjetëra të vdekur dhe qindra protestues të arrestuar nga protestat në Iran

Të paktën 76 protestues janë vrarë nga forcat iraniane të sigurisë gjatë 11 ditëve të trazirave të shkaktuara, si pasojë e vrasjes së një gruaje në paraburgim, thonë aktivistët, raporton BBC, transmeton Portalb.mk

Organizata për të Drejtat e Njeriut në Iran (IHR), me bazë në Norvegji, akuzoi autoritetet për përdorimin e forcës joproporcionale dhe municionit, për t’i shuar protestat.

Mediat shtetërore kanë deklaruar se numri i të vdekurve ka shkuar në 41, duke përfshirë edhe të vdekurit nga forcat e sigurisë, për të cilat fajësoi “rebelët që po protestojnë”.

Ndërkohë, qindra njerëz janë arrestuar, në mesin e të cilëve edhe 20 gazetarë.

Drejtori i IHR, Mahmood Amiry-Moghaddam, tha se rreziku i torturës dhe keqtrajtimit të protestuesve është serioz dhe përdorimi i municioneve të drejtpërdrejta kundër protestuesve është një krim ndërkombëtar.

“Bota duhet të mbrojë kërkesat e popullit iranian për të drejtat e tyre themelore.”, shtoi ai.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha gjithashtu se është shumë e shqetësuar nga reagimi i dhunshëm i autoriteteve iraniane kundrejt protestuesve dhe u kërkoi atyre që të respektonin të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.

Protestat antiqeveritare janë përhapur në më shumë se 80 qytete dhe qyteza në të gjithë Iranin, që nga varrimi i Mahsa Amini, më 17 shtator.

Gruaja kurde 22-vjeçare nga qyteti veriperëndimor Saqez kishte qenë për vizitë në kryeqytetin, Teheran, më 13 shtator kur edhe u arrestua nga oficerët e policisë morale për dyshimin se kishte shkelur ligjin e rreptë që u kërkon grave të mbulojnë flokët me hixhab, ose shami.

Ajo kishte rënë pa ndjenja, pasi u dërgua në një qendër paraburgimi për t’u “edukuar” dhe vdiq në spital pas tre ditësh në koma.

Policia tha se zonja Amini vdiq pasi pësoi ndërprerje të papritur të punës së zemrës, por familja e saj e hodhi poshtë këtë dhe pretendoi se ajo ishte rrahur nga oficerët.

Protestat kundër policisë morale dhe ligjit të hixhabit të shkaktuara nga vdekja e saj u shndërruan shpejt në problemin më serioz, me të cilën është përballur struktura klerikale myslimane shiite e Iranit ndër vite.

Nga videot e postuara në mediat sociale janë parë gra duke djegur shamitë e tyre në zjarre dhe duke prerë flokët në publik me brohoritje dhe thirrje: “Gratë, jetë, liri” dhe “Vdekje diktatorit”, duke iu refereruar me këtë Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Të hënën, pas vdekjes së Mahsa Amini, u raportua për protesta në Teheran dhe në një sër qytetesh të tjera, duke përfshirë Yazd, në qendër të vendit, Tabriz dhe Sanandaj, në veri-perëndim. Studentët dhe mësuesit në më shumë se 20 universitete gjithashtu organizuan një grevë dhe u larguan nga klasat e tyre.

IHR tha se kishte regjistruar vdekjen e 76 protestuesve në 14 provinca që nga e hëna, duke përfshirë gjashtë gra dhe katër fëmijë, megjithëse paralajmëroi se kufizimet në internet po shkaktonin vonesa në raportim.

Tridhjetë e pesë nga numri i përgjithshëm i vdekjeve, u raportuan në provincat Mazandaran dhe Gilan, në veri të Teheranit dhe 24 në provincat veri-perëndimore të populluara nga kurdët, në Azerbajxhanin Perëndimor, Kermanshah, Kurdistan dhe Ilam, thanë nga IHR.

IHR tha se videot dhe certifikatat e vdekjes që kishte marrë konfirmuan forcat e sigurisë po gjuanin drejtpërdrejt me municione ndaj protestuesve , gjë të cilën autoritetet iraniane e kanë mohuar.

Zyrtarët iranianë kanë njoftuar gjithashtu arrestimin e më shumë se 1200 personave.

Mediat shtetërore njoftuan se të martën është arrestuar nga Faezeh Hashemi, vajza e ish-presidentit të Iranit Akbar Hashemi Rafsanjani, nga agjetët e sigurisë iraniane.

Fazeh Hashemi njihet si një kritike e hapur e udhëheqësisë iraniane.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në SHBA kërkoi lirimin e të paktën 20 reporterëve dhe blogerëve që ishin arrestuar, si dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, avokatë dhe aktivistë të shoqërisë civile.

“Forcat iraniane të sigurisë duhet të heqin masat e tyre represive kundër gazetarëve që tregojnë këtë histori kritike dhe të rivendosin aksesin në internet që është jetik për të mbajtur publikun të informuar.”, tha CPJ.

Kasra Naji e BBC-së thotë se ka raportime se trazirat kanë bërë që forcat e sigurisë të shtrihen deri në kufi, me kreun e gjyqësorit që shihet në një video duke thënë se policia e trazirave është e pozicionuar aty “24 orë në ditë” dhe se “ata nuk bënë gjumë natën e kaluar, e as netët e mëparshme.”

Komandanti i policisë së trazirave në kryeqytet u filmua duke u thënë njerëzve të tij që të mos hezitonin dhe të luftonin kundër protestuesve, ashtu si iranianët luftuan forcat pushtuese irakiane në vitet 1980.

Presidenti Ebrahim Raisi ka folur ndërkohë për nevojën e “ndërmarrjes së veprimeve vendimtare kundër kundërshtarëve të sigurisë dhe paqes së vendit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button