Për snobin dhe popullin

Snobi vetëprojektohet si qenie superiore. Shfaqet si pjesëtar i klasës së lartë shoqërore. Synon të duket si patric kundrejt plebeut; si pasardhës i ndonjë familje dinjitare; si metropolitan edhe pse është rritur në provincë.  Madje, i vetëpërjashton edhe të afërmit kur “ia cenojnë imazhin”.

Snobi, që vetëparaqitet si më “i ngrituri”, “më i kulturuari”, “më i arsimuari”, nuk i pëlqen librat e autorëve shqiptarë. Pasi vuan nga inferioriteti, i mbiçmon librat e autorëve të huaj (edhe kur s’kanë vlerë). Gjuha amtare s’i duket e zonja “për t’i shprehur mendimet e thella”. Shërbehet me “neologjizma” për ta dëshmuar “mbinivelin” intelektual.

Snobi ankohet se populli s’ia kupton idetë, por snobi nuk ka ide. Ai vetëm riformulon ide të gatshme. Nuk ka as personalitet. Ai jeton sipas modës kalimtare. Beson se duket ndryshe nga çfarë e shohin ata që s’janë “në rangun e tij”. Vetëdiferencohet me dukjen e jashtme, por sqima dhe vlerat njerëzore e intelektuale nuk i përputhen – atë që nuk e ka në mendje e kompenson me dukje.

Tentimi për t’u dukur i veçantë me çdo kusht është sikur të shkosh për ngushëllime dhe t’i urosh familjarët për vdekjen e një të afërmi ose të shkosh në dasmë dhe t’i shprehësh ngushëllime çiftit të ri dhe dasmorëve.

Pasi beson se është më i mençuri në “botën injorante”, snobi për gjithçka e fajëson popullin. “Populli i ka fajet”, “populli nuk di”, “populli s’e kupton”. Ai kërkon një popull gjenial, i cili nuk gjendet mbi faqe të dheut.

Populli i ngratë i ndoqi “njerëzit me shkollë”, të cilët pranojnë vetëm merita, por jo edhe faje.

“Të diturit” kërkuan nga populli që të protestonte dhe populli i ngratë doli nëpër protesta. Aty e rrahën dhe e sakatuan, por populli s’u ankua, sepse besonte se duhej ta bënte sakrificën që ia kërkonin “njerëzit me shkollë”.

Popullit i kërkuan para për “kauzën kombëtare” dhe populli i ngratë, kudo ku jetonte, në Europë, në Amerikë dhe në Australi, mblodhi para vetëm që “njerëzit me shkollë” ta “çonin kauzën përpara”.

Popullit i kërkuan “të luftonte për popullin” dhe populli i ngratë iu përgjigj “kushtrimit për liri”. Bijë e bija të popullit u vranë, u plagosën, u burgosën, u traumatizuan.

Më vonë i kërkuan vota dhe populli i ngratë erdhi nga të katër anët e botës që t’i votonte “bijtë e shkolluar të popullit”.

Por, “njerëzit me shkollë” më nuk e pyetën popullin e ngratë. Për çdo dështim fajet ia lanë popullit.

Kësi populli të mirë, punëtor, të guximshëm, solidar nuk ka askund.

Populli do të ishte shumë më i mirë nëse do të kishte “njerëz me shkollë” më të mirë. Populli e bëri atë që ia kërkuan “njerëzit me shkollë”, të cilët nuk e bënë atë që ia premtuan popullit. Janë “njerëzit me shkollë” që një popull e çojnë drejt mbrothësisë ose drejt greminës.

Mithat Frashëri tha se njeriu i ditur duhet të kujdeset për të paditurin, i shëndoshi për të sëmurin, i pasuri për të varfrin. Por, Mithat Frashëri ishte njëri nga bijtë më të mirë dhe më të ditur të kombit.

Shumë shekuj para tij, mjeshtër Konfuçi mendonte se njeriu i thjeshtë duhej të udhëhiqej nga njeriu i përsosur dhe i virtytshëm. Njeriu i virtytshëm duhej të kujdesej për njeriun e thjeshtë si prindi për fëmijën.

“Njerëzit me shkollë” deshën ta gëzojnë respektin e popullit (dhe populli nuk ua kurseu); deshën adhurim (populli i adhuroi); deshën kohë të lirë dhe komoditet (populli edhe këtë ua mundësoi), sepse populli besoi se ata “punonin për popullin”. Nuk e dinte populli i ngratë se “njerëzit me shkollë” kishin hequr dorë prej tij.

Kur populli e pa se ishte harruar, se ishte çatdhesuar, atëherë iku i zhgënjyer nga “njerëzit me shkollë”, të cilët vazhdojnë të thirren në popullin të cilin e kanë harruar dhe e përçmojmë për shkakun e dështimeve të tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button