RMV, natyra pëson edhe në parqet kombëtare, ndërsa jashtë tyre pothuajse nuk ka fare mbrojtje

Natyra pëson shkak i ndryshimeve klimatike, por shumë më tepër shkaku i aktiviteteve të njerëzve. Urbanizimi, fragmentimi i habitateve natyrore, uzurpimi, rrezikimi i specieve të egra dhe shumë aktivitete të tjera janë kërcënim i vazhdueshëm për biodiversitetin dhe natyrën. Aktivitetet për mbrojtje shumë herë deri tani janë treguar të pamjaftueshme, ndërsa autoritetet dhe institucionet janë treguar se nuk kanë personel dhe përgatitje të mjaftueshme, shkruan Meta.mk.

Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor ka vetëm një inspektor të natyrës për të gjithë vendin, kurse këtë vit është në proces punësimi edhe i një tjetri. Komunat në territoret e të cilave ndodhen rajonet e mbrojtura nuk kanë as njësi për natyrën dhe parqet kombëtare. Megjithëse vetëfinancohen, duhet të kërkojnë miratim nga shteti për punësim, prandaj për shkak të procedurave të shumta administrative, nuk kanë as biologë, as gjeologë, as staf tjetër profesional.

Përmirësimi i mbrojtjes së pasurive natyrore në vend kërkon ndryshim në mënyrën e veprimit në shumë fusha, por më së shumti në zbatimin e ligjeve dhe sigurimin e burimeve të vazhdueshme të financimit. Krijimi i Agjencisë apo Institutit për mbrojtjen e natyrës, si dhe i Fondit për Mjedisin Jetësor, i cili do të siguronte financim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të të gjitha projekteve, janë ndër aktivitetet e para që nevojiten për orientimin e duhur të përpjekjeve për mbrojtjen e natyrës.

Këto janë rekomandimet kryesore nga tryeza të cilën e organizoi “Eko-vetëdija” (Eko-svest), në të cilën sot u diskutua për prioritetet në fushën e mbrojtjes së natyrës. Organizata civile e prezantoi Draft Udhërrëfyesin për mbrojtjen e natyrës, në të cilin janë propozuar masa me prioritete që synojnë të shërbejnë si mbështetje për politikëbërësit dhe institucionet tjera, menaxherët e zonave të mbrojtura dhe organizatat e shoqërisë civile.

Sipas dokumentit, Agjencia duhet të jetë organ profesional me ekspertizë dhe i pavarur për krijimin e politikave, monitorimin dhe miratimin e procedurave për koordinimin e politikave për mbrojtjen e natyrës. Është i nevojshëm edhe ligj i ri për natyrën, i cili do të harmonizohet me legjislacionin evropian dhe konventat ndërkombëtare që vendi i ka ratifikuar.

“Ligji i ri duhet të harmonizohet me kornizën ligjore për pyjet, gjuetinë, peshkimin, energjetikën, bujqësinë, ujin apo shfrytëzimin e burimeve minerale, në mënyrë që të theksojë mbrojtjen e natyrës. Vetëm në këtë mënyrë do të mbrohet diversiteti biologjik”, theksojnë nga Eko-vetëdija.

Edhe shpallja e zonave të mbrojtura nuk nënkupton gjithmonë kujdes adekuat ndaj natyrës. Planet e menaxhimit nuk respektohen gjithmonë dhe procedurat për ri shpalljen e zonave të mbrojtura janë shumë të gjata dhe jo efikase. Kjo rezulton me mbrojtje të dobët të biodiversitetit edhe në territoret e mbrojtura, kurse jashtë tyre mbrojtja sikur nuk ekziston fare.

“Edhe atje ku ka zona të mbrojtura, nuk ka struktura të caktuara menaxhuese kudo, ose menaxhimi nuk kryhet sipas planit të paraparë. Ka edhe propozime për zona të reja të mbrojtura që nuk janë shpallur, ndërsa ne nuk kemi as rrjet kombëtar”, theksojnë ekspertët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button