“Monstra”, dënimi i shqiptarëve (VIDEO)

Familjarët e personave të akuzuar për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas në afërsi të Shkupit dy vite më parë, shprehen të shqetësuar nga kërkesa e Prokurorisë Publike për t’i dënuar me burgim të përjetshëm të akuzuarit.

Ata thonë se të afërmit e tyre, që për dy vite me radhë po mbahen në paraburgim, janë të pafajshëm ndërsa procesi ndaj tyre është i montuar.

“Prokuroria i ka dhënë një konotacion ndëretnik dhe ndërfetar, nuk ka të bëjë asgjë me realitetin. Kjo është një nxitje, kjo është një urrejtje, kjo është një keqtrajtim. Ata kanë pushtetin dhe sistemin në dorë dhe mund të bëjnë çfarë duan”, thotë Aqif Sejdiu, familjar i Rami Sejdiut.

Në fjalën përfundimtare prokurorja e rastit “Monstra”, Gordana Geshkovska, të premten e kaluar, kërkoi dënim maksimal për të akuzuarit.

Ajo tha se motivi i autorëve të vrasjes së pesë të rinjve maqedonas ka qenë që të krijohet frikë dhe pasiguri tek qytetarët maqedonas. Por, njëri nga familjarët e shqiptarëve të dyshuar tha se akuzat e prokurores nuk janë të bazuara në fakte.

“Fjalët e fundit të prokurorisë ishin të pavlera sipas meje, pasi asgjë nuk u prezantua nga faktet të cilat i kanë shpallur që në fillim. Por ajo u morr me disa këngë, me disa fotografi, me legjitimacion të UÇK-së, me këngë të autorëve të tjerë, kurse autorësia u përshkrua sikur të ishin këta autorët e këngës apo të inçizimeve, të klikimeve të gjërave në internet”, thotë Bedri Ajdari, famljar i Fejzi Azirit.

Fjala e fundit e prokurores së rastit “Monstra” ka nxitur reagime të shumta edhe tek ekspertët juridikë, të cilët vlerësojnë se Prokuroria Publike duhet të kërkojë përgjegjësi nga prokurorja Gordana Geshkovska, e cila sipas tyre ka shpërdoruar detyrën e saj duke bërë kualifikime të rënda etnike dhe fetare për të akuzuarit.

Më 5 qershor, gjykatës do t’i drejtohen me fjalët e fundit të akuzuarit dhe avokatët e tyre, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret nga fundi i muajit. Avokati i të dyshuarve, Naser Raufi të premten tha se prokuroria nuk ka asnjë bazë për akuzat e ngritura. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button