Kovaçevski deklaroi se fraksionet në BDI nuk e dëmtojnë stabilitetin e koalicionit qeverisës

Pak ditë më parë, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të BDI-së në media shprehën pakënaqësinë e tyre për situatën në parti, për të cilën përgjegjës e zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi, por sa i përket koalicionit qeveritar, kryeministri Kovaçevski garantoi se ajo është stabile, transmeton Portalb.mk. 

Në pyetjen drejtuar kryemnistrit Kovaçevski, nëse ai frikësohet se nga fraksionet në BDI, koalicioni qeverisës do mund të prishej, ai tha se sa i përket kësaj çështjeje, koalicioni është i qëndrueshëm.

“Nuk ka rrezik të humbas shumicën në parlament.”, tha Kovaçevski sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Deklarata e kryeministrit vjen pasi pak ditë më parë, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të BDI-së reaguan në media të pakënaqur për situatën në këtë parti, për të cilën si përgjegjës vunë nënkryeministrin e parë Artan Grubin.

“Sjellja arrogante dhe diletantiste e pushtetit ekzekutiv me në krye Artan Grubin shkaktoi pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe votuesve.”, u tha  në një pjesë të reagimit të grupit të pakënaqur.

Anëtarë të BDI-së deklaruan se organet statutore partiake nuk janë formuar në parti, vendimmarrja politike është bërë individuale dhe nuk ka pasur debat dhe konsultim me bazën. Andaj kanë kërkuar nga lideri Ali Ahmeti që të përfundojë lufta brenda llojit, gjegjësisht të ruhet uniteti, të hapet debati i brendshëm partiak për të tejkaluar situatën, por edhe për të dhënë llogari për zyrtarët e pushtetit ekzekutiv.

Në mesin e nënshkruesve, siç dihet, janë pesë zyrtarë aktualë: dy deputetët, Izet Mexhiti dhe Merita Kollçi Koxhaxhiu; Zëvendësministri i Mbrojtjes Bashkim Hasani; dhe kryetarët e Komunave të Çairit dhe Sarajit, Visar Ganiu dhe Blerim Bexheti. Nga ish-zyrtarët, ndër ata që e kanë nënshkruar është edhe ish-zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, si dhe ish-kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzet Bejta.

Ahmeti më pas foli për deklaratën publike të zyrtarëve të BDI, duke thënë se partia ka krijuar struktura të qëndrueshme me bazë të fortë, të cilat mund të funksionojnë edhe pa të.

“Unë thashë se BDI ka krijuar struktura të qëndrueshme që mund të funksionojnë pa Ali Ahmetin, pa Blerim Bexhetin, pa Musa Xhaferin, pa Izet Mexhitin, ky është investim kombëtar dhe ky investim kombëtar ka një themel të fortë dhe mbështetje të fortë.”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë, në opinion dolën informacione se për të qetësuar pakënaqësitë në BDI është ofruar dorëheqja e ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, i cili nga ana e tij këto lajme i ka quajtur të pakuptimta dhe  të rreme.

I pyetur nëse ka përçarje në BDI, ai dje tha se BDI është parti me demokraci të madhe të brendshme, por në fund fjalën e fundit e ka lideri Ali Ahmeti.

“Në BDI ka një demokraci të madhe të brendshme dhe secili ka të drejtë të shprehë mendimin e vet dhe fjalën e fundit e ka Ahmeti. Ai dje e deklaroi qëndrimin e tij dhe këtu përfundojnë të gjitha debatet në BDI dhe të gjithë vazhdojnë me angazhimet e tyre. Nuk mund të shtoja asgjë më shumë.”, ka thënë Osmani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button