Gjermania dhe Greqia u shprehën të shqetësuar për fitoren e ekstremit të djathtë në Itali

Fitorja e lideres së ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, në zgjedhjet italiane ka shkaktuar reagime të fuqishme në Gjermani, ku politikanët kryesorë të shumë partive, rezultatet e këtyre zgjedhjeve i quajtën si shqetësuese, shkruan Euractiv, transmeton Portalb.mk

Me përjashtim të partisë së ekstremit të djathtë AfD, e cila uroi të gjithë aleancën elektorale të krahut të djathtë, të gjitha partitë e tjera kryesore gjermane ishin të shqetësuara nga fitorja dërrmuese e qendrës së djathtë në Itali. Të shqetësuar janë sidomos socialdemokratët, të cilët e sulmuan grupin e Partisë Popullore Evropiane konservatore (EPP) në Parlamentin e BE-së, për mbështetjen që i dhanë “Forza Italia” të Silvio Berlusconit.

“Kjo ditë është një ditë e hidhur për të gjithë ata që duan një Evropë të fortë dhe demokratike. Me fitoren e saj në zgjedhje, neofashistja Meloni dhe aleanca e krahut të djathtë që ajo drejton, janë në pragun e pushtetit në Itali.”, tha në një deklaratë nënkryetari i grupit parlamentar të SPD, Achim Post.

Përfaqësues të tjerë të partisë shprehën gjithashtu shqetësimet e tyre, me bashkudhëheqësin e të Gjelbërve, Omid Nouripour, duke deklaruar se aleanca e krahut të djathtë mund të ketë “lidhje shumë të ngushta me Kremlinin”.

Zëvendëspresidentja e parlamentit të BE-së dhe ish-ministrja gjermane e Drejtësisë, Katarina Barley, paralajmëruan  se roli i Melonit si kryeministër do të ishte i modeluar sipas atij të  Victor Orban dhe Donald Trump.”

Nënkryetari i SPD, gjithashtu, në emër të partisë, sulmoi EPP-në konservatore, duke folur për një “dështim historik , politik dhe moral të Partisë Popullore Evropiane nën udhëheqjen e Manfred Weber, që ka ndihmuar në përparimin e krahut të djathtëItali“.

Ai kritikoi gjithashtu liderët e partisë konservatore gjermane të CDU-së dhe CSU-së bavareze që nuk u shprehën kundër qendrës së djathtë italiane, si dhe, siç është deklaruar ai,  për “përkrahjen e një aleance të krahut të djathtë të udhëhequr nga neofashistët”.

Shefi i EPP-së, Manfred Weber, njëherit edhe anëtar i CSU, ka mbështetur hapur aleancën e Berlusconit me Melonin duke thënë se partia e tij do të ishte “thellësisht evropiane”.

Megjithatë, pas disa javësh heshtjeje, kryeministri bavarez dhe kreu i CSU-së Markus Soder më në fund foli kundër Berlusconit , duke minuar kështu pozicionin e kolegut të tij partiak Weber.

“Ne e kemi bërë gjithmonë të qartë se ne krijojmë një mur zjarri ndaj grupeve radikale të djathta, neofashiste dhe ky është gjithashtu opinioni i shumicës dërrmuese në CSU.” pohoi Soder, të hënën pas takimit të liderëve të CSU në Mynih.

Qëndrimi i Greqisë për fitoren e ekstremit të djathtë në Itali

Përfaqësuesit e partive politike në Greqi kanë shprehur shqetësimin e tyre pas fitores së koalicionit të ekstremit të djathtë në Itali nën drejtimin e Giorgia Meloni, duke paralajmëruar për rrezikun e forcimit të krahut të djathtë në BE, shkruan Euractiv, transmeton Portalb.mk

Përfaqësuesi Parlamentar i Demokracisë së Re, Christos Boukoros , në një deklaratë për Euractiv- Greqi, tha se mbizotërimi për herë të parë i një force politike postfashiste në ekonominë e tretë më të madhe të Evropës është një shkak i madh për t’u shqetësuar.

Ai gjithashtu tha se është e rëndësishme të mos harrohet që Aleanca e Matteo Salvinit filloi si një lëvizje separatiste dhe përfundoi si një partner në qeverinë e Mario Draghit.

Sipas tij, shqetësimi kryesor në Evropë duhet të jetë se pse evropianët çdo ditë e më shumë po shtyhen drejt përzgjedhjeve ekstreme politike.

“Është koha që Evropa të fillojë të adresojë shkaqet, në vend që të komentojë rezultatet si një spektator i pafuqishëm.”, tha ai.

Sekretari i partisë opozitare Syriza, Rania Svingos, në deklaratën e tij për Euractiv- Greqi, tha se pikërisht një shekull pas ‘marshimit drejt Romës’, fantazma e fashizmit është rishfaqur pikërisht në vendin që e lindi atë.

Ai thekson se “në këtë periudhë të vështirë për të ardhmen, forcat demokratike dhe përparimtare në Evropë kanë një përgjegjësi historike. Të luftojmë me unitet dhe vendosmëri një luftë me dy fronte kundër të djathtës ekstreme neofashiste, por gjithashtu edhe kundër neoliberalizmit që e ushqen atë.”

Ish-zëdhënësi i shtypit dhe deputeti i Pasko-Kinal, Pavlos Christides, tha për Euractiv, se “tanimë paqja dhe prosperiteti  janë koncepte të largëta për evropianin mesatar që sheh ëndrrat e tij të mjegulluara, pabarazitë në rritje dhe interesat jopersonale që përcaktojnë zhvillimet ekonomike dhe sociale”.

Për sa i përket rezultateve të zgjedhjeve italiane, ata dërguan një “mesazh tingëllues se “aleanca e politikanëve kryesorë me forcat ekstreme po krijon kushte të reja politike”.

Ndryshe, partia me rrënjë neofashiste, Vëllezërit e Italisë, drejtuar nga Giorgia Meloni, është fituese e zgjedhjeve të përgjithshme. Për herë të parë, që nga Lufta e Dytë e Botërore, vendi do të qeveriset nga e djathta ekstreme dhe po për herë të parë, Italia do të ketë një grua për kryeministre. Udhëheqësit e partive të krahut të djathtë të Evropës, përshëndetën fitoren e zonjës Meloni dhe ngritjen e shpejtë të partisë së saj, duke e parë si një mesazh historik për Brukselin. Por në këto zgjedhje Italia bëri histori edhe për pjesmarrjen më të ulët në votime ndër vite, prej 64%, raporton VOA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button