Merkoçi nga Lëvizja “Mjaft”: Digjitalizimi i shërbimeve publike në Shqipëri ka rritur cilësinë e tyre, pengesë edhe për korrupsionin

Sfida bashkëkohore me të cilën po ballafaqohen shtetet e Ballkanit Perëndimor është digjitalizimi i shërbimeve publike. Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të rajonit po i prin këtij procesi.  Revolucioni digjital i Shqipërisë i cili filloi në vitin 2013 ku atëherë kishte vetëm 14 shërbime elektronike, ndërsa sot ka 1225. Përkthyer në përqindje kjo i bie se Shqipëria ka të digjitalizuara 95% të shërbimeve publike, ku deri në vitin 2022 ka pasur 27 milion aplikime online.

Për atë se si ka shkuar ky proces dhe cilat kanë qenë sfidat, Portalb.mk realizoi një intervistë me Aldo Merkoçin nga Lëvizja civile “Mjaft” e Shqipërisë.  Ai theksoi se pandemia e Covid-19 ka qenë një shtytës kryesor për procesin e digjitalizimit dhe e dyta vullneti politik për të parë këtë si një detyrim, pasi e njëjta nuk është një politikë e lehtë për t’u implementuar. Sipas tij, digjitalizimi tani më nuk është diçka e së ardhmes por është e së tashmes. Ai theksoi se me sulmet kibernetike po futemi në një botë të re diplomatike, referuar edhe rastit të fundit të sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë nga Irani.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

Portalb: Si e përjetuan qytetarët e Shqipërisë procesin e transformimit të marrjes së shërbimeve nga sportelet fizike në ato elektronike?

Merkoçi: Procesi i digjitalizimit në Shqipëri ka qenë një proces relativisht i shpejtë. Procesi zyrtarisht filloi nga viti 2011 por në fakt pati një revolucion diku na viti 2017. Diku na viti 2015 kemi pasur strategjinë e parë të agjendës digjitale dhe aty u formësua ajo që qeveria donte të bënte.

E veçanta e digjitalizimit në Shqipëri ka qenë paralele edhe me Pandeminë. U ndërthurën dy gjëra, nga njëra anë vullneti i Qeverisë për të kryer procesin e digjitalizimit, nga ana tjetër erdhi edhe nevoja e menjëhershme nga pandemia, pasi qytetarët ishin të detyruar të shkonin përmes portalit e-albania, që është edhe portali që bart të gjithë procesin e digjitalizimit në Shqipëri.

Duhet kemi parasysh në rastin e Shqipërisë se është një rast i veçantë si rrjedhojë e këtij kombinimi faktorial jo se qytetarët këtu janë më të veçantë se pjesa tjetër.

Pandemia në këtë kontekst ndihmoi shumë njerëzit që të kuptojnë procesin e digjitalizimit, që të kuptojnë se si ai ndihmon në radhë të parë njerëzit, jo vetëm për çështje të uljes së korrupsionit në administratën shtetërore, por si rrjedhojë e kursimit të kohës dhe rritjes së efektivitetit.

Në këtë kontekst pati mirëkuptim nga ana e qytetarëve. Edhe pse paralelisht pati mosbesim të caktuar, mosbesimi vinte për dy arsye kryesore. E para vinte nga mosbesimi i përgjithshëm që qytetarët e Ballkanit Perëndimor kanë ndaj Qeverive të tyre dhe politikës në përgjithësi. E dyta, procesi i digjitalizimit kërkon disa njohuri ekstra të cilat ne nuk ishim mësuar, pasi qytetarët nuk kishin pasur mundësinë dhe mekanizma për tu adaptuar.

Qytetarët shqiptarë kanë filluar ta kuptojnë rëndësinë dhe vlerën e shërbimit digjital por jemi ende mbrapa në të kuptuarit të rëndësisë së identitetit virtual. Një pjesë e konsiderueshme e popullatës mendojnë se ka ende vështirësi në qasje si rrjedhojë e dijes se si funksionojnë këto aplikacione për shërbimet elektronike.

Portalb: Sa është rritur cilësia e marrjes së shërbimeve nga ky transformim digjital?

Merkoçi: Ky ka qenë çelësi i suksesit në fakt, për shumicën e qytetarëve, po flasim për shërbime të cilat sot janë bërë të rëndomta.  Sot është shumë e thjeshtë, për këdo që e ka aftësinë që të futet te portali e-albania. Kjo e ka ndihmuar procesin e transformimit digjital, pasi një pjesë e mirë e kanë parë përfitimin e kësaj gjëje.

Arsyeja përse e shohin është se deri dje, në momentin që raporti ishte fizik, t’i duhej të lije punën, të merrje leje nga puna për të shkuar deri te zyra, pasi shkon atje duhej të pritej radhë, dhe kishte lloj lloj shpikjesh nga punonjësit e administratës shtetërore kundrejt qytetarëve. Tani gjithçka, i gjithë ky proces i të marrit leje nga puna, pritja në radhë, të pasurit dyshime, po pak edhe kjo natyra jonë ballkanike që kur merrnim një shërbim e lenim një bakshish, që nuk është bashkish por është një korrupsion i vogël.

Këto kanë qenë hapat e parë që qytetarët fituan besimin. Në këtë kontekst është e dukshme se shërbimi është më i mirë, është i shpejtë, i mirë, i siguruar, nuk ka më pikëpyetje rreth sistemit.

Nga ana tjetër, mbetet fakti se jo të gjithë janë të aftësuar për të marrë këto shërbime dhe mbetet pyetja e madhe se sa të siguruar janë qytetarët.

Mund të ishte bërë një sforco më e madhe për të akomoduar një lloj shtrese të shoqërisë që nuk ka mjetet për të marrë këtë shërbim. Mbetet ende debat i hapur, ne vazhdojmë të insistojmë te kjo gjëja, ka nevojë për një studim pak më të thellë.

Aldo Merkoçi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Aldo Merkoçi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Portalb: Sa ka qenë sektori civil i përfshirë në këtë proces dhe cili ka qenë ndikimi real i tyre?

Merkoçi: Do të kthehem edhe njëherë te pandemia, pasi pjesa më e madhe e strukturës digjitale është krijuar në vitin 2020 dhe 2021. Kanë qenë të dyja vite shumë të kushtëzuara si rrjedhojë e pandemisë. Çfarë ndodhi ishte se nga njëra anë Qeveria kishte një urgjencë për të ngritur këtë infrastrukturë digjitale. Nga ana tjetër ne kishim një pamundësi për të marrë pjesë në këtë proces të ngritjes së strukturës si rrjedhojë e pandemisë.

Kombinimi i këtyre nuk ishte shumë në përfitim të shoqërisë, kjo është një nga arsyet pse ne kemi disa skizma të caktuara kur flasim për faktin që vendimi që u mor për të mbyllur sportelet nuk ishte në pajtueshmëri me shoqërinë civile dhe me disa përfaqësues të grupeve të komuniteteve. Kjo ndodhi si rrjedhojë e faktit se kur u ngrit kjo infrastrukturë, për hir të vërtetës qe e ballafaquar shumë pak me grupet tjera të interesit.

Ne jemi munduar që nga 2019 përmes programit ICEDA, të bëjmë jo vetëm monitorimin e situatës por edhe të japim disa këshilla konkrete për institucionet. Kryesisht për Agjencinë Kombëtare të Sigurisë së Informacionit por edhe për institucionet e tjera, mënyrën se si ato ndërvepronin deri që në momentin që erdhi vendimi i Qeverisë për mbylljen e sporteleve.

Ka qenë një periudhë tre vjeçare te e cila ne kemi qenë mjaft të investuar jo vetëm me njohuritë tonë por edhe duke mbledhur njohuri dhe informacion nga partnerët tanë në terren. Kemi pasur një rrjet qoftë gazetarësh investigativ po edhe organizata të cilat punonin në qytetet e tjera, pasi problemi nuk është vetëm Tirana. Ajo që ne kemi bërë është se kemi ngritur një rrjet me gazetarë investigativ, organizata që punonin në terren, për të parë dinamikë më të qartë. E rëndësishme për ne ishte ti identifikonim problematikat dhe pastaj të ja transmetonim institucioneve përkatëse.

Portalb: Cila është sfida më e madhe aktuale në procesin e digjitalizimit me të cilën përballen aktualisht qytetarët shqiptar?

Merkoçi: Dy janë gjërat kryesore. E para, ne duhet të sigurohemi që të gjithë qytetarët shqiptar kanë mundësi qasjeje, dhe kur flasim për këtë nuk flasim vetëm për qasje në internet por qasje që të jenë të aftësuar të marrin këtë shërbim. E dyta ka të bëjë me sigurinë, pra sa më shumë shërbime ne i vëmë profilit të një qytetari apo biznesi, shumë mirë është. Por, paralelisht me këtë, sa më shumë rriten shërbimet siç jemi në ditën e sotme, ku kemi mbi 1200 shërbime, në momentin që llogaria jote viruale si qytetar llogaria jote hakerohet nga dikush tjetër, atëherë ti shumë më vunerabël se dje.

Siç e tregoi edhe rasti i fundit, ne patëm një sulm kibernetik nga Irani, një gjë që mësuam është se siguria jote varret se sa i fortë është armiku jot. Në këtë rast ne kuptuam në rastin e një armiku kaq të madh si Irani, kjo ishte një mesazh për të gjithë rajonin që sistemet tona mbrojtëse duhet të jenë më të mira dhe kemi nevojë që të unifikojmë sistemin tonë mbrojtës kur vjen puna te siguria kibernetike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button