Tetovë, NP “Parkingu i Qytetit” nuk tregon pse iu merr para qytetarëve për parkingun të cilin ende nuk e ka hapur

Edhe pse parkingu zonal B9 dhe B14 në Tetovë ende nuk është lëshuar në përdorim, ka disa javë që qytetarëve që parkohen në to dhe dërgojnë sms-porosi, sistemi ua tërheq të hollat. Ata dërgojnë porosi sepse NP “Parkingu i Qytetit” ka vëndosur tabelë që duhet të dërgohet porosi për parkim por nuk ka parë të arsyeshme të bllokojë sistemin e porosive që mos të harxhohen paratë e qytetarëve të painformuar se parkingu është falas. Qytetarët nuk e dinë se parkingu nuk paguhet sepse në tabelat informuese nuk shkruan se parkingu do të paguhet nga 1 tetori kur dhe do të lëshohen në përdorim parkingjet në fjalë, shkruan Portalb.mk.

Nga data 1 tetor në Tetovë do të fillojnë të funksionojnë dy zona të reja parkimi në qytet. Zona B9 në rrugën “Strasho Pinxhur” dhe kompleksin “Saranda“. Ndërsa zona B14 në rrugën “120” afër tregut të gjelbër. Zonat e parkimit tashmë janë të shënuara dhe të sinjalizuara, mirëpo aty mungon njoftimi se e njëjta do paguhet nga 1 tetori.

Qytetarët të cilët dërgojnë sms edhe tani, para 1 tetorit, ju tërhiqen paratë.

Një qytetare për Portalb.mk tregon se para disa ditësh kur parkoi veturën në zonën B9, dërgoi sms-porosi dhe ju morën mjetet. Pasi dërgoi sms-në, ajo thotë se një qytetar e ka njoftuar se ende nuk ka hyrë në fuqi pagesa.

“Vijat ishin për parking, të cilat nuk ishin më parë, kishte më pak vetura të parkuara. Nëse nuk është ende në fuqi pagesa pse duhet që qytetarëve që nuk e dinë të ju tërhiqen paratë kur dërgojnë mesazh, pasi ka edhe tjerë si unë që nuk e dinë këtë”, tha qytetarja e revoltuar.

Për më tepër, në fotografinë më poshtë mund të shihet e njëjta se paratë tërhiqen.

Dëshmi se tërhiqen paratë nëse dërgon sms për këtë zonë

Portalb.mk dërgoi sms-porosi për zonën B14, dhe rezultoi që mjetet tërhiqen.

Dëshmi se tërhiqen paratë nëse dërgon sms për këtë zonë

Të pyetur për të njëjtën se përse në tabelën informuese për detajet e parkingut zonal nuk është shënuar se pagesa fillon nga 1 tetori, nga NP “Parkingu i Qytetit” Tetovë arsyetohen se qytetarët kanë qenë të njoftuar përmes faqes së ndërmarrjes në Facebook.

“Po ashtu për të njëjtën qytetarët kanë qenë të njoftuar edhe përmes njoftimeve që kanë qenë të ngjitura në zonat përkatëse dhe nëpër hyrje të ndërtesave në ato zona”, thanë nga NP “Parkingu i Qytetit” Tetovë.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, aty qarkullojnë edhe qytetarë që nuk banojnë aty dhe jo të gjithë janë të informuar për të njëjtën.

Portalb.mk verifikoi se në tabelat informuese për parking, ku e njëjta është kontakti i parë me qytetarët për sa i përket pagesës së parkingut, në zonën B9 dhe B14 nuk shkruan se parkingu fillon me pagesë prej me 1 tetor.

Të njëjtat mund të shihen në fotografitë më poshtë.

This slideshow requires JavaScript.

Për atë se përse nuk e kanë bllokuar sistemin për këto zona deri më 1 tetor që mos u harxhojë para qytetarëve, nga ndërmarrja e parkingjeve nuk janë përgjigjur.

Nuk ka dhe të dhëna sa para ka fituar kjo ndërmarrje nga parkimi që ende nuk ka filluar.

Ndryshe, Tetova ka nevojë urgjente për parkingje të reja. Deri më tani, udhëheqësia aktuale nuk ka krijuar vende të reja parkimi, është bërë vetëm shndërrimi apo improvizimi në parkingje zonale (me pagesë) i parkingjeve ekzistuese, ku vetëm se qytetarët parkoheshin edhe më parë, por nuk paguanin.

Vetëm para dy ditësh, filluan punimet për krijimin e parkingut të mbyllur në pjesën e njohur si te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve” në Tetovë. Por, nuk dihet kur do përfundojë e njëjta.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, nuk e mbajti premtimin parazgjedhor se parkingu do të jetë falas derisa të krijojë parkingje të mjaftueshme për çdo veturë. Kaosi vazhdon, parkingje të reja ende s’ka, parkingu pa pagesë ishte vetëm dy javë dhe e pagesa u rikthye.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button