MPJ e dënoi gjuhën e urrejtjes në ndeshjen RMV – Bullgari, Borisov: Fqinjët tanë s’i kuptojnë vlerat evropiane (VIDEO)

Ministria e Punëve të Jashtme reagoi publikisht dhe e dënoi shprehjen e djeshme të gjuhës së urrejtjes, që ka mundur të vërehej gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet përfaqësuesve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë e cila mbaroi 0 me 1, njofton Portalb.mk

“Ngjarjet sportive paraqesin shprehjen më të lartë të parimeve të fer raporteve, respektit të ndërsjellë dhe ndeshjes në frymën sportive. Keqpërdorimi i këtyre ngjarjeve për përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës paraqesin kundërthënie thelbësore të idesë së tyre bazë. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria edhe në të të ardhmen do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive në avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella, si vende aleate në NATO, partnerë të ardhshëm në Bashkimin Evropian dhe mbi të gjitha, fqinjë të mirë”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Gjatë, ndeshjes së mbrëmshme, tifozët fishkëllyen në momentin kur u këndua himni bullgar.

 

Për gjestin e këtillë ka reaguar edhe ish kryeministri bullgar, Bojko Borisov, i cili ka theksuar se fqinjët në Maqedoninë e Veriut nuk i kuptojnë vlerat evropiane.

“Respekt për djemtë e reprezentacionit bullgar! Kështu mbrohet me dinjitet kombi ynë! Si bullgar dhe futbolldashës, kategorikisht e dënoj përdhosjen e himnit bullgar në fillim të ndeshjes Bullgari – Republika e Maqedonisë së Veriut. Për fat të keq, me veprimet e këtilla fqinjët tanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut nuk tregojnë se i kuptojnë vlerat evropiane. Përpara heronj bullgar”, shkruajti Borisov.

Ndeshja e mbrëmshme mes dy reprezentacioneve ishte në kuadër të xhiros së fundit nga grupi C nga Liga e Kombeve dhe është luajtur në stadiumin, Arena Nacionale “Todor Proeski” në Shkup.

Gjuha e urrejtjes ndaj bullgarëve ka prapavijë politike, gjegjësisht për shkak të bllokadës apo vetos ndaj rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Sipas bullgarëve, gjuha maqedonase është degë e bullgarishtes, ndërkaq maqedonasit janë komb i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore me vendim të ish kreut jugosllav Josip Broz Tito. Ata e akuzojnë Shkupin se një sërë ngjarjesh dhe figura historike i kanë vjedhur. Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Por, rruga e mëtutjeshme e integrimit do të varet, mes tjerash, edhe nga qëndrimi i Sofjes për çështjet e hapura mes dy vendeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button