Hulumtim: Më të pasurit e ndotin Shkupin më së shumti

Përderisa çmimet e lëndëve energjetik po rriten në mënyrë dramatike në pritje të dimrit të ardhshëm, shumë qytetarë në Shkup do të përballen me probleme si të ngrohin shtëpitë e tyre. Një pjesë e madhe e këtyre qytetarëve jetojnë në varfëri dhe janë të përjashtuar në aspekt social, si dhe nuk kanë akses në energji elektrike apo ngrohje qendrore. Megjithatë, ndotësit më të mëdhenj të kryeqytetit nuk janë ata, por ata që kanë të ardhurat më të larta, mbi 40.000 denarë në muaj, kryesisht për shkak të shprehive dhe sasive që konsumojnë, përcjell Portalb.mk.

Këto janë rezultatet e grumbulluara nga hulumtimi i organizatës civile Platforma Maqedonase Kundër Varfërisë (PMKV) me titull “Përballja me ndotjen e ajrit nëpërmjet  minimizimit të varfërisë energjetike dhe promovimin e sjelljes pro-mjedisore”, të hartuar me ndihmën e UNDP-së dhe Ambasadës Suedeze në Shkup.

Prezantimi i rezultateve të hulumtimit të organizatës civile Platforma Maqedonase Kundër Varfërisë.

Hulumtimi është bërë në bazë të një ankete me 1003 të anketuar në Shkup, e në të cilin është analizuar lidhshmëria ndërmjet varfërisë energjetike, ndotjes së ajrit dhe sjelljes pro-mjedisore në tre profile socio-ekologjike të njerëzve: grupi i parë i njerëzve me të ardhura deri në 25.000 denarë në familje, e dyta nga 25.000 deri në 40.000 denarë për familje dhe e treta me mbi 40.000 denarë për familje në muaj.

“Dallimet janë shumë të mëdha, si në sjelljen ndaj konsumit të energjisë, por janë jashtëzakonisht të mëdha edhe për sa i përket zgjedhjeve dhe mundësive që i kanë. Në analizë u udhëhoqëm nga metoda: mundësitë, motivimi dhe zgjedhja, ashtu që erdhëm në përfundim se masat aktuale për uljen e ndotjes nuk janë të mjaftueshme, sepse nuk i synojnë tërë popullsinë dhe vetëm një pjesë e saj mund të përdorë disa nga masat”, tha Biljana Dukovska – kryetare e Platformës Maqedonase Kundër Varfërisë.

Iva Petrunova është arkitekte dhe sociologe urbane, e cila mori pjesë në hulumtim. Ajo thotë se nuk është e saktë përshtypja e publikut se qytetarët që janë më të rrezikuarit dhe që më së shpeshti fajësohen për cilësinë e dobët të ajrit ndotin më shumë.

“Këta qytetarë nuk kanë internet, nuk kanë telefon… Nuk është se nuk duan, por nuk e përballojnë dot. Në shekullin e 21-të kemi qytetarë që nuk mund të paguajnë dot faturat e telefonit dhe të internetit”, thotë Petrunova.

Në grupin me të ardhura deri në 25 mijë denarë, ka persona të cilët nuk kanë qasje në asnjë burim të energjisë dhe të cilët më së shumti akuzohen se e ndotin ajrin në Shkup, p.sh. me djegien e gomave, pa mundësi të përdorimit të vazhdueshëm të energjisë apo të ngrohjes qendrore, thanë nga organizata në debat. Këto janë lënë jashtë masave për uljen e ndotjes.

Grupi i dytë i kushton pak rëndësi kursimit, sepse nuk kanë burime të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha kërkesat e tyre, thuhet në hulumtim.

“Kategoria e tretë mbi 40 mijë denarë janë personat që kanë, munden dhe shpenzojnë edhe para edhe energji. Ata janë ndotësit më të mëdhenj sepse e bëjnë këtë me zgjedhje, jo për shkak të pamundësisë dhe në to duhet të ushtrohet ndikim për të ndryshuar ndërgjegjen në aspekt të përmirësimit të shprehive të tyre, që të mos bëhen konsumatorë, por që të kujdesen për veten dhe mjedisin”, tha Dukovska.

Rezultatet e hulumtimit treguan se mungon zhvillimi i balancuar i qytetit, infrastrukturë më e mirë, punë më e madhe ndërsektoriale dhe investime, si dhe ndërhyrje shtetërore dhe vendore, në radhë të parë në sistemet e ngrohjes, sistemet e energjisë së gjelbër dhe mundësitë e aksesit për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe njëlloj solidare, kushte cilësore dhe të dinjitetshme për jetesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button