BEG: Nuk kemi detyrim të vazhdojmë me prodhimin e energjisë termike

“Balkan Energy Group” (BEG) – Prodhimtari vlerëson se nuk ka as bazë ligjore për të disponuar me impiantet për energji termike dhe as detyrim për të vazhduar aktivitetin në sezonin e ri të ngrohjes. Ata gjithashtu mendojnë se nuk kanë financa të mjaftueshme për të blerë karburant për prodhimin e energjisë termike. Këtë e njoftoi sot kompania pasi gjatë fundjavës, Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, deklaroi se deri në zgjedhjen e një operatori ekonomik, BEG duhet patjetër të furnizojë energji termike deri në përzgjedhjen e bartësit të ri të licencës, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ai gjithashtu theksoi se sipas ligjit BEG duhet të ketë rezerva gazi dhe lëndë të tjera të para për të siguruar energji termike.

Mirëpo, kompania në njoftimin që është i publikuar në ueb-faqe, venë në pah se sipas nenit 51 të Ligjit për Energjetikë, kanë pasur obligim ligjor që të vazhdojnë ushtrimin e aktivitetit deri në skadimin e afatit 90 ditor për përzgjedhje të operatorit të ri të aktivitetit dhe ky afat tashmë ka skaduar.

Nga BEG-Prodhimtari e theksojnë edhe atë se kompania gjatë asaj periudhe e ka vazhduar veprimtarinë dhe i ka kryer të gjitha aktivitetet e nevojshme të remontit në impiantet termike në mënyrë që bartësi i ri i licencës të mund të fillojë pa probleme sezonin e ri të ngrohjes.

BEG-Prodhimtari nuk ka bazë ligjore për shfrytëzimin e impianteve termike, sepse Marrëveshja e Qirasë është ndërprerë dhe pronari i ri i impianteve termike ka kërkuar dorëzimin e tyre”, thonë ata.

Sipas tyre, kompania nuk ka pas mundësi financiare për të kryer aktivitetin, për shkak të humbjeve të mëdha që janë shkaktuar në sezonin e kaluar të ngrohjes si pasojë e rritjes së shumëfishtë të shpenzimeve për blerjen e lëndëve energjetike dhe energjisë elektrike, të cilat nuk mbuloheshin nga tarifat e miratuara nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.

Për këto arsye, siç shtojnë, më 9 qershor të këtij viti ata kanë paraqitur kërkesë në Komisionin Rregullator për Energjetikë për ndërprerjen e licencës.

“Më datë 20.06.2022 KRRE solli vendim për ndërprerjen e licencës së BEG-Prodhimtari”, thuhet në komunikatën e kompanisë.

Sa i përket marrëveshjes për bashkëpunim afarist-teknik ndërmjet BEG-Prodhimtari dhe SHA EMV, thonë se vlefshmëria e saj ka qenë deri më 31 mars të këtij viti, gjegjësisht marrëveshja ka skaduar.

Në të njëjtën kohë, në ueb-faqen e kompanisë BEG-Furnizimi, që është kompani motër e BEG-Prodhimtari gjendet njoftimi në të cilin thonë se do të kryejnë aktivitetin dhe do t’u dorëzojnë fatura konsumatorëve deri në zgjedhjen e një bartësi të ri të licencës.

“Sipas nenit 51 të Ligjit për Energjetikë, Gazeta Zyrtare RMV nr. 96/18, Furnizimi me nxehtësi Balkan Energy SHPKNJP Shkup deri në zgjedhjen e operatorit të ri të veprimtarisë publike të furnizimit me energji termike e ka për obligim të kryejë aktivitetin dhe t’u dorëzojë fatura për energjisë termike konsumatorëve”, thuhet në deklaratë.

Kur në fillim të muajit qytetarët reaguan për faturat jashtëzakonisht të shtrenjta, kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRRESHU) Marko Bislimovski kërkoi nga BEG që të kthejë të gjitha faturat për muajin gusht që ju ishin dërguar konsumatorëve dhe të përgatisin fatura të reja, në të cilat do të llogaritet edhe subvencionimi që e marrin qytetarët nga qeveria.

Më pas nga Qeveria thanë se diferencat e subvencionit do të paguhen kur BEG të shlyejë borxhet dhe të rregullojë llogaritë me EMV-në shtetërore.

BEG raportoi shpenzime serioze për vitin e kaluar, që më pas në fillim të vitit 2022, kompania shtetërore EMV e mori përsipër menaxhimin e ngrohjes së Shkupit me avull. Si arsye u përmendën çmimet e larta të lëndëve energjetike, ashtu që kompanitë nuk kanë mundur të financojnë sezonin e ngrohjes pa ndihmën e shtetit.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%, por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button