Ekspertët evropian në RMV, i pyesin institucionet çfarë kanë bërë për çështjen e dhunës në familje dhe grave

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska sot ka marrë pjesë në vizitën e parë evoluese të GREVIO-s (trup ekspertësh i Këshillit të Evropës) në Maqedoninë e Veriut e cila është mbajtur në Qendrën Burimore për Krijimin e Politikave dhe Buxhetim të Përgjegjshëm Gjinor, njofton Portalb.mk.

Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të Këshillit të Evropës, GREVIO, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) dhe nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA). Nga ana e përfaqësuesve të trupit të ekspertëve të pavarur në Këshillin e Evropës për zbatimin e Konventës së Stambollit janë parashtruar disa pyetje për ta kuptuar më mirë progresin e vendit në lidhje me dhunën gjinore.

Pyetjet që u janë drejtuar institucioneve, siç njoftojnë nga MPPS, kanë qenë në drejtim të parandalimit dhe mbrojtjes më të madhe nga dhuna, ngritja e vetëdijes publike për dhunën ndaj grave dhe dhunës familjare, paraqitja e përdhunimit, bashkëpunimi mes agjencive, burimet financiare dhe krijimi i politikave për sensivitetin gjinor.

“Me qëllim të përgjigjes përkatëse të dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare në vitin 2017-të si shtet e kemi ratifikuar Konventën e Stambollit. Ka filluar hartimi i Planit Aksional dhe i kemi harmonizuar rregullativat ligjore në pajtueshmëri me konventën. Në vitin 2018-të kemi miratuar ligj për ratifikimin e konventës. Edhe pse kriza e kovidit i ka ngadalësuar të gjitha proceset në vitin 2021 është miratuar Ligj për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna Familjare. Për momentin punojmë intensivisht në zbatimin e tij në bashkëpunim me institucionet tjera”, tha Trençevska.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale i kanë sqaruar të gjitha angazhimet dhe masat e ndërmarra nga ana e institucioneve duke u bashkuar në ngritjen e vetëdijes së popullatës në lidhje me dhunën në familje dhe dhunën gjinore.

Rekomandimet dhe komentet nga vizita do të dorëzohen plotësisht nga ana e trupit të ekspertëve me çka institucionet do të marrin udhëzime përkatëse për avancimin dhe zbatimin e Konventës së Stambollit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button