U publikua projektligji për rishpalljen e Matkës monument natyror

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor publikoi projektligjin për shpalljen e Kanjonit të Matkës monument natyror dhe debati publik për përmbajtjen e këtij projektligji është caktuar me 17 tetor, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Kanjoni i Matkës është i përfshirë në Rrjetin Kombëtar Emerald të zonave me interes të veçantë në Evropë, dhe specie të shumta nga ky vend përfshihen në anekset e Direktivës për Ruajtjen e Habitateve të Florës dhe Faunës së egër.

Siç informuan nga ministria, ndër arsyet kryesore pse Kanjoni i Matkës renditet si një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë natyrore në vend janë edhe pasuria dhe shumëllojshmëria e vlerave natyrore, biodiversiteti dhe gjeodiversiteti i saj.

Në vitin 2020, në kuadër të projektit “Përmirësimi i menaxhimit të zonave të mbrojtura”, në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, UNDP-në dhe ekspertët vendas, është bërë rishikimi i Studimit për vlerësimin e Vlerave Natyrore të Matkës, me të cilin janë bërë propozime për ndryshimin e kufijve ekzistues dhe për zonimin e saj.

“Në bazë të Studimit dhe Propozimit për shpalljen e zonës së mbrojtur Kanjoni i Matkës monument natyror, të miratuar nga Këshilli i qytetit të Shkupit, është hartuar projektligji për shpalljen e Matkës si monument natyror”, kanë theksuar nga Ministria.

Rishpallja e Matkës monument natyror duhet të finalizohet me miratimin e Ligjit në Kuvend, si dhe do të duhet të përcaktohet një drejtues dhe të formohet një strukturë drejtuese.

Ndryshe, Kanioni i Matkës qysh nga viti 2004 është duke pritur që të shpallet sërish zonë e mbrojtur si monument i natyrës. Një nga raritetet më të bukura natyrore në vend, që është shtëpi e shumë specieve të rralla dhe endemike të bimëve e kafshëve, duke përfshirë shkabën egjiptiane dhe shkabën me kokë të bardhë (grifon), të cilat janë në listat e kuqe të specieve të rrezikuara, ka mbetur e pambrojtur për gati dy dekada para sulmeve të ndërtimeve të paligjshme dhe pa menaxhim të duhur që do të sigurojë ruajtje të vlerave natyrore të këtij kanioni.

Në vitin 2010, u përgatit Studimi për rivlerësimin e vlerave natyrore të zonës së mbrojtur, monument natyror, “Kanioni i Matkës” në kuadër të projektit të UNDP “Forcimi i qëndrueshmërisë ekologjike, institucionale dhe financiare të sistemit të zonave të mbrojtura kombëtare të Maqedonisë” me fonde nga Bashkimi Evropian. Në vitin 2019, gjithashtu përmes UNDP, një projekt u financua për të rishikuar kufijtë e zonës së mbrojtur, i nevojshëm për të miratuar Ligjin për shpalljen e lokalitetit Matka monument natyror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button