Konfronti shqiptaro-maqedonas rreth aspiratave euroatlantike

Animoziteti publik maqedonas kundrejt Brukselit, i intonuar përmes disa kolumnistëve proqeveritarë dhe ideologëve të partisë së deridjeshme (dhe të ardhme) maqedonase në pushtet, në thelb përmban trajektoren e qëndrimeve dhe sensibiliteteve të një populli të vogël ndaj sfidave e të papriturave të kohës. Shenjat e qarta të euroskepticizmit që përshkojnë këtë animozitet, nuk mund të shpjegohen lehtë pa një depërtim pak më të thellë në mendësinë publike të disa qarqeve e rrymimeve ideologjike në Shkup, tek të cilët nxjerr krye përpjekja për të risjellë në vëmendje shanset e humbura të integrimit në strukturat euro-atlantike, përmes efekteve të kompensimit.

Dy janë portat që shënojnë dalje për këtë frustrim publik maqedonas: aleanca ekonomike dhe ajo ushtarake me vendet e Azisë, Amerikës Latine dhe vetë Rusinë, që po shikohet nga disa analistë proqeveritarë në Shkup si alternativë ekonomike e zhvillimore e Shkupit zyrtar për të gjetur tregje të reja dhe investues të rinj, të cilët, sipas tyre, gjoja do të kompensonin dhe rikuperonin efektet e pasojave rrënuese të ekonomive brenda Eurozonës. Një shtet i vogël e tepër i papërfillshëm në përmasa planetare, po shfaqet në sytë e publikut të këtushëm si një gurë peshoreje, që do të rivendoste balancat e humbura në mes të Lindjes dhe Perëndimit, madje edhe në një kohë kur në Europë po triumfojnë ideologjitë e djathta, të cilat pritet t’i imponojnë politikat e tyre, fillimisht në Parlamentin Europian, e më pas edhe në disa segmente vendimmarrëse në Bruksel.
Refuzimi disavjeçar për të tejkaluar kontestin me Greqinë rreth emrit, ka kohë që në Shkup nuk shikohet si mungesë gjeturie e koniukturave politike maqedonase, por si ‘diversion’ dhe ‘tradhëti’ gjoja e Perëndimit kundrejt ‘çështjes maqedonase’. Tani me ridisenjimin e përbërjes së re parlamentare në Strasburg, ky refuzim ka të ngjarë të bëhet edhe më substancial, duke patur për bazë gjithmonë një alibi, që politikën e Shkupit zyrtar mundohet ta nxjerrë të larë kundrejt përgjigjeve të vështira që imponon koha, sidomos ato që lidhen me aderimin në NATO dhe marrjen e datës për anëtarësim në BE, dy prioritete këto eurointegruese, të cilat pa tejkalimin e kontestit me Greqinë, nuk mund të arrihen.
“Nëse nuk na duan në Bruksel, të hedhim sytë nga Lindja”, është ky lajtmotivi i një thirrjeje në kontinuitet i disa megafonëve proqeveritarë në Shkup, të cilët haptazi propagandojnë aleanca ekonomike e ushtarake me vendet e Azisë dhe Rusinë. Unioni Ekonomik Euroaziatik, i formuar ditë më parë në mes të Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit, si përgjigje ndaj sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, që si synim ka që të garantojë lëvizje të lirë për mallrat, shërbimet, kapitalet dhe punëtorët, si dhe aplikimin e politikave të përbashkëta në sektorët më të mëdhenj të ekonomisë, është pritur me ekazltim pikërisht nga këta megafonë, sepse, sipas tyre ky union në mes të ish-shteteve sovjetike do të krijojë një treg të përbashkët për të fuqizuar integrimin e politikave ekonomike euroaziaktike, ku do të mund të strehohej edhe Maqedonia e vogël.
Sikundër dihet, tre shtetet nënshkruese të këtij Unioni, kanë një GDP të kombinuar së bashku prej 2.7 trilion dollarë amerikan, ose 2 trilion euro. Kritikët e këtij projekti deklarojnë se marrëveshja është një përpjekje për të rigjallëruar pjesët e ish-Bashkimit Sovjetik. Se krijimi i këtij unioni nuk është vetëm i karakterit simbolik, dëshmon deklarata e Presidentit Putin, sipas të cilit kjo ka domethënie historike, duke shpresuar që në një të ardhme do të bashkangjitet edhe Ukraina dhe disa shtete që kishin qenë dikur pjesë e ish BRSS-së. Rusia madje i kishte bërë presion Ukrainës që të bashkohej në këtë nismë, qysh gjatë kohës kur në krye të shtetit ishte Viktor Yanukovych.

Leximi i keq i këtyre aleancave euro-aziatike, krijon tek opinioni publik në Maqedoni iluzione të rrejshme për një ‘besëlidhje’ të mundshme pansllave, e cila në një të ardhme po rivendoska balancat e humbura në Ballkan dhe po rikthyeka drejtësinë e munguar në favor të popujve të dëmtuar, si maqedonasit, të cilët gjatë historisë paskan pësuar tkurrje territoriale e etnike.

Në Shkup, gjithashtu nuk është lexuar drejt edhe përpjekja e Moskës për të intensifikuar luftën diplomatike me mjete të huazuara nga psikoza ekonomiko-energjetike. Dominimin e saj rajonal, Rusia ka kohë që po mundohet ta shprehë në forma të sofistikuara, duke i konkurruar Perëndimit me projekte, që janë jetësisht të lidhura me vendet e Ballkanit. Projekti rus i tubacionit të gazit natyror ”Rryma Jugore”, një kohë është shikuar si alternativë e korridorit të tetë që parashihte të lidhte shtetet e rajonit nga Deti i Zi e deri në Adriatik.

Resurset me gaz natyror që po përdoren aktualisht nga Moska, si alibi për të vendosur njëfarë balance në mes të joshjes eurointegruese të Perëndimit dhe varshmërisë energjetike nga Rusia, është peshorja në të cilën Maqedonia dhe Serbia do të duhej t’i masin prioritetet e tyre gjeostrategjike.
Shikuar në planin e zhvillimeve të fundit në Ukrainë, ku Rusia më tepër se arrogancë neocariste, po demonstron influencë politike për të neutralizuar përpjekjet e Kievit në kërkimin e axhendave proeuropiane, ka të ngjarë që edhe në Shkup të ringjallen ambicjet për ta larguar këtë vend të vogël ballkanik nga strukturat euroatlantike, sidomos në kohën kur edhe në skenën politike po profilohen prirjet pro dhe anti – NATO, e që në dimensionin etnik mund të kuptohet edhe si një konfrontim shqiptaro-maqedonas rreth të njëjtës aspiratë. Mbase, e vrojtuar nga ky aspekt mund të ketë kuptim edhe insistimi i Ali Ahmetit për të nxitur politikat orientuese të Shkupit zyrtar drejt një axhende eurotalantike, e cila do ta largonte Maqedoninë nga rrymimet e ftofta që sjellin stepat ruse, ndërkohë që ky insistim u shpërfaq edhe me rastin e vizitës së paradoditshme të sekretarit të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Taktizimet pa sens të politikës që udhëheq kryeministri Gruevski në raport me zgjidhjen e kontestit me emrin, tashmë po kuptohen si mesazhe jo të mira që ai po dërgon në Bruksel e Uashington. Nëse kjo politikë e mosgjeturisë në planimetrinë që imponon gjesotrategjia nuk reflekton ndonjë ndryshim pozitiv, atëherë është e pritshme që Maqedonia të jetë sërish vatër e ndonjë krize të re, ku definitivisht mund të hapen opsionet për ridefinimin e konceptit të këtij shteti, që është viktimë e ambicjeve iracionale idenditare. Është mëse e qartë se shqiptarët në asnjë rast nuk do të lejojnë që të viktimizojnë prirjet e tyre properëndimore në kompensim të ruajtjes së ndonjë status-quoje falce, e cila ndryshe mund të kuptohet edhe si variant rezervë për aleanca të reja anti-Perëndimore.

(Botuar në gazetën ‘Koha’, Shkup)

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button