Qeveria e RMV-së kërkon të kursehet  në vend, ndërsa është dorëlirë jashtë vendit

Nuk dihet sa kushton udhëtimi i kryeministrit dhe delegacionit qeveritar në Nju Jork, dihet. Por dihet se për tenderin, për panairin e verës në Beograd, ku morën pjesë gjysma e ministrave të kabinetit qeveritar, janë ndarë gati 400 mijë euro. Më shumë janë kursyer mjete për ngjarjet dhe kremtimet në shtëpi, shkruan REL në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Tradicionalisht, një delegacion nga Maqedonia merr pjesë çdo vit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në selinë e organizatës në Nju Jork së bashku me liderë nga e gjithë bota. Ky vit nuk bën përjashtim, ashtu që kryeministri Dimitar Kovaçevski i shoqëruar nga bashkëshortja e tij tashmë një javë është në SHBA. Çdo hap dhe takim i tij regjistrohet, por ajo që nuk dihet saktësisht është numri i anëtarëve të delegacionit qeveritar dhe sa kushton ky udhëtim zyrtar.

Nga Qeveria i referohen komunikatës ku thuhet se kryeministri është së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe këshilltarin për Punë të Jashtme Edmond Ademi, ndërsa ata shoqërohen edhe nga përfaqësuesi i përhershëm i vendit në OKB, Ljubomir Frçkovski. Mirëpo, aty nuk përmendet ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, i cili po ashtu ka marrë pjesë në samit.

Qeveria, në seancën e 28-të marsit të këtij viti, i miratoi masat anti-krizë për uljen e shpenzimeve në sektorin publik.

“Të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë dhe përdoruesit individualë u ngarkuan të reduktojnë numrin e udhëtimeve zyrtare dhe të reduktojnë ndjeshëm numrin e anëtarëve të delegacioneve gjatë udhëtimeve jashtë vendit”, ishte një prej rekomandimeve që i miratoi Qeveria.

Vetëm pak muaj pas këtij vendimi, në fillim të shtatorit, qeveria shpenzoi qindra mijëra euro për të marrë pjesë në panairin e parë ndërkombëtar të verës, ushqimit dhe turizmit në Beograd, si pjesë e nismës “Ballkani i hapur”, që e udhëheqin Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria.

Kovaçevski i buzëqeshur, nga stenda në stendë, e shijonte verën së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama. Kjo kënaqësi dihet se sa ka kushtuar, sepse për këtë është realizuar një tender.

Panairi i verës në Beograd, foto: Qeveria e RMV-së

Për “Ushqim dhe verë” rreth 385 mijë euro

Në kushtet kur qeveria bëri rekomandime dhe masa për kursime për shkak të krizës energjetike, rritjes së inflacionit dhe shpenzimeve të jetesës, për pjesëmarrje në panair, si dhe për projektimin dhe zbatimin shtesë të një festivali njëditor të ushqimit dhe verës në vendit, ka ndarë rreth 385 mijë euro.

Tenderin e ka fituar agjencia “Rating SP-M” nga Shkupi, kurse për çfarë janë të destinuara paratë saktësisht në dokumentacionin e kontratës nuk është përcaktuar.

Kryeministri Kovaçevski, sipas përgjigjes nga Qeveria, ishte i shoqëruar nga 9 punonjës të kabinetit të tij dhe dy koordinatorët kombëtarë për Ballkanin e Hapur.

“Ndërsa institucionet e tjera kanë deleguar secili sipas nevojave të veta, varësisht nga formati dhe numri i takimeve”, thonë nga Qeveria, duke shtuar se për të raportuar nga kjo ngjarje kanë mbështetur edhe 40 përfaqësues të mediave.

Kovaçevski në Beograd me gjysmën e qeverisë

Maqedonia në panair u përfaqësua nga gjithsej 42 kantina të verës dhe 3 distileri, ndërsa prezantimin, siç ishte paralajmëruar, e bëri Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave.

Ishte e pritshme që sa bashku me Kovaçevskin të jenë Ministri i Bujqësisë Ljupço Nikolovski, si dhe ai i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Por pjesë e delegacionit qeveritar ishte edhe Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq, Ministrat për Drejtësi Nikolla Tupançeski, për Kulturë Bisera Kostadinova Stojçevska, për Mbrojtje Slavjanka Petrovska dhe për Transport dhe Lidhje Bllagoj Boçvarski.

Kovaçevski në Beograd i mirëpriti edhe ministrat e tij, sepse organizoi “Mbrëmjen maqedonase”, ku sipas njoftimeve morën pjesë përfaqësues të komuniteteve të biznesit dhe qeverive nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Nga Qeveria nuk kemi përgjigje se sa ka kushtuar “Mbrëmja maqedonase” dhe sa njerëz kanë marrë pjesë në të, por vetëm sa ka qenë rëndësia e panairit.

“Përfitimi për sektorin e biznesit vendas është i madh, sidomos në kushtet e një krize botërore kur është më shumë se kurdoherë e nevojshme të mbështetet ekonomia vendase dhe qytetarët tanë”, thonë nga Qeveria.

Sa për ilustrim, një person nuk mund të fitojë 400 mijë euro për gjithë jetën e tij të punës nëse merr një pagë mesatare mujore, e cila aktualisht është 500 euro.

Ndër të tjera, përveç vizionit të verës, panairi në Beograd shërbeu për t’u dërguar mesazh liderëve se dimrin, i cili do të jetë i vështirë, do ta kalojnë së bashku sepse lëndët energjetike janë të shtrenjta dhe kjo ka sjellë një sërë rritjesh të çmimeve. Maqedonia nuk prodhon mjaftueshëm as ushqim as energji elektrike.

Qeveria nuk i kursen as nikoqirët e huaj

Kovaçevski nuk e ka “kursyer” as ish-kolegun e tij bullgar Kiril Petkov. Për darkën zyrtare me Kovaçevskin dhe shoqëruesit e tij të shumtë në janar, siç raportojnë mediat bullgare, Petkov ka shpenzuar 9.000. Më modestë se Kryeministri i Maqedonisë kanë qenë Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Kryeministri holandez Mark Rute, sepse shoqërimi me ta Petkovit i ka kushtuar nga 1.800 euro.

Sllavica Grkovska, Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, së fundi në një intervistë për Makfaks deklaroi se të gjithë zyrtarët e kanë për obligim të thonë se si i shpenzojnë paratë publike.

Vegla për llogaridhënie të shpenzimeve nga bartësit e funksioneve publike, për të cilin qeveria aktuale ishte kaq krenare, nuk funksionon që nga viti 2019. Aty mund të shihej individualisht se sa para ka shpenzuar Qeveria, ministritë dhe secili zyrtar individualisht dhe për çfarë qëllimi.

Më pak para për ngjarjet në shtëpi

Ndryshe nga jashtë vendit, sipas të dhënave nga tenderët e realizuar dhe dokumentacioni i Byrosë për Prokurime Publike, janë shpenzuar më pak para për ngjarjet brenda vendit.

Qeveria për kremtimin e Ditës së Pavarësisë këtë vit shpenzoi 40 mijë euro më pak se në vitin 2021, por vjet u kremtua 30-vjetori. Kontrata me kinostudio në Shkup, sipas tenderit ishte rreth 57 mijë euro.

Por këtë vit Qeveria ndau rreth 17 mijë euro për kremtimin e Ilindenit. Vitin e kaluar, për këtë qëllim, nuk ishte zhvilluar tender. Për shërbimet e hoteleve brenda dhe jashtë vendit për përfaqësues të Qeverisë, siç shihet nga tenderët, parashikohet e njëjta shumë prej rreth 191 mijë euro si për vitin 2021 ashtu edhe për vitin 2022.

Cilat ministri të tjera kanë shpenzuar para

Qeveria, këtë vit, ka shpenzuar gjithsej rreth 652 mijë euro për panairin në Beograd dhe kremtimin e festave dhe shërbimet për hotele. Ministritë e tjera kanë shpenzuar gati 550 mijë euro për ngjarjet për të cilat janë realizuar tenderë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, së bashku me kryeministrin Kovaçevski aktualisht ndodhet në Nju Jork. Osmani ishte organizator i Prespa forum dialogue që në qershor u zhvillua në Ohër. Për këtë forum u ndanë gjithsej 75 mijë euro. Si vitin e kaluar, edhe këtë vit për përgatitjen dhe fushatën për forumin është kujdesur agjencia e marketingut New Moment për shumë identike prej 29 mijë euro.

Ministria e Punëve të Jashtme ka shpenzuar këtë vit gati tre herë më shumë para për shërbime hotelerie dhe restorantesh, si dhe për salla konferencash, përkatësisht 94 mijë euro. Për të njëjtin qëllim vitin e kaluar janë ndarë 35 mijë euro më pak. Kjo ministri ka gjithmonë shpenzime udhëtimi më të larta duke pasur parasysh funksionin që kryen, ndërsa rritja vërehet pas Pandemisë Kovid.

Ministria e Financave kryeson me shpenzime

Në të njëjtën kohë, qeveria i ka ngarkuar të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë që të shkurtojnë 10 për qind të shpenzimeve të tyre dhe të informojnë Ministrinë e Financave se për çfarë do të kursejnë.

Megjithatë, pikërisht Ministria e Financave, e cila është përgjegjëse për të bërë kontrollin, këtë vit nuk ka kursyer fare në ngjarje dhe shërbimet shoqëruese për organizimin e tyre. Edhe këtë tender e ka fituar agjencia e marketingut New Moment.

Është planifikuar që New moment, për shërbimet e saj të arkëtojë nga Ministria e Financave deri në 238 mijë euro. Në vitin 2021 nuk ka pasur masa shtrënguese, por më pas për të njëjtin qëllim me të njëjtën agjenci New Moment, ministria ka ndarë tre herë më pak para ose rreth 80 mijë euro.

Kremtimet për pavarësinë më modeste se ato për Marrëveshjen kornizë

Nëse sivjet Qeveria ishte më dorëlira këtë vit, vitin e kaluar këtë e bëri Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve e cila, për kremtimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë, shpenzoi gati gjysmë milioni euro. Festa këtë vit ishte shumë më modeste dhe ka kushtuar gati 100 mijë euro, ndërsa nuk kanë munguar këngëtarët e huaj dhe vendas, e për organizim u angazhua kompania Arbëria Design nga Tetova.

Ngjarje këtë vit organizuan edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila për Konferencën Ndërkombëtare të NATO-s për Komunikuesit ka shpenzuar rreth 36.000 euro dhe Ministria e Brendshme, e cila për Mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Konventa për bashkëpunim policor në Evropën Juglindore në Shkup, ka ndarë gati 6.500 euro për shërbimet e keteringut. Ministritë e tjera nuk kanë zhvilluar tenderë për këso qëllime.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%, por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button