“Eko vetëdija” kërkon mbrojtjen e lumenjve me ligj, nisma e parë është për Radikën

Radika do të jetë lumi i parë në vend për të cilin do të kërkohet mbrojtje ligjore. Ndonëse shumë rrjedha ujore në vend rrjedhin nëpër parqe kombëtare apo zona të mbrojtura, asnjëra nuk është e mbrojtur siç duhet dhe kjo rezulton me abuzime të ndryshme, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Qendra për Hulumtime dhe Informacione Mjedisore “Eko vetëdija” ka nisur një iniciativë për të filluar procedurat për mbrojtjen formale me ligj të lumenjve apo pjesëve të rrjedhave ujore, të cilat do të përcaktohen se janë veçanërisht të rëndësishme për biodiversitetin dhe mjedisin. Kjo tashmë është praktikë në shumë vende të botës, por edhe në rajon. Lumenj të mbrojtur ka në Kroaci dhe Serbi, ndërsa është i njohur shembulli i Neretvës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjorgji Mitrevski nga “Eko vetëdija” thotë se ligji për natyrën lejon, ashtu si mbrohen zona të ndryshme me rëndësi, të mbrohen edhe lumenjtë apo pjesët e tyre.

“Tek ne nuk as edhe një shembull të vetëm të lumit të mbrojtur, ndërsa kemi disa raste ku mbrojtja nevojitet. Për këtë ka baza të ndryshme, ashtu që sapo të fitohet ky status edhe qëndrimi ndaj lumit do të duhet të jetë krejtësisht ndryshe, ashtu siç është ndaj zonave të mbrojtura”, vë në pah Mitrevski.

Radika është një nga shembujt e paktë ku rrjedha e ujit me të gjitha degët e saj ndodhet në Parkun Kombëtar të Mavrovës. Ato kalojnë edhe nëpër zona të mbrojtjes së rreptë dhe menaxhimit aktiv, por pavarësisht kësaj vetë lumi nuk e gëzon të njëjtën shkallë të mbrojtjes. Kjo lë mundësi për mënyra të ndryshme të keqpërdorimit, gjë që lë gjurmë në biodiversitetin dhe cilësinë e ujit.

“Rrjedha e poshtme e Vardarit kalon nëpër grykën e Demir Kapisë, nëpër IBA rajon, përkatësisht zonë e mbrojtur me rëndësi për shpendët. Mjedisi i lumit mbrohet me konventë, por jo edhe rrjedha e ujit, e cila është e ndotur me kategorinë 4 apo 5, që është e palogjikshme”, thotë Mitrevski.

Ligji për Natyrën ofron shumë baza për mbrojtjen e rrjedhave ujore, madje edhe ato jashtë zonave të mbrojtura. Disa prej tyre, përveç rëndësisë së tyre natyrore dhe nevojës për të mbrojtur biodiversitetin dhe mjedisin, janë edhe pjesë e jetës kulturore, vlerave dhe trashëgimisë së komuniteteve lokale që kanë tradita të cilat lidhen me lumenjtë. Kjo, vlerësojnë në “Eko vetëdija”, është gjithashtu bazë e mirë për mbrojtjen e lumenjve nga aktivitetet degraduese si ndërtimi i objekteve energjetike, shfrytëzimi i rërës, ndotja me fekale, ndryshimet e peizazhit, e të ngjashme.

“Dita Botërore e Lumenjve, e cila festohet çdo vit në javën e katërt të shtatorit, është rast i mirë për të kujtuar qëndrimin tonë ndaj rrjedhave ujore. Dallimet në trajtimin e lumit që është i mbrojtur dhe atij që nuk ka fare mbrojtje janë të mëdha. Për shembull, pasi u bë lumë i mbrojtur, në një pjesë të Neretvës lejohen vetëm disa aktivitete sportive si rafting apo peshkimi rekreativ”, thekson Mitrevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button