ASH: Tragjedia në Llaskarcë nuk po merr epilog gjyqësor

Tragjedia në Llaskarcë që mori jetën e 16 personave dhe mbi 30 mbetën të lënduar, shumica dërmuese nga Gostivari, nuk po merr epilog gjyqësor dhe familjarëve u fshehet e vërteta për këtë rast, thuhet në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo parti thonë se edhe përkundër tentimeve për të zvarritur drejtësinë, një pjesë e të vërtetës po del vetëvetiu në shesh, ndërsa rrethi i atyre që mund të kenë përgjegjësi po zgjerohet gjithnjë e më shumë.

“Së fundmi po mësojmë një të vërtetë të madhe dhe shumë të hidhur për banorët e Gostivarit. Sipas një hulumtimi të organizatës ‘Koalicioni për gjykim të drejtë’, rezulton se këtë rast dhe të vërtetën po e zvarrit me vite partia shqiptare në pushtet, BDI, përmes një funksionari të saj që vjen nga qyteti i Gostivarit. Pas ekspertizës së parë që ishte bërë për këtë rast, Gjykata në vend që të jepte verdiktin final, më 11 nëntor 2021 dha urdhër për super ekspertizë. E njëjta u ishte kërkuar fakulteteve të makinerisë dhe teknike në vend dhe që të gjitha për çudi kanë refuzuar duke thënë herë se s’kanë ekspertë e herë se s’kanë çfarë të ofrojnë më shumë se ekspertiza e parë. Në fund lënda përfundon te Byroja për ekspertizë ligjore dhe atje po mbahet tanimë 315 ditë”, thuhet në kumtesë.

Për ironi të fatit, drejtor i Byrosë për ekspertizë ligjore është Valdet Xhaferi, Kryetar i degës së BDI-së në Gostivar, thonë nga ASH.

“Pas kësaj zvarritje kaq të gjatë, kuadrot e këtilla do të duhej të dënohen e suspendohen nga posti, por në këtë rast Valdet Xhaferi u shpërblye edhe me një post tjetër, atë të kryetarit të degës së BDI-së. A thua kujt i shërbeu aq mirë zvarritja e ekspertizës që ky person të meritojë kaq avansim e shpërblime!? Kush qëndron prapa kësaj tragjedie që nuk lejon dënimin e fajtorëve të vërtetë dhe frikësohet që ata mos të japin emra të tjerë?”, thuhet më tej në kumtesën e ASH-së.

Kujtojmë se, më 13 shkurt të vitit 2019, në aksident të autobusit në Llaskarcë, humbën jetën 16 pasagjerë dhe 38 të tjerë u lënduan.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button