Tërheqja fyese e Moskës

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka hapur shumë çështje në gjeopolitikë. Tash e tutje duhet të shohim se si do të përfundojë Rusia në Ukrainë dhe çfarë opsione shtesë ka Putini. Siç duket njoftimi për rezervistë të rinj tregon për gjendjen e mjerueshme të ushtrisë ruse. Nga shkurti i këtij viti, punët e Moskës në çështjet ndërkombëtare, në Ukrainë, dhe deri diku në Ballkan kanë ndryshuar. Ashtu siç planifikoi Putini dhe ushtria ruse që të shkatërrojë Ukrainën për disa ditë, kjo nuk ndodhi. Realiteti tregon se Rusia është një fuqi e mesme ushtarake me armë bërthamore, por jo fuqi botërore e cila mund të luftojë për një kohë të gjatë.

Nga njëra anë, ashtu siç vuri në dukje para më shumë se mbi një shekull historiani britanik Harold Mackinder, rëndësia strategjike e Rusisë vjen nga aftësia e saj për të ndikuar njëkohësisht në ekuilibrin strategjik në rajonet bregdetare të Evropës Atlantike dhe të Azisë Paqësore. Mirëpo, aktualisht Rusia nuk ka opsione të mira për të kthyer krenarinë e dikurshme të ushtrisë sovjetike ose të para sulmit ndaj Ukrainës.

Historikisht që nga lufta me Napoleonin, rusët kanë bërë luftëra në vetëmbrojtje dhe aspak nuk janë mësuar me një konflikt shumëdimensional. Tani shihet se rusët nuk janë të përgatitur për shekullin e vështirë të konkurrencës strategjike, dhe as më pak në betejat me fuqitë tjera globale dhe rajonale evropiane. Kërcënimet me armë bërthamore janë një pasqyrë e kufizimeve ruse në strategji dhe në taktikë në Ukrainë. Gjendja aktuale mund të rrisë presionin e shoqërisë ruse për të rrëzuar Putinin nga pushteti. Ajo që duhet marrë në konsideratë është se pesha e përgjithshme strategjike e një shteti në politikën ndërkombëtare, ndonjëherë ka më pak rëndësi se sa aftësia e shtetit dhe e ushtrisë për tu përqendruar në një zonë konflikti apo në një luftë me një shtet tjetër fqinj.

Nga ajo që është vërejtur nga shkurti i 2022-ës e deri në shpartallimin e forcave ruse në veri- lindje të Ukrainës, Rusia dhe strategët e saj ushtarak kanë pësuar një disfatë të jashtëzakonshme. Dhe Komanda e Përgjithshme nuk ka qenë në gjendje të bëjë përqendrimet e burimeve qoftë në teatrin detar dhe tokësor. Indikacionet janë që Moska ka hyrë në një humnerë me baltë që vështirë se mund të dalë lehtë. Ashtu njëjtë si dikur kur tanket gjermane u bllokuan gjatë Betejës së Stalingradit, tani të njëjtën fat e kanë pësuar rusët në Ukrainë. Situata pa rrugëdalje e bën udhëheqjen ruse të mendojë për opsione radikale. Në kokën e Putinit tash mbetet një variant i rrezikshëm, pra janë kërcënimet ruse me koka bërthamore ndaj Ukrainës, BE-së dhe vendeve tjera rajonale. SHBA gjithashtu ka dërguar disa mesazhe në adresë të Rusisë për t’i paralajmëruar rreth përpjekjeve për të përdorur armët bërthamore në Ukrainë.

Kur jemi tek kërcënimet ruse dhe angazhimet e KGB-së në të kaluarën për të sabotuar dhe përdorur mjete të rrezatimit për t’i dëmtuar figurat e larta të politikës, për lexuesit tanë po e sjellim një shembull nga Lufta e Ftohtë, një material i deklasifikuar në shtator të këtij viti, ku sovjetikët ekspozuan nënpresidentin e atëhershëm amerikan Riçard Nikson gjatë vizitës së tij në Moskë në korrik të vitit 1959. Sipas të dhënave të deklasifikuara të Shërbimit Sekret Amerikan të postuara të premten nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare Amerikane, po ky shërbim duke përdorur pajisje zbulimi të njohura si “Dozimetrat Radiak”,arrit të masë apo zbulojnë nivele të konsiderueshme të rrezatimit brenda dhe përreth dhomës së gjumit të presidentit Nikson në rezidencën e ambasadorit të SHBA-së në Moskë. Disa ditë pas, agjentët filluan atë që dikush e quajti si “bllof”, duke denoncuar me zë të lartë mashtrimet e pista të sovjetikëveEdhe në kohën sotit që kur Rusia sulmoi Ukrainën, shumë ngjarje kanë marrë formën e “bllofit”, dhe nuk dihet se deri ku punët e rusëve kanë shkuar. Ajo që është e njohur për të gjithë botën demokratike, janë krimet e ushtrisë ruse në Ukrainë.

Kur jemi tek armët bërthamore duhet thënë se që nga viti 1945 janë nënshkruar disa marrëveshje në favor të ruajtjes së paqes dhe sigurisë botërore. “Traktati për Ndalimin e Armëve Bërthamore” – (TPN) i vitit 2017, përfshin ndalimin e armëve bërthamore. Traktati përfshinë kufizimet për të mos zhvilluar, testuar, prodhuar, blerë, zotëruar, grumbulluar, përdorur ose kërcënuar për të përdorur armë bërthamore. Më herët gjatë Luftës së Ftohtë kur ekzistonte rreziku i shpërthimit të një lufte bërthamore në mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, të dyja shtetet nënshkruan “Traktatin e Ndalimit të Testeve Bërthamore”, të vitit 1963, që ndalonte shpërthimet në atmosferë dhe nën ujë. Këta janë disa marrëveshje për të ndaluar përdorimin e armëve bërthamore dhe hidrogjenike. Por, realiteti tregon se Rusia e sotme e ballafaquar me një dezertim të jashtëzakonshëm të qytetarëve të saj, nga turpërimi dhe në pamundësi të opsioneve për të pushtuar Ukrainën, supozohet se mund t’i përdorë armët. Për më shumë, interesat thelbësore të Moskës në këtë fazë të emergjencës kombëtare dhe po ashtu të rëndësishme për sigurinë evropiane në tre dekadat e fundit, kërkon një përgjigje të përshtatshme për të gjunjëzuar Kremlinin nga shtetet demokratike evropiane dhe nga SHBA. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve  historike ruse, për një zgjerim drejt Perëndimit dhe jugut, një vështrim më i afërt zbulon se veprimet e Moskës kanë karakter të kufizuar në adresimin e dinamikave globale. E rëndësishme në këtë ekuacion gjeopolitik bëhet loja serbe, bota ortodokse në Ballkanin Perëndimor dhe në shtetet e Evropës Lindore. Sidoqoftë, poshtërimi rus do të ndikojë në ndryshimet e brendshme në Rusi dhe në shtetet e Ballkanit Perëndimorë, që ende vazhdojnë të mbajnë lidhje kulturore, politike, ushtarake dhe fetare me Moskën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button