Normalizim i marrëdhënieve mes Gjermanisë e Arabisë Saudite

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, vijon takimet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar. Të shtunën ai u takua me princin e kurorës të Arabisë Saudite me shtrëngim të fortë duarsh që simbolizon normalizimin e marrëdhënieve, transmeton DW.

Në takimin e tij me trashëgimtarin e fronit saudit, Mohammed bin Salman në Xheda, kancelari Olaf Scholz tha se kishte përmendur edhe  vrasjen e gazetarit Jamal Khashogi. “Folëm për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat civile dhe të drejtat e njeriut” tha Scholz për gazetarët.

Princi i kurorës saudite konsiderohet nga CIA-amerikane si përgjegjës për vrasjen brutale të gazetarit të Washington Post, Jamal Khashogi, në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, në nëntor 2018. Vrasja çoi asokohe në izolim ndërkombëtar të monarkisë saudite, por që nga fillim i luftës së Ukrainës vendi sërish ka nisur të ketë peshë politike  në arenën ndërkombëtare, për shkak të rezervave të gazit dhe naftës, të cilat në Gjermani dhe Evropë mungojnë.

Scholz, i cili gjatë vizitës dyditoreshoqërohet nga një delegacion biznesi i rangut të lartë, po planifikon një partneritet të ngushtë energjie me Arabinë Saudite. Ky partneritet nuk ka të bëjë vetëm me lëndët e para fosile, por edhe me energjinë me hidrogjen dhe energjitë e rinovueshme, siç shpjegoi kancelari  pas pritjes në Pallatin Mbretëror të Paqes. Takimi me princin e kurorës filloi me një shtrëngim të fortë duarsh që simbolizonte normalizimin e marrëdhënieve.

Scholz iu shmang pyetjes nëse Mohammed bin Salman i kishte kërkuar atij të lehtësonte rregullat e Gjermanisë për eksportimin e armëve. “Të gjithë e dinë që ne këtu ndjekim një politikë shumë rigoroze. Dhe në përputhje me këto rregulla, vitet e fundit janë marrë vendime të mirëmenduara, dhe kështu do të vijojmë,” tha ai.

Sipas Institutit të Kërkimit për Paqen SIPRI, mbretëria saudite është një nga pesë importuesit më të mëdhenj të armëve në botë, ndërsa Gjermania është një nga pesë eksportuesit më të mëdhenj. Por deri më tani, qeveria e koalicionit të qendrës së majtë e kancelarit Scholz nuk ka miratuar asnjë eksport në drejtim të monarkisë saudite.

Arsyeja është ndalimi  i eksportit të armëve, që është në fuqi nga nëntori 2018 për shkak të përfshirjes së Riadit në luftën e Jemenit fqinj dhe për shkak të vrasjes së Khashoggit. Koalicioni tripartiak nuk ka dërguar armë as edhe në kuadër të projekteve të  përbashkëta evropiane.

Naftë kundrejt armëve?

Për Emiratet e Bashkuara Arabe, destinacionin e dytë të kancelarit Scholz, sipas një përgjigje nga Ministria Federale e Ekonomisë dhe Teknologjisë ndaj një kërkese me shkrim të shtruar në Bundestag nga Partia e Majtë, qeveria aktuale ka dhënë dhjetë leje eksportimi armësh në shumën prej  219 000 euro.

Për Katarin, i cili gjithashtu është kritikuar gjerësisht për situatën e të drejtave të njeriut dhe të cilin Scholz e viziton po të dielën – departamenti i ministrit të Të Gjelbërve Robert Habeck ka dhënë  46 leje individuale. Pra, vlera totale e armatimeve të eksportuara aty është  20.7 milionë euro.

Deputetja e partisë opozitare E Majta, Sevim Dagdelen, e quajti  Scholz-in si një “shitës” me një “standard të dyfishtë të dobët”. Edhe pse qeveria federale nuk dëshiron më naftë dhe gaz nga Rusia, ajo tani po mbështet “marrëveshjet energjetike me diktaturat e përgjakshme të Gjirit Persik”. Dagdelen parashikon se vizita në tre vendet e Gjirit  “do të hapë rrugë për dërgesat e reja të armëve”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button