Rama në OKB kërkoi të njihet Pavarësia e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka bërë thirrje shteteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ka thënë se edhe Serbia duhet ta bëjë një gjë të tillë. Sipas Ramës, “Ballkani i Hapur” është rrugë e duhur për të zgjidhur ngërçin në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Koha.net.

Në fjalimin e tij, Rama ka thënë se vendet e Ballkanit kanë kuptuar se “për të ecur përpara është t’ia dalim së bashku”.

Iniciativën e përbashkët me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, Rama e ka cilësuar si lëvizje për të lënë pas të shkuarën e për të gjetur arsye të mira për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

“Duke forcuar marrëdhëniet me Serbinë dhe duke ecur përpara për të nxitur bashkëpunimin dy palësh e rajonal, Shqipëria as që ka lëvizur e as që do të lëvizë asnjë centimetër nga qëndrimi i saj i palëkundur në mbështetje të nevojës për çdo vend, edhe mes jush, që s’e ka bërë këtë gjë, përfshirë edhe Serbinë, që ta njohë Republikën e Kosovës”, ka thënë Rama. “Thënë këtë, është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin përtej ngërçit aktual në dialogun e tyre dhe të punojnë me kurajë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje duke bërë rolin e tyre përkatës për të miratuar një marrëveshje të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja”.

Rama ka shtuar se dialogu është “rruga e vetme dhe e patjetërsueshme” për t’u zgjidhur kjo çështje.

“Mbetem i bindur që ‘Ballkani i Hapur’ vetëm se do të ndihmojë të lehtësojë të proces për të mirën e të gjithëve, shqiptarëve e serbëve, Kosovës e Serbisë dhe të gjithë rajonit dhe Evropën më gjerë”, ka shtuar ai.

Dështim monumental në nivel ndërkombëtar e ka quajtur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Gjykatën Speciale të Kosovës, të bazuar në raportin e raportuesit Dick Marty, 11 vjet më parë. Në fjalimin në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, Rama e ka quajtur këtë raport një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar në nivel botëror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button