“New York Times”: Dokumentet e zbuluara e ekspozojnë mbikëqyrjen dhe censurën e rreptë në Rusi

Dokumentet që kanë rrjedhë nga Roskomnadzor, rregullatori shtetëror rus i komunikimit, tregojnë se si Rusia realizon mbikëqyrje digjitale të qytetarëve të saj dhe censurim, duke u renditur kështu bashkë me shtetet autoritare si Kina dhe Irani dhe se që nga themelimi i Roskomnadzor, në vitin 2008, Putin e ka shndërruar atë në një sistem spiunazhi për të mbajtur pushtetin, shkruan “New York Times”, përcjell Portalb.mk.

Gazeta analizoi rreth 160.000 regjistrime dhe dokumente që kanë rrjedhur nga Byroja e Roskomnadzor për Republikën e Bashkortostanit.

“Në ditën e katërt të luftës në Ukrainë, aparati i madh i vëzhgimit dhe censurës ruse kishte filluar me punë intensive. Rreth 800 milje (rreth 1300 kilometra) nga Moska, autoritetet e Republikës së Bashkortostanit, një nga 85 rajonet e Rusisë, kanë qenë të zënë me monitorimin e disponimit në komentet në  mediat sociale. Kanë dhanë reagime negative ndaj postimeve në YouTube për të cilat kanë thanë se e kritikonin qeverinë ruse. Gjithashtu i kanë vënë në dukje reagimet për një protestë lokale”, e fillon “New York Times” storjen për mbikëqyrjen dhe censurën në Rusi.

Shpejt mësojnë gjithçka

Një nga raportimet për këto aktivitete, që gazeta i rrëfen sërish, e që kanë të bëjë me “destabilizimin e shoqërisë ruse”, e vë në pah një koment redaktorial në një media onlajn, që cilësohet si “opozitare” ndaj qeverisë, ku thuhet se presidenti i Rusisë Vlladimir Putin, me pushtimin e Ukrainës po i shtyn përpara interesat e veta. Në raport jepen edhe informacione të detajuara për pronarët e faqes dhe ku jetojnë ata.

Një raport tjetër i 28 shkurtit me titull “Prani e disponimit protestues” paralajmëron se disa njerëz kanë shprehur mbështetje për protestuesit dhe “flasin për nevojën që lufta të ndalet”.

Një total prej rreth 160.000 regjistrimesh nga Bashkortostan së bashku, e pasqyrojnë imazhin kryesor të sistemit të vëzhgimit dhe censurës nga Putini, sistem të cilin qeveria e përdor për të përcjellë dhe monitoruar kundërshtarët dhe për t’ua ndalë zërin kundërshtimeve, si dhe për të shtypur informacionet e pavarura edhe në skajet më të largëta të vendit, shkruan “New York Times”.

Por Roskomnadzor është vetëm një pjesëz e një aparati më të madh teknologjik, të cilin Putini e ka ndërtuar gjatë viteve, i cili përfshin një sistem përgjimi të brendshëm, ku regjistrohen bisedat telefonike dhe trafiku në internet, si dhe fushatat e dezinformimit në internet dhe ndërhyrjet e hakerimit në sistemet e qeverive të huaja.

Nëse gjykohet sipas dokumenteve, roli i agjencisë Roskomnadzor, duket se është më i gjerë se sa dihej më parë. Agjencia, me kalimin e viteve, është shndërruar nga një rregullator i përgjumur i telekomunikacionit në një agjenci inteligjence “me të gjitha rregullat” që i monitoron me vigjilencë faqet e internetit, mediat sociale dhe mediat kryesore, duke i etiketuar ato si “pro-qeveritare”, “anti-qeveritare” ose “apolitike”.

Roskomnadzor i ka identifikuar dhe i ka përcjellë njerëzit të cilët kanë qenë prapa profileve antiqeveritare në internet dhe u ka dorëzuar shërbimeve të sigurisë informacione të detajuara në lidhje me onlajn aktivitetet e kritikëve. Aty janë përfshirë edhe aktivitete të jetës reale në të cilat personat e përcjellë janë sulmuar për ato që i kanë thanë në internet. Disa janë arrestuar dhe janë mbajtur në paraburgim me muaj të tërë. Të tjerët, për shkak të frikës, janë larguar nga Rusia.

Shkatërrimi i mediave studentore kritike

Në një rast, i cili flet për nivelin flagrant të censurës, organizata mediatike DOXA, me staf studentë dhe të sapo diplomuar, publikoi një video në janar të vitit 2021 në të cilën u bën thirrje studentëve të flisnin kundër Putinit, kurse vetëm tre ditë më vonë organizata ka pranuar një email nga Roskomnadzor.

Në e-mail është thënë se videoja ishte shtuar në listën e “informacioneve të ndaluara” që “i nxisin të miturit të marrin pjesë në aktivitete që janë të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e tyre”. Agjencia ka urdhëruar që videoja të hiqej, DOXA e bëri atë, por më pas ngriti padi ndaj Roskomnadzor.

Më 14 prill 2021, në orën 6 të mëngjesit, policia ruse e ka bastisur redaksinë dhe banesat e katër redaktorëve. Redaktorëve u është shqiptuar arrest shtëpiak dhe ua kanë ndaluar qasjen në internet. Megjithatë, ueb-faqet nuk ishin bllokuar dhe gazetarët kanë vazhduar të publikojnë përmbajtje.

Por pasi filloi lufta në Ukrainë, në shkurt DOXA ka publikuar edhe një udhëzues për “debatet kundër luftës në familje dhe në punë”, i cili përfshinte 17 përgjigje ndaj argumenteve më të zakonshme që janë përdorur për të justifikuar luftën. Përmbajtja është bërë virale dhe është përhapur shumë shpejt. Roskomnadzor më pas ka bllokuar tre faqe në internet të DOXA, të cilat janë ende oflajn. Disa njerëz janë larguar nga vendi, të tjerë janë larguar nga organizata për shkak të frikës për sigurinë e tyre.

Navalni është vazhdimisht “në nishan”

Dokumentet që i ka shqyrtuar “New York Times” e zbulojnë edhe obsesionin me një nga figurat më të mëdha të opozitës, Aleksej Navalni. Për Byronë e Roskomnadzor në Bashkortostan, edhe përmendja më e vogël e Navalnit nuk është e parëndësishme. Punonjësit e agjencisë i kanë lidhur në raporte të gjitha shkrimet, postimet dhe komentet ku thjeshtë është shënuar emri i opozitarit. Në raportet mujore, ata i kanë detajuar të gjitha kritikat ndaj qeverisë, të shprehura onlajn.

Bëhet fjalë për materiale “të rënda” më shumë se 700 gigabajt që në mars u publikuan nga DDoSecrets (Distributed Denial of Secrets), një grup i ngjashëm me WikiLeaks.

Sistemi është krijuar për të kontrolluar shpërthime si protesta e kësaj jave në Rusi, kundër mobilizimit të rreth 300.000 rezervistëve për luftën në Ukrainë, me ç’rast rreth 1,200 njerëz janë arrestuar për pjesëmarrje në protestë.
Duke punuar në këtë storje, “New York Times” krijoi softuer dhe një motor kërkimi për të analizuar dokumente, tabela, video dhe prezantime qeveritare. Intervistoi pesë persona, të cilët ishin monitoruar nga Roskomnadzor, si dhe aktivistë, avokatë dhe kompani që kanë luftuar me agjencinë rregullatore, si dhe ekspertë për mbikëqyrje dhe censurë në Rusi.

“Kjo është pjesë e sistemit autoritar. Ata ndjekin”, tha Abas Galiamov, një ish-zyrtar i lartë i qeverisë në Bashkortostan, të cilin Roskomnadzor e ka përcjellë gjithashtu për shkak të kritikave ndaj Putinit.

Në dekadën e fundit, agjencia rregullatore i ka gjobitur edhe Google, Facebook, Twitter dhe Telegram për t’i detyruar ata të heqin përmbajtjet për të cilat autoritetet ruse thonë se janë të paligjshme. Në vitin 2019, për të forcuar monitorimin në internet, gjë që ishte bërë edhe më parë, Roskomnadzor ka porositur instalimin e teknologjisë së re të censurës në rrjetet e telekomunikimit në të gjithë vendin. Agjencia më pas i ka bllokuar ose ngadalësuar faqet nga selia e saj në Moskë. Roskomnadzor më pas i ka vizituar faqet për të kontrolluar nëse teknologjia ishte instaluar siç duhet dhe ka dërguar raporte mbi efektivitetin e këtij sistemi censurimi, thekson “New York Times”.

Roskomnadzor dhe FSB partnerë kundër kundërshtarëve të Putinit

Vlladimir Voronjin, avokat i cili ka përfaqësuar aktivistë dhe grupe mediatike që kanë qenë në shënjestër të Roskomnadzor, thotë se agjencia rregullatore është lidhur ngushtë me Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB), i cili ka një sistem mbikëqyrjeje të quajtur “Sistemi për Veprime Hetimore Operacionale” i cili përdoret për përgjimet telefonike dhe monitorimin e trafikut të internetit në Rusi.

Ndryshe nga Kina, e cila në këtë drejtim është më e avancuar në aspektin teknologjik, ku monitorimi i internetit është më i automatizuar, dokumentet tregojnë se puna e censorëve rusë është “manuale”.

Por ajo që Rusisë i mungon si sofistikim, ajo e kompenson me vendosmëri, shkruan gazeta amerikane.

Në Bashkortostan, dokumentet e zbuluara, siç është një raport prej gjashtë faqesh mbi “hapësirën rajonale informatike” nga dhjetori i vitit 2021, janë përmbledhur kritikat ndaj Putinit nga aktivistët dhe blogerët. Në atë dokument, autoritetet i matin ndjenjat në një grafik ku paraqiten ngjarjet dhe kundërshtimi i rritur i opinionit publik. Nganjëherë, vlerësimi tingëllon si një parashikim i motit. “Paqësore, me xhepa më të vegjël tensioni të izoluar”, thuhet në një raport mbi gjendjen e publikut pas arrestimit të një aktivisti lokal”, shkruan “New York Times”.

Roskomnadzor i ka vlerësuar mediat sociale si një format për “fuqi të butë” që mund të “ndikojë në mendimet e masave”, thuhet në një dokument.

Punonjësit e agjencisë kanë kërkuar “subjekte destabilizuese” si grupet opozitare dhe ato për “antimilitarizëm”, por edhe për tema të tjera shoqërore si legalizimi i drogës dhe “liritë seksuale”.

Roskomnadzor i ka monitoruar edhe mediat shtetërore lokale dhe liderët politikë, në mënyrë që Putini të mund të vëzhgonte si armiqtë ashtu edhe aleatët, thotë Galiamov, i cili tani jeton jashtë Rusisë.

Në disa raste, censorët i kanë regjistruar aktivitetet e tyre, duke përfshirë lëvizjet e shigjetës në ekran.

Në javët e para të luftës në Ukrainë, censorët e Roskomnadzor i  kanë përforcuar përpjekjet e tyre dhe janë përqendruar jo vetëm në luftën, por edhe në efektet e saj indirekte, duke përfshirë reagimin e publikut ndaj goditjes së shtetit kundër kundërshtarëve të luftës, si dhe keqardhjen për efektet e pushtimit, siç është rritja e çmimeve.

Më 27 shkurt, punonjësit e agjencisë i kanë monitoruar reagimet e raporteve se një familje nga Ufa, me fëmijë të vegjël, ishte arrestuar për shkak të protestës kundër luftës. Në një raport tjetër është përcjellë shpejtësia e përhapjes onlajn e informacionit për një protestues i cili ishte rrah dhe goditur me elektroshok.

“Disa përdorues i vlerësojnë negativisht veprimet e agjencive të sigurisë”, kanë vënë në pah vëzhguesit, duke shtuar se 200.000 përdorues e kishin lexuar lajmin në aplikacionin “Telegram”.

Dokumentet e publikuara nga DDoSecrets zbulojnë gjithashtu se si është zhvilluar jeta e përditshme në zyrë e punonjësve të Roskomnadzor në Bashkortostan. Ata festuan festën kombëtare të gruas dhe kanë ndarë meme. Në një video, ata bëjnë shaka për bllokimin aksidental të faqes së internetit të Kremlinit dhe korruptimin e gjyqtarëve me alkool dhe çokollatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button