BANE ZOT ANDËRR!

Nganjëherë më duket sikur nuk ndodh asgjë e rëndësishme ndër ne, përveç vendnumërimit dhe prapakthimit. Është e tmerrshme rehatia e pashqetësuar kolektive, që nuk na lë të ndërmarrim diçka për të ndërprerë katandisjen e shtrirë gjithandej viseve, krahinave e shkretishteve ku jetojmë dhe vdesim horizontalisht. Ky mekam na bën ta kundrojmë përjermshëm madje dhe egzodin e dhimbshëm të të rinjëve, ikjen e tyre të përgjithmonshme nga Atdheu, duke lënë prapa qytete e fshatra që boshatisen me shpejtësi, lagje që nuk gumëzhijnë më nga zërat dhe lojërat e fëmijëve, shtëpi në të cilat nuk bëhen më dasma e nuk këndohen ninulla, pleq që presin fundin pa më të dashurit e tyre pranë, oxhaqe që tymojnë rrallë e më rrallë, kopshte pa shilarës, rrugina oborresh të mbuluara me barishte të egra, shkolla me numër trishtues nxënësish, dyqane të mbyllura dhe të papritura të që nuk na kanë ndodhur kurrë në kohëra pa luftëra e pogrome të dhunshme.

Për habinë e habive të Zotit, edhe përkundër kësaj gjëme, baballarët e vetëshpallur të kombit vazhdojnë të ndihen rehat dhe t’i kthejnë dukuritë e trishta shoqërore në shpresa për të ardhmen e lulëzuar. Me shpresat e rreme të shitura me dinakëri si reze diellore ata e mjegullojnë tragjedinë aktuale të zhbërjes sonë, na vënë në gjumë dhe na bëjnë ta përsërisim përçart lutjen: bane Zot andërr! Ndodh kështu, sepse tek ne, si askund tjetër, mungon vetëdija dhe kultura politike, mungon opinioni i shëndoshë e kritik që u kundërvihet dallavereve të politikave të dëmshme që degradojnë në kurgjë gjithçka të vlefshme të trashëguar nga brezat e mëhershëm.

Tanimë e kanë kuptuar edhe trumcakët se prijësit më të pushtetshëm të Shqiptarisë (respekt përjashtimeve të rralla!) nuk denjojnë të merren me problemin në fjalë, me gjëmën e braktisjes së përgjithmonshme të Atdheut nga të rinjtë dhe me shuarjen e shkallë-shkallshme të etnisë, sepse janë të rrallë ata që largohen nga politika ashtu si kanë hyrë në të: me të njëjtin karakter, me të njëjtën mirësjellje, me të njëjtit shokë, me të njëjtin status shoqëror, me të njëjtën veturë, me të njëjtën shtëpi të kohës kur kërkuan votat e “sovranit”, me premtimin se do të punojnë për të mirën e përgjithshme.

Mjerisht, grigja nuk sheh sa trumcakët, ndaj vazhdon të adhurojë më shumë derrin e kënaqur sesa Sokratin e vuejtun të Migjenit. Ajo i do ata që ia vënë samarin dhe e konsiderojnë barëngrënës. Ajo ngatërroi kuptimet e gjërave që në fillet e diktaturës demokratike, kur ra në kurthin e tjetrit dhe nisi t’i quajë “me nder më thënë” mësuesit, “të paaftë” njerëzit me kamje të vogël që sigurojnë bukën me djersën e ballit, kurse “të ndershëm” hajdutët dhe matrapazët që, siç do të thoshte Gjergj Fishta, s’njohin as atme as fe.

Grigja e katandisur pa fajin e saj vazhdon t’i mbajë në listën e idhujve padronët që ia vdesin të ardhmen në këste të padiktueshme, e bindur se rënia e boss-ëve është dhe fundi i tyre, madje fundi i botës. Jo rastësisht jemi këtu ku jemi. Jo rastësisht  presim t’na shpëtojë bota nga hajdutët tanë; t’na e mbrojnë të tjerët atdheun, që hira shqiptare e shet copa-copa; t’na i  bëjnë shkretishtet shtete; t’na e reformojnë sistemin arsimor; t’na mësojnë si lëvrohet shkëmbi e si ruhet kush-jami i etnisë; si zhvillohet ekonomia dhe si sigurohet mirëqenia e njerëzve brenda një sistemi mirëfilli demokratik?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button