fbpx

Shkollat në Maqedoninë e Veriut ​​po humbasin mësues shkaku i partizimit dhe pagave të ulëta

Për të plotësuar mungesën e stafit mësimdhënës në matematikë, po kërkohen studentë të vitit të fundit në fakultete ose një mësues duhet të ligjërojë disa lëndë. Arsimi po improvizon ndërkohë që fakultetet po mbeten pa studentë të cilët janë të interesuar të punojnë si mësimdhënës, raporton REL, përcjell Portalb.mk.

Nxënësit e klasës gjashtë dhe të shtatë në SHF “Avram Pisevski” në Shkup nuk kanë orë të matematikës, që nga fillimi i vitit shkollor, për shkak se shkolla me muaj të tërë nuk mund të gjejë mësues për këtë lëndë.

Që kur mësuesja e mëparshme ka shkuar në pushim të lehonisë në prill, shkolla ka bërë përpjekje, por nuk ia ka dalë të gjejë zëvendësim.

Në konkurset për punësim nuk paraqitet askush, ndërsa mësuesja tjetër e punësuar, e cila jep matematikë, veç kësaj lënde, tashmë jep fizikë dhe e ka plotësuar fondin e orëve.

Ndërkohë, nxënësit orët e matematikës i plotësojnë me përmbajtje të tjera mësimore. Dy fëmijët e këngëtares Adriana Janevska shkojnë në këtë shkollë dhe ajo tregon për Radion Evropa e Lirë se si po ia bëjnë.

“Aktualisht nuk kanë orë matematike, koha e parashikuar për orën e matematikës plotësohet me përmbajtje dhe lëndë të tjera mësimore, por matematikë nuk kanë. Shpresoj që së shpejti të gjendet një zgjidhje”, thotë Andriana Janevska, e cila është edhe kryetare e Këshillit të prindërve.

Janevska shton se prindërit së bashku me drejtorinë e shkollës po përpiqen të gjejnë një zgjidhje. Kanë provuar të gjejnë edhe studentë në vitin e fundit të studimeve të cilët do të ligjëronin lëndën, por as ata nuk iu kanë përgjigjur thirrjes.

“Së bashku me drejtorin po bëjmë përpjekje të gjejmë rrugë të ndryshme ligjore që fëmijët të mos humbasin mësimet, por është e pamundur sepse është problem sistemor i cili ekziston prej vitesh dhe thjesht jemi të vetëdijshëm që ka mungesë të këtij kuadri”.

Në Studime në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës (FSHNM) nuk ka numër të mjaftueshëm studentësh dhe automatikisht me kalimin e kohës nënkuptohet se nuk do të ketë kuadër. Kohët e fundit ka propozime që të mund të ligjërojë edhe ndonjë student i fakulteteve teknike. Shpresoj se do të gjendet ndonjë zgjidhje”, shton Janevska.

Problemi nuk ekziston vetëm në këtë shkollë. Mungesë të kuadrit mësimor ka edhe në shumë shkolla të tjera, veçanërisht për lëndët matematikë, fizikë dhe kimi.

Drejtori i shkollës fillore “Said Najdeni” në Dibër thotë se shpesh një mësues duhet të ligjërojë disa lëndë për të plotësuar “vrimën” në procesin arsimor.

“Një mësues ka fond më të madh orësh dhe nëse nuk kemi zgjidhje tjetër përfshijmë mësuesit e fizikës dhe kimisë sepse kanë njohuri nga matematika. Sigurisht që është barrë për mësuesit, por ata e kuptojnë që jemi të detyruar të veprojmë kështu”, thotë drejtori Kaziu.

Ka shpallje për punë – askush nuk aplikon

Në Agjencinë e Punësimit (APRM) janë hapur dhjetëra konkurse për punësimin e mësuesve. Kërkohen mësues të matematikes, fizikes, informatikës dhe edukimit fizik kryesisht në shkollat fillore. Paga bazë në disa shkolla është 18.000 denarë, e në të tjera 24.761 denarë.

Matematikanët nuk janë të interesuar të punojnë si mësues

Në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës (FSHNM) prej vitesh numri i studentëve të regjistruar në programet studimore matematikë, fizikë dhe kimi ka qenë i vogël, ndërsa trendi mbetet i pandryshuar.

Numri i studentëve sigurisht që tregon se profesioni i mësuesit nuk është tërheqës për të rinjtë, vlerëson dekani i FSHNM-së, prof. Aleksandër Skeparovski.

Rënie veçanërisht drastike po shënon numri i studentëve të cilët po regjistrohen në programet studimore nga të cilat më pas rekrutohen kuadrot mësimdhënëse të matematikës dhe fizikës në shkollat ​​fillore. Që nga viti 2020 e tutje, në këto studime është regjistruar vetëm një student.

“Përshtypja ime është se bëhet fjalë për perceptimin e publikut për profesionin e mësuesit, i cili në shoqërinë tonë është aktualisht i zhvlerësuar dhe se kryesisht njerëzit që mund të kenë një afinitet apo talent për këto shkenca do të fokusohen më tepër në disa aspekte të aplikuara të këtyre shkencave sesa të bëhen mësues. Profesioni i mësuesit gjatë viteve e ka humbur atraktiviteti dhe për këtë ka shumë arsye”, thotë dekani i Fakultetit Ekonomik, Aleksandar Skeparovski.

Sipas tij, një nga arsyet është se arritjet e mësuesve dhe nxënësve nuk janë lajm me interes për publikun për ta profilizuar mësuesin si funksion të rëndësishëm në shoqëri, por ndikimin e sheh edhe në kushtet e punës.

Sipas dekanit, një nga faktorët është se në Maqedoni nuk ka traditë të migrimit të brendshëm, gjegjësisht qytetarët nuk duan të migrojnë në qytete apo komuna të tjera, por duan të punojnë afër vendbanimit të tyre.

“Nëse nuk keni mësues në Gjevgjeli, nuk keni ku ta kërkoni në tjetër vend përveç në Gjevgjeli apo rrethinë”, thotë dekani dhe këtë e tregojnë përvojat e deritanishme.

Më tej ai sqaron se ka vend për ndryshime edhe në rregulloren ligjore, pasi tashmë nxënësit që përfundojnë studimet profilizohen për të punuar si mësues vetëm në arsimin fillor.

“Kur të mbaroni matematikën, fizikën, profilizoheni dhe aftësoheni të bëheni mësues vetëm në arsimin fillor dhe aq, nuk mund të ligjëroni në shkollën e mesme. Ndoshta nevojiten ndryshime në ato rregullore ligjore në mënyrë që të mund të grumbullohen një numër më i madh njerëzish të cilët do të vendosin pak më vonë në jetë se çfarë saktësisht do të donin, për shembull në vende të tjera të gjithë kryejnë fizikën, matematikën dhe pasi të kenë përfunduar studion ata që duan të punojnë në arsim, kanë rikualifikime pedagogjike, pra rikualifikohen për t’u bërë mësues”, sqaron dekani dhe shton se ky është një problem i kahershëm që tashmë rezulton me mungesë kuadri.

Pozita e dobët e edukatorëve është një nga arsyet e situatave të tilla

Pozita e dobët e pedagogëve në shoqëri, si dhe partizimi i arsimit, janë pjesë e arsyeve për situatat e këtilla, të cilat i largojnë të rinjtë nga ky profesion.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur për Arsim dhe Shkencë, Tomislav Gievski, ky është problemi i cili ekziston prej vitesh dhe paralajmëron se arsimi do të përballet me mungesë edhe më të madhe të kuadrit mësimor.

“Në ato vende ku personeli jo adekuat ligjëron lëndë mësimore, fillimisht nëse është një nga lëndët e përafërta, cilësia bie më pak, por nëse ligjërohet nga ndonjë person krejtësisht i papërshtatshëm pa diplomë universitare, ndërsa raste të tilla ka, atëherë sigurisht, cilësia e mësimdhënies reduktohet në mënyrë drastike dhe thënë kushtimisht, ata janë aty vetëm për të plotësuar një vend për të mbajtur rend dhe disiplinë gjatë orëve, por njohuritë që mund t’ua përcjellin nxënësve janë të pakta”, thotë Gievski.

MASH shpreson se situata do të përmirësohet gradualisht

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) nuk ka analizë nëse dhe sa mësues mungojnë dhe në cilat pjesë të vendit.

Por pranojnë se ka deficit prej shumë vitesh. Nuk ka interes të mjaftueshëm tek të rinjtë për të zgjedhur institucionet e arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi në këto fusha dhe për këtë nuk prodhohen mjaft kuadro që duhet të marrë pozitat e kuadrove tashmë të punësuar në shkolla, të cilët, natyrisht, më herët a më vonë do të shkojë në pension dhe dikush duhet ta zëvendësojë, ky është shpjegimi i ministrisë kompetente.

Megjithatë, nëse dhe çfarë do të bëjnë për zgjidhjen e problemeve, përgjigje konkrete nuk ka. Thonë se tashmë bursat më të larta ofrohen për studentët të cilët studiojnë shkencat natyrore, ndaj shpresojnë që gradualisht të sigurohet numri optimal i mësimdhënësve në këto lëndë për të plotësuar nevojat e shkollave.

“Prandaj ne punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë në përmirësimin e përmbajtjes së kurrikulave dhe teksteve, trajnimin e mësuesve për kreativitet më të madh në mësimdhënien e lëndës që do t’i nxisë të rinjtë, do të ndahen shpërblime në para për fitimin e vendeve të larta (nga vendi i parë në të tretë) në konkurse ndërkombëtare në matematikë dhe shkenca natyrore (kimi, fizikë dhe biologji), shpërblime në para medalje të fituara në olimpiada shkencore ndërkombëtare, duke përfshirë matematikën, fizikën, kiminë. Para pak kohësh u hap gjimnazi i specializuar matematikor, ku janë regjistruar nxënës jashtëzakonisht të talentuar nga këto fusha”, shtojnë nga MASH.

Zgjidhja është vlerësim dinjitetshëm i punës së pedagogëve

Derisa shteti pret përmirësimin e gjendjes, shkollat ​​mbesin pa personel mësimor, gjë që ndikon në cilësinë e mësimdhënies dhe arsimit, thotë Gievski nga Sindikata e pavarur e arsimit.

“Zgjidhja është vlerësim dinjitetshëm i punës së pedagogëve, i cili nuk do të jetë më i ulët se mesatarja kombëtare. Siç e kanë zgjidhur problemin shtetet fqinje, ne nuk guxojmë të vihemi në pozitë që punonjësit e arsimit të pranojnë paga më e ulët se mesatarja e vendit”, thotë Gievski dhe shton se përveç kësaj, është edhe partizimi i cili ka qenë një kancer që gjatë 30 viteve të fundit është një reflektim i asaj që tani po ndodh në këtë sektor.

Pakënaqësitë e mësuesve me kushtet në të cilat punojnë kulmuan vitin e kaluar shkollor kur mësuesit ishin tre javë në grevë dhe për këtë mësimi u ndërpre në të gjitha shkollat ​​në të gjithë vendin.

Në fund u arrit marrëveshje me Qeverinë për ngritjen e pagave për 15% nga ky vit shkollor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button