Bullgaria do të pajiset me tetë avionë tjerë luftarak F-16 nga Amerika

Qeveria e përkohshme bullgare do të blejë tetë avionë të tjerë luftarakë amerikanë F-16, me një vlerë totale prej gati 1.3 miliardë dollarësh, që do t’i pranojë në vitin 2027. Me këtë totali i avionëve luftarakë amerikanë F-16, të modelit më të fundit të Bllokut 70/72 do të arrijë në 16, shkruan Euractiv, transmeton Portalb.mk. 

Kornizat e marrëveshjes ishin përcaktuar gjatë mandatit të qeverisë së ish-kryeministrit Kiril Petkov, ndërsa oferta nga SHBA-të iu dërgua Bullgarisë vetëm dy muaj më parë.

Kostoja e këtyre 8 avionëve është e ngjashme me atë të tetë avionëve paraprak, por grupi i dytë i avionëve do të arrijë me armatim dukshëm më të madh, më shumë motorë rezervë dhe avionë me dy vende.

Tetë avionët e dytë mund të paguhen me këste, ndërsa në marrëveshjen e parë, avionët paguheshin paraprakisht.

Dorëzimi i avionëve të parë F-16 ishte menduar të bëhej në vitin 2023, por prodhimi u vonua dy vjet për shkak të pandemisë COVID-19.

Marrëveshja duhet të miratohet përfundimisht në fillim të mandatit të Kuvendit të ri Kombëtar, por duket se të njëjtën e përkrah edhe shumica. Në parlamentin e kaluar, vetëm partia socialiste BSP dhe partia populiste proruse “Vazrazhdane” ishin kundër blerjes së avionëve.

Bullgaria planifikoi të blinte një skuadron të tërë prej 16 avionësh luftarakë F-16, për të formuar aviacionin luftarak të gatshëm, në vitin 2019.

Për momentin, vendi mbështetet vetëm në MiG-29 Sovjetike, nga të cilët jo më shumë se 7-8 avionë mund të përdoren njëkohësisht. Avionët rusë mund të përdoren vetëm deri në mesin e vitit 2023, pas së cilës vendi nuk do të ketë me çfarë të mbrojë hapësirën e tij ajrore deri në vitin 2025.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes Dimitar Stojanov njoftoi në fillim të kësaj jave se ishte në bisedime me Poloninë se si të mirëmbante motorët sovjetikë për avionët. Edhe nëse negociatat janë të suksesshme, vendi do të duhet të gjejë luftëtarë zëvendësues deri në vitin 2025. Bullgaria ka kërkuar tashmë oferta për avion zëvendësues nga SHBA, Franca, Holanda, Suedia dhe Izraeli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button