SASHK apelon që Qeveria dhe BNJVL të gjejnë zgjidhje për zbutjen e krizës energjetike në shkollat e RMV-së

Qeveria dhe Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) duhet së bashku të gjejnë zgjidhje të pranueshme për tejkalimin ose zbutjen e krizës energjetike në shkolla, apelon Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK), njofton Portalb.mk.

“Mësimi në distancë nuk është opsion i pranueshëm për ata që janë më të prekur- nxënësit, prindërit dhe mësuesit”, theksojnë nga SASHK.

Reagimi i SASHK-ut vjen pasi kryetarët e rajonit të Pollogut kërkuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) që të ketë më pushim më të gjatë ose mësim online për nxënësit në mënyrë që shkollat të mos kenë kosto të larta për ngrohjen e klasave dhe hapësirave shkollore.

Ideja për zgjatjen e pushimit përfshirjen e mësimit onlajn vjen nga kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ndërsa për të është diskutuar edhe në seancën e Këshillit për Zhvillimin e Rajonit Planor të Pollogut.

“Duke qenë se faturat e energjisë elektrike janë më të larta se vitin e kaluar, vendosëm si ide që pushimet dimërore të fëmijëve të zgjasin dy muaj – dhjetor dhe janar ose janar dhe shkurt, në mënyrë që fëmijët të kenë më pas pushime më të shkurtra gjatë verës dhe viti shkollor zgjat deri më 30 qershor, kurse viti i ri shkollor më pas të fillojë më 15 gusht. Ose ndoshta tre muajt dhjetor, janar dhe shkurt të jenë online. Jemi pak a shumë të digjitalizuar, kemi përvoja të mira gjatë pandemisë dhe përse tani përsëri të mos mbahet mësimi onlajn, me qëllim të kursimit të energjisë elektrike. Do të kemi nevojë për përkrahje nga Ministria dhe BNJVL, ndërsa na përkrahin edhe kryetarë të tjerë të komunave”, deklaroi Taravari.

Ndërsa sipas Qeverisë, është në interes të nxënësve që të ketë mësim me prani fizike dhe se nuk do të ketë ndryshim në mënyrën e realizimit të saj.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për kërkesën e një pjese të komunave për zgjatjen e pushimeve dimërore të nxënësve për të kursyer energjinë elektrike dhe drutë për ngrohje dhe sa të justifikuara janë kërkesat që një pjesë e shpenzimeve dhe subvencioneve të mbulohen nga qeveria, zëdhënësi i qeverisë Dushko Arsovski tha se në seancën e kaluar të Qeverisë nuk është diskutuar për këtë.

“Në seancën e fundit të Qeverisë nuk është diskutuar për këtë çështje. Qeveria mbetet e përkushtuar për tejkalimin e sfidave të shkaktuara nga kriza energjetike dhe është në komunikim me të gjitha palët e interesuara nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”. tha zëdhënësi Arsovski, duke shtuar se nuk ka ndryshim në mënyrën e zhvillimit të mësimit me prani fizike në shkollat fillore dhe të mesme.

Ndërkaq, nga partia opozitare VMRO-DPMNE, theksojnë se mësimi me prani fizike është forma më e mirë dhe më efektive e procesit arsimor dhe se qeveria duhet të sigurojë para për funksionimin normal të shkollave, për ngrohjen e hapësirave dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme.

“Përndryshe, kostoja e rrymës shkon për familjet. Gjatë mësimit onlajn, prindërit do të paguajnë për kompjuterët e përfshirë, tabletet, ngrohjen e dhomave të fëmijëve”, shtojnë nga partia.

Në këtë drejtim, partia propozon që Qeveria të rrisë bllok-dotacionet për komunat, që shkollat të kalojnë nga energjia elektrike industriale në një tarifë të ngjashme me atë të amvisërive, të caktohen disa pushime shtesë më të shkurtra sipas motit, me zgjatje të detyrueshme të vitit shkollor në qershor.

“Qeveria nuk duhet të bëjë asnjë ndërhyrje në kurrikula (shkurtim). Kudo që është e mundur, procesi arsimor të organizohet në një turn ose shtyjeni fillimin e turnit të dytë më herët. Si një masë anti-krizë për të parandaluar partnerët e koalicionit, të cilët mbajnë pushtetin qendror dhe një pjesë të pushtetit vendor, të minojnë kriptovaluta në shkolla dhe institucione dhe institucione të tjera. Ashtu, kostot do të jenë më të ulëta dhe energjia elektrike do të rialokohet në atë që është realisht e nevojshme”. theksojnë nga VMRO-DPMNE.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se do të zvogëlohet marzha e furnizuesit me energji elektrike nga 50 në 20 për qind.

Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button