Ka një vit që Mali Sharr u shpall Park Kombëtar, por ende nuk dihet a do të ndërtohen hidrocentralet e vogla

A do të heqin dorë, nga ndërtimi i hidrocentraleve të vogla, investitorët të cilët kanë koncesione në zonën e mbrojtur të Parkut të ri Kombëtar “Mali Sharr” dhe sa para do të kërkojnë si dëmshpërblim? Edhe një vit pas shpalljes së parkut, këto pyetje janë ende pa përgjigje, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Vitin e kaluar në korrik, kur u shpall parku i katërt kombëtar në vend, ministri i Mjedisit Jetësor Naser Nuredini njoftoi se janë në negociata me investitorët e shtatë hidrocentraleve të vogla që tashmë hyjnë në territorin e parkut, për të hequr dorë prej tyre. Gjatë vitit të kaluar u njoftua se vetëm njëri prej tyre, investitori i HECV i Leshoçka 100 dhe Leshoçka 101, kishte hequr dorë, ndonëse kishte vendim për t’i dhënë koncesion, ai nuk kishte lidhur kontratë, se procedura ishte ndalur aty, pa kërkesë për dëmshpërblim.

Ndërsa për pjesën tjetër, investitorët e HECV Shkumbin (Pena) 82, HECV Luboten 66, HECV Vratnica 67, MHEC Belovica 107, kanë deklaruar se kërkojnë kompensim për kthimin e mjeteve që i kanë investuar, për zbatimin e kontratave të deritanishme, megjithatë edhe pas kësaj kohe nuk ka asnjë marrëveshje konkrete.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se procedurat për zgjidhjen e marrëveshjeve koncesionare për hidrocentralet e vogla në Parkun Kombëtar “Mali Sharr” po vazhdojnë, por nuk saktësojnë nëse dihet se sa do të zgjasin ato, as nëse ministria ka dërguar informacion Qeverisë.

Nuk ka informacione se sa kanë kërkuar investitorët për të hequr dorë nga koncesionet, as çfarë do të ndodhë nëse ato janë joreale dhe nuk arrihet marrëveshje.

“Procedurat nuk kanë përfunduar dhe nuk mund të japim informata konkrete”, është përgjigja e shkurtër e ministrisë për pyetjet nga Meta.mk.

Shoqatat mjedisore kanë më shumë se dy vjet që kërkojnë po të ndërpriten kontratat për të gjitha hidrocentralet e vogla në zonat e mbrojtura dhe të mos ndahen të reja. Si argument ata e përdorin faktin se këto objekte energjetike kontribuojnë në sistemin kombëtar energjetik me rreth 4.6 për qind të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike dhe subvencionohen në vit me mbi 16 milionë euro. Në anën tjeter, dëmet që ia shkaktojnë biodiversitetit as nuk mund të vlerësohet.

Sipas Gjorgi Mitrevski nga “Eko vetëdija” (Eko svest), vitin e kaluar Konventa e Bernës rekomandoi të anulohen të gjitha hidrocentralet e miratuara dhe të planifikuara në zonat e mbrojtura në vend, si dhe ato jashtë vendit, të cilat mund të ndikojnë mbi zonat e mbrojtura. Një e treta e hidrocentraleve të vogla në vend ndodhen në zona të mbrojtura, zona të cilat e kanë funksionin e mbrojtjes dhe ruajtjes së sistemeve të rëndësishme. Ambientalistët mendojnë se edhe për objektet energjetike që janë jashtë tyre, ka baza për ndërprerjen e koncesioneve.

“Ky rekomandim thotë qartë se duhet t’u hiqen të gjitha koncesionet që janë dhënë, si dhe hidrocentralet e vogla që nuk janë ndërtuar, por edhe për ato që janë ndërtuar. Konventa është ratifikuar nga Kuvendi, e ka fuqinë e ligjit dhe duhet respektuar. Fatkeqësisht, nuk shohim ndonjë aktivitet në nivel institucional që na tregon se po veprohet në bazë të rekomandimit, ndonëse prej atëherë kanë kaluar gati dhjetë muaj”, thotë Mitrevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button