Institucionet e RMV-së, vetëm ndaj EVN-së kanë borxh 35 milionë euro për rrymë të papaguar

Komunat, ndërmarrjet publike dhe ministritë i detyrohen EVN-së me 35 milionë euro për rrymë të papaguar, shkruan SDK transmeton Portalb.mk. Mirëpo, 35 milionë nuk është shuma totale për rrymë të papaguar nga institucionet tona, për shkak se shumë nga këto institucione janë në tregun e lirë dhe kanë marrëveshje me furnizues tjerë, gjë që e bën borxhin për rrymë shumë më të madh se kaq.

Sipas të dhënave që disponon SDK, komunat kanë rreth 17 milionë euro borxh, ndërmarrjet publike rreth 8 milionë dhe ministritë rreth 10 milionë euro.

Sipas Komisionit Rregullativ për Energjetikë, në muajin shkurt ky borxh ishte rreth 23 milionë euro, ndërsa nga korriku e tutje, borxhi nisi të rritet, sepse atëherë u rritën edhe çmimet. Borxhet më së shumti janë të 12 muajve të fundit, por disa janë të tre viteve të kaluara dhe ekspertët thonë se tani me rritjen e çmimit, borxhet do të rriten vetëm në periudhën e ardhshme.

Ndër debitorët më të mëdhenj nga këto institucione janë spitalet, të cilat kanë borxh 7,6 milionë euro, prej të cilave 6,5 milionë nga 12 muajt e fundit, ndërsa borxhi më i madh është nga Qendra Klinike “Nënë Tereza”, të cilës i përkasin pothuajse 90 për qind e faturave të papaguara.

Debitorë të mëdhenj janë edhe “Hekurudhat e Maqedonisë”, me fatura të papaguara deri në 5 milionë euro, prej të cilave 3.2 milionë në 12 muajt e fundit. Ndërmarrja publike e Strugës Proakva ka 1.6 milionë euro borxh, ndërsa burgu i Idrizovës 700 mijë euro.

Disa nga institucionet shtetërore pranojnë se nuk mund t’u bëjnë ballë faturave të larta të energjisë elektrike. Shembull i tillë është ndërmarrja publike e Ohrit “Collector System”, e cila ka borxh 650 mijë euro ndaj EVN-së dhe vetëm llogaria e fundit e kësaj ndërmarrje publike është 145 mijë euro. Prej aty presin që ky borxh të rritet në mënyrë drastike gjatë periudhës së dimrit, por janë një nga institucionet shtetërore që ligjërisht nuk mund të shkyçen nga rryma elektrike.

Për krizën energjetike tashmë prezente edhe në vendin tonë, ekspertë të ndryshëm patën paralajmëruar se e njëjta do ta rëndojë edhe më shumë buxhetin e shtetit tonë.

Qeveria e RMV-së, në planin për ballafaqim me krizën energjetike për muajt e ardhshëm ka ndarë mbi 100 milionë euro për amvisëritë, për ta bërë më të lehtë ballafaqimin me këtë krizë për qytetarët.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button