Vuçiq: Serbia mbështet integritetin territorial të anëtarëve të OKB-së, përfshirë Ukrainën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë më 21 shtator në Nju Jork se Serbia mbështet integritetin territorial të të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë atë të Ukrainës, transmeton REL.

Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuçiq ka thënë se Serbia “ka vepruar me përgjegjësi dhe seriozitet” në këtë aspekt.

“Ne jemi në kërkim të një përgjigjeje të qartë të pyetjes që unë ua kam bërë bashkëbiseduesve, liderëve të shumë shteteve për vite me radhë – cili është dallimi në mes të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, pasi kjo e fundit është përballur me shkelje të rënda, të cilave shumë prej jush u keni dhënë njohje ndërkombëtare dhe legjitimitet. Unë nuk kam marrë kurrë një përgjigje racionale në këtë pyetje nga askush”, ka deklaruar Vuçiq.

Deklarata e tij ka qenë referencë për Kosovën, e cila ka shpallur pavarësinë më 2008.

Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe ia bllokon anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, përmes mbështetjes së Rusisë dhe Kinës.

Vuçiq ka thënë gjatë fjalimit të tij se Serbia “me durim dhe shumë gatishmëri do të vazhdojë të kërkojë kompromis” me Kosovën, në negociatat që ndërmjetëson Bashkimi Evropian në Bruksel.

“Kompromisi është mënyra e vetme për të arritur paqe afatgjatë. Ne tashmë kemi shterur të gjithë mundësitë tjera dhe nuk po mendojmë të kthehemi në rrugën e luftës dhe përgjakjes”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Sipas tij, rajoni i Ballkanit nuk mund të durojë edhe një konflikt tjetër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button