Një ligj në Maqedoninë e Veriut që do ta kthente ushqimin tepricë në shujtë

Mesatarisht brenda vitit, qytetarët e Maqedonisë së Veriut hedhin në mbeturina rreth 83 kilogramë ushqim për person, kanë nxjerrë në pah të dhënat e Indeksit të Mbetjeve Ushqimore të Programit për Mjedisin të Kombeve të Bashkuara.

Në bazë të këtyre të dhënave, Maqedonia e Veriut radhitet në gjysmën e parë të vendeve evropiane që hedhin më së shumti ushqim të mbetur, ndërkohë që një e treta e popullsisë në vend jeton në varfëri.

Në Maqedoninë e Veriut dhurimi i ushqimit të tepërt për ata që kanë nevojë, akoma nuk është rregulluar me ligj.

Zdravko Savevski, aktivist për të drejtat e punëtorëve dhe barazi sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto të dhëna paraqesin indikator serioz për mungesën e përgjegjësisë së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Mesatarisht një qytetar i Maqedonisë së Veriut brenda vitit hedh në plehra ushqim më shumë sesa që është pesha e tij trupore, përkatësisht 83 kilogramë. Këto të dhëna janë shqetësuese për faktin kur dihet se sa është numri i qytetarëve në vend që mezi sigurojnë një shujtë ushqimi në tryezën e tyre”, thotë Savevski.

Ai thekson nevojën e krijimit të mekanizmave frytdhënës që ushqimi që tepron t’u dhurohet atyre personave që kanë nevojë.

Rritet numri i qytetarëve që kërkojnë ndihma nga organizatat joqeveritare

Nga organizata joqeveritare “Banka e Ushqimit”, e cila për 12 vjet ushtron aktivitetin e saj në Maqedoninë e Veriut, thonë se në dy vitet e fundit është rritur për pesë apo gjashtë herë numri i qytetarëve që kërkojnë një shujtë ushqim.

Sipas tyre, nëse më herët kanë pasur 7 thirrje brenda javës nga persona të ndryshëm që kanë kërkuar të bëhen pjesë e listës për të marrë pako me ushqim, tani në këtë organizata ka mbi 30 thirrje të tilla brenda javës.

Dushko Hristov nga kjo organizatë, si shumë problematike e apostrofon mungesën e një ligji që do të rregullonte çështjen e dhurimit të ushqimit, gjë që e vështirëson mbledhjen e ushqimit tepricë nga ahengjet familjare, restorantet, operatorët tregtarë, etj.

“Mbetemi këmbëngulës që të miratohet edhe te ne një ligj i tillë që rregullon çështjen e dhurimit të ushqimit tepricë, ashtu siç është e rregulluar në vendet Evropës kjo çështje, pasi ne si ‘Bankë e Ushqimit’ jemi pjesë e Federatës Evropiane të Bankave të Ushqimit”.

“Pse na duhet kjo? Duhet të definohet qartë se çka paraqet ushqim tepricë, [çka]ushqim me afat të skaduar dhe të shmangen të gjitha keqpërdorimet, si nga prodhuesit, ashtu edhe operatorët tregtarë të produkteve ushqimore”, thotë Hristov për Radion Evropa e Lirë.

Sasi të konsiderueshme ushqimi teprojnë nga ahengjet

Jeton Xheladini, i cili drejton organizatën ‘Agimi i Bamirësisë’ në Tetovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se me shumë probleme arrijnë të shndërrohen në një urë mes restoranteve dhe atyre që kanë nevojë, për të mos përfunduar ushqimi në mbeturina.

“Sfidat padyshim se janë të mëdha. Pasi ushqimi duhet shpërndarë në kohë në vendin e duhur me shpejtësi, akoma pa u ftohur, që të mos vijë puna që restorantet ta dërgojnë te ne dhe ne ta hedhim. Gjatë verës [sezonit të dasmave] kishim më shumë thirrje nga restorantet dhe aktivistët e shoqatës sonë ushqimin e paketuar ua dërgonin familjeve në nevojë. Një shujtë e kemi dërguar edhe në Burgun e Tetovës”, tregon Xheladini.

Nga ana tjetër, Andrea Atanasovska nga kompania për shërbime gastronomike (catering) për Radion Evropa e Lirë thotë se zakonisht hidhet ushqimi i mbetur nga festat familjare apo organizimet që realizojnë institucionet e ndryshme.

“Pasi mungon një ligj që do të definonte qartë çështjen dhurimit të ushqimit tepricë, ne zakonisht ushqimin e mbetur e hedhim në plehra. Nëse këtë ushqim e dërgojmë në ‘Bankën për Ushqim’ që i njëjti t’u shpërndahet njerëzve në nevojë, problemi qëndron në atë se ne nuk kemi njohuri se në çfarë kushtesh ruhet ky ushqim, ndërkohë që e gjithë përgjegjësia bie mbi kurrizin e kompanisë sonë, prandaj nuk mund të rrezikojmë”, thotë Atanasovska.

Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, më shumë se 450 mijë qytetarë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2020, me fillimin e pandemisë, jetonin nën pragun e varfërisë.

Organizatat joqeveritare theksojnë se kriza energjetike që ka imponuar rritjen e çmimit të shumë produkteve ushqimore, do ta bëjë edhe më të vështirë këtë dimër jo vetëm për familjet me status të rrezikuar social, që nuk kanë të ardhura të sigurta, por edhe ata me pagë minimale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button