Mariçiqi mendon që Maqedonia e Veriut ka pozicion të mirë fillestar që negociatat të zgjasin më pak se ato të Serbisë dhe Malit të Zi

Zëvendëskryeministri, përgjegjës për çështje evropiane Bojan Mariçiq, vlerëson që Maqedonia e Veriut do të kalojë procesin eurointegrues më shpejtë sesa Serbia dhe Mali i Zi, duke vlerësuar që vendi ka një pozicion të mirë fillestar, transmeton Portalb.mk.

“Na është pranuar ajo që e kemi dëgjuar në vitin 2018 dhe 2019, kurse tani vazhdojmë në një version të shkurtuar të shqyrtimit shpjegues dhe menjëherë fillojmë me takimin bilateral nga nëntori dhe ky është një lloj përshpejtimi”, tha Mariçiq.

Ai mori pjesë në TV24 në emisionin “Studio 10”, ku theksoi që vendi ka pak pika të vështira referimi kur të përfundojë procesi i skriningut.

“Negociatat filluan zyrtarisht më 19 korrik, shqyrtimi (skriningu) është fazë e detyrueshme e negociatave, nuk është diçka e re, e menduar vetëm për ne, por ka ekzistuar edhe për Serbinë edhe për Malin e Zi, edhe për Kroacinë dhe për të gjitha vendet e tjera. Nuk filluam nga zeroja”, deklaroi Mariçiq.

Zëvendëskryeministri shpjegoi se pjesa më serioze do të fillojë nga nëntori, e ky është skriningu bilateral.

“Presim që gjatë këtyre 14 muajve, gjatë skriningut, të nxjerrim në pah të gjitha vlerat tona, të arriturat dhe sukseset tona, por edhe të gjitha dobësitë tona dhe në çfarë afati kohor duhet t’i tejkalojmë ato”, tha Mariçiq, duke shtuar se pas skriningut BE-ja bën raporte në lidhje me atë që e kemi paraqitur dhe në bazë të asaj që ata na kanë paraqitur dhe mbi ato raporte krijohen masa, pika të referimit për çdo kapitull, për çdo klaster – të cilat ne duhet t’i përmbushim për t’u bërë anëtarë BE-së.

Ndryshimet kushtetuese, përfshirja e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut do të miratohen me ndihmën e deputetëve të VRMO-së, shprehet optimist Mariçiq.

“Unë publikisht i bëj thirrje Aleksandar Nikollovskit, si kryetar i Këshillit Nacional për Integrime Evropiane, organ i rëndësishëm në të gjithë procesin, të ulemi dhe të diskutojmë se si ky organ, e nëpërmjet tij edhe opozita do të luajë rol në këtë proces. Me faktin se gjatë skriningut duhet të përcaktojmë qëndrime negociuese, kjo do të thotë se duhet të angazhohemi se sa kohë mund të pranojmë dhe t’i përmbushim disa gjëra, rol në këtë ka edhe Parlamenti, prandaj është e rëndësishme që të përfshihet edhe opozita”, theksoi Mariçiç.

Kryenegociatori Mariçiq sqaroi më tej se çështjet bilaterale ne do të duhet t’i zgjidhim në mënyrë bilaterale dhe për këtë arsye ekziston komisioni i historianëve, ka forma të tjera të bashkëpunimit dhe ato çështje që janë në Protokoll, Maqedonia e Veriut do t’i zgjidhë në mënyrë bilaterale me Bullgarinë.

“Në Kornizën e negociatave thuhet qartë se kriteri i përgjithshëm për anëtarësim apo progres janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Këtu është vendosur edhe marrëveshja me Greqinë edhe marrëveshja me Bullgarinë. Është vlerësim i njëfarë progresi të përgjithshëm që duhet të arrijmë me Greqinë dhe Bullgarinë. Natyrisht, progresi varet nga të dyja palët dhe ajo që është më e rëndësishme për ne, ajo në të cilën ne insistojmë tani, është respekti reciprok dhe reciprociteti kudo që është e mundur dhe e nevojshme”, shtoi Mariçiq.

I pyetur se si e komenton sondazhin e fundit të bërë nga Fondacioni “Konrad Adenauer” si pjesë e botimit “30 vjet politikë e jashtme dhe mbrojtje”, sipas të cilit 57,1% e qytetarëve janë kundër “Propozimit francez”, Mariçiq thotë se është rezultat i bllokadës që zgjati dy vjet e gjysmë nga Bullgaria dhe atmosfera të cilën e krijoi retorika politike në të dy vendet.

“Atë që e shoh si shans është se faza më e keqe është prapa nesh dhe mendoj se pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, pra pas pranimit të “propozimit francez”, gjërat do të marrin një rrjedhë të re. Kjo do të thotë se do të fillojmë negociatat, tani do të nënshkruajmë FRONTEX-in, për të hyrë në një fazë të marrëdhënieve bilaterale që duhet ta ndryshojnë atë atmosferë”, theksoi Mariçiq, duke shtuar se sa herë që merren vendime të tilla të vështira dhe pranohen vendime të tilla të vështira, ato në fillim nuk kanë mbështetje të gjerë publike, por me kalimin e kohës ato fitojnë në peshë.

Negociatori kryesor me BE-në, Mariçiq, mendon se duhet të rinovohet konsensusi për anëtarësimin tonë në BE dhe se nuk do të ishte e drejtë që qytetarët të bllokojnë, as shtetin sepse gjithsesi kemi pritur mjaftueshëm, mjaft kemi qenë të bllokuar dhe kemi pasur pengesa deri tani.

“Ne luftuam si qeveri për të arritur dy qëllime të rëndësishme. Njëri është të realizojmë objektivin tonë të jashtëm politik të anëtarësimit në BE, që të mos mbetet vetëm në letër dhe vetëm në teori. I dyti është të mbrojmë identitetin tonë si maqedonas që flasin gjuhën maqedonase. Mendoj se është e mundur. Se mund të hyjmë në BE brenda një kohe të caktuar si maqedonas, të cilët e flasin gjuhën maqedonase. Nëse e kuptojmë këtë dhe punojmë për këtë kauzë, si parti politike dhe si individë dhe si media dhe se aktorë shoqërorë, mund t’i arrijmë të gjitha këto. Kjo është detyrë e gjithë shoqërisë”, tha Mariçiq në “Studio10”.

Mariçiq bëri të ditur se gjatë dy ditët në vijim do të mbahen takimet për skriningu për kapitullin 24 – Drejtësia, liria dhe siguria, ndërsa javën e ardhshme do të vazhdojnë me kapitullin shumë të rëndësishëm 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button