Edhe drejtori i “Parqeve” dha dorëheqje, kane mbetur vetëm drejtorët e NTP-së dhe “Higjienës Komunale”

Edhe drejtori i NP “Parqe dhe gjelbërim” – Shkup, Angele Sotirovski sot ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij për shkak se nuk është i kënaqur me bashkëpunimin me kryetaren Danela Arsovska. Sotirovski është anëtar i Partisë Socialiste, e cila është në koalicion me VMRO-DPMNE, njofton SDK, transmeton Portalb.mk.

Nga partia thonë se nuk do ta mbështesin Arsovskën sepse “është i papranueshëm qëndrimi i saj i paarsyeshëm dhe hakmarrës ndaj kuadrove të propozuara nga partitë politike që qëndruan pas kandidaturës dhe promovimit të saj dhe që me vetëmohim morën pjesë në fushatën zgjedhore”.

“Prandaj drejtori Sotirovski ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e tij. Në periudhën e kaluar vetëm ekspertiza e tij, integriteti i lartë moral dhe përkushtimi në realizimin e aktiviteteve të planifikuara programore e mundësuan stabilizimin dhe zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje publike”, thonë nga partia.

Sotirovski dha dorëheqje pasi të gjithë drejtorët, e emëruar nga Arsovska, të cilët janë anëtarë të VMRO-DPMNE-së, e bënë këtë. Në detyrë kanë mbetur vetëm drejtori i NTP “Shkup” Aleksandar Stojkovski dhe drejtoresha e “Higjienës Komunale” Kosana Mazneva.

Stojkovski dhe Mazneva, për SDK, thonë se nuk planifikojnë të japin dorëheqje sepse janë të kënaqur me bashkëpunimin dhe menaxhimin e qytetit nga kryetarja Arsovska.

“Unë jam luftëtar, jam një kohë të gjatë në këtë kompani dhe nuk shoh arsye që të jap dorëheqje. Kjo do t’i linte punonjësit të bllokuar dhe në gjendje pasigurie. Jam i kënaqur me bashkëpunimin me Arsovskën”, thotë Stojkovski.

Mazneva u emërua drejtore e Higjienës Komunale në korrik pasi Arsovska e shkarkoi Zudi Enuzin e Aleancës për Shqiptarët, vëllai i të cilit qëlloi në ajër gjatë një proteste kundër propozimit francez, kurse lideri i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski e akuzoi se ka dashur ta qëllonte atë (Mickoskin). Thotë se është e kënaqur nga bashkëpunimi me kryetaren Arsovska dhe jo vetëm që nuk planifikon të japë dorëheqje, por është e befasuar edhe me dorëheqjet e drejtorëve të tjerë.

“Vërtet nuk e di përse dikush duhet të jep vet dorëheqje nëse me përkushtim, ndërgjegje dhe me transparencë i ka kryer obligimet si drejtor i ndërmarrjes publikë”, thotë Mazneva.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button