Psikoterapistja Ziberi-Imeri: Komunat e Pollogut të marrin masa për krijimin e shërbimeve të specializuara për gratë viktima të dhunës (VIDEO)

Gratë viktima të dhunës në familje dhe me bazë gjinore në rajonin e Pollogut nuk kanë strehimore për t’u strehuar. Ky rajon është i vetmi në Maqedoninë e Veriut nga tetë rajonet planore i cili nuk ka strehimore të tillë. Mungojnë edhe shërbimet e tjera të specializuara. Institucionet, si ato qendrore por edhe ato lokale deri më tani nuk kanë bërë mjaftueshëm në këtë drejtim. Për tu njohur më tepër me problemin në fjalë, Portalb.mk realizoi intervistë me psikoterapisten Nebahate Ziberi- Imeri, nga këshillimorja Qendra e Grave për Mbështetje e hapur nga Rrjeti Nacional kundër dhunës në familje në bashkëpunim me Qendrën “Cortex” në Tetovë, ku gratë viktima të dhunës në familje marrin shërbime falas.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

Si psikoterapiste e cila merret me viktimat e dhunës në familje, si e shihni mungesën e strehimores për gratë viktima të dhunës në familje dhe ma bazë gjinore në rajonin e Pollogut?

“Kjo është teme shumë e nevojshme por pak e diskutuar. Nevoja është e pakontestueshme për arsye se Pollogu është rajoni i vetëm te i cili mungojnë shumë shërbime të specializuara e veçmas strehimorja e cila është një nevojë e paevitueshme e kohës. Pasi vetëm në këshillimoren tonë kemi një numër të lartë të grave dhe fëmijëve që marrin shërbime të specializuara dhe fatkeqësisht nevoja për t’i strehuar në rast se u rrezikohet jeta e tyre nga dhunuesi është e detyrueshme që ne t’i transferojmë ato në një qytet të Maqedonisë Lindore në Shkup apo ndonjë vend tjetër ku ka vend të lirë.

Për të pasur një strehimore duhet të llogaritet në bazë të numrit të përgjithshëm të banorëve, domethënë rajoni i Pollogut numëron gati 300 mijë banorë edhe e meriton një strehimore, të ketë minimumi së paku katër këshillimore edhe një qendër krize.  Fatkeqësisht asnjërën prej këtyre nuk e ka, përveç këshillimores tonë edhe këshillimorja që është në ombrellën e punës dhe politikës sociale.”

Sa ka nevojë ky rajon për një strehimore të tillë?

“Nevoja është e papërshkrueshme, ky rajon ka nevojë emergjente për të pasur një strehimore ku gratë të cilat përjetojnë dhunë edhe jeta e tyre është në rrezik të strehohen, për tu strehuar gratë në një rajon tjetër neve na merr shumë kohë dhe shumë mund deri sa t’i krijojmë kontaktet me profesionistët apo autoritetet të cilat e organizojnë apo udhëheqin strehimore në Strumicë, Shkup apo në Prilep. E kemi problem se në qoftë se nuk ka vend të lirë ne patjetër duhet ta strehojmë atë diku. Nëse rajoni i Pollogut edhe institucionet përkatëse, sidomos kryetarët e komunave të gjithë rajonit të Pollogut të shfaqnin pa interesim për këtë dukuri, rajoni i Pollogut nuk do ishte lënë në mjerim. Gratë viktima të dhunës në familje përkrahjen institucionale nuk e kanë atë që u nevojitet.”

Sa është interesimi i autoriteteve, konkretisht komunat të punojnë në këtë drejtim deri tani?

“Mos të them fare, do të them minimal.”

Nebahate Ziberi-Imeri, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Nebahate Ziberi-Imeri, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Së fundmi ju keni bërë edhe një analizë për gjendjen faktike në terren në rajonin e Pollogut, cilat janë rezultatet e kësaj analize?

“Fatkeqësisht të dhënat janë të mjerueshme, pasi në rajonin e Pollogut vetëm në Tetovë ekziston qendër këshilluese e cila është këtu, e cila është e përkrahur nga Rrjeti nacional kundër dhunës në familje dhe rrjeti nacional kundër dhunës në familje në bashkëpunim me Cortex kanë gjetur një partneritet për të vazhduar përmes projekteve. Këshillimorja tjetër është në kuadër të Punës dhe Politikës Sociale.

Fatkeqësisht ka edhe Komuna të tjera të mëdha si Gostivari që nuk kanë strehimore, por edhe komunat tjera. Këtu nuk ka SOS linjë, nuk ka ndihmë juridike falas, nuk ekziston shërbim për gratë viktima. Domethënë, vetëm ekziston kjo këshillimore e cila i plotëson standardet minimale evropiane për tu quajtur këshillimore.

Ne kemi bashkëpunim të mrekullueshëm me Qendrën për Punë dhe Politikë Sociale, ata i udhëzojnë gratë viktima të vijnë këtu të marrin shërbime të specializuara, pasi nuk mund secili të punojë me ata. Për të ardhur në këtë pikë, duhet të kesh  kaluar së paku 100 orë trajnim të specializuar për punë me këtë dukuri të ndjeshme.”

Sa janë të nevojshme qendrat e tilla si Cortex, pasi këta janë të mbështetura përmes donatorëve, sa është efekti i tyre?

“Kur e dimë se është vetëm projekt e dimë se kohëzgjatja është me një afat të caktuar edhe fatkeqësisht nëse ne nuk gjejmë pas janarit të vitit 2023 donatorë të cilët do shfaqin interes për të vazhduar qëndrueshmërinë e kësaj qendre. Këto gra të cilat i marrin shërbimet e specializuara nuk do mund të vazhdojnë ti marrin të njëjtat për arsye se institucionet përkatëse, siç janë komunat e rajonit të Pollogut nuk kanë shfaqur interesim që në planin e tyre social të ndajnë buxhet për këtë kategori, as në planet e tyre sociale nuk i kanë të  theksuara si kategori  speciale përveç Komunës së Gostivarit dhe Tetovës, tjerat nuk kanë as plan social.”

Çfarë thonë të dhënat tjera, sa janë numrat e rasteve të dhunës në familje në këtë rajon?

“Prej vitit 2020 në 2021 ka pasur të regjistruar 105 raste prej të cilave 80 gra kanë qenë viktima ndërsa 85 burra kanë qenë kryerës të veprave. Këto gra, 90% kanë qenë të dhunuara nga partnerët e tyre apo ish-partnerët e tyre. Ky fakt na tregon neve se sa kemi rritje pas pandemisë të numrit të grave viktima të dhunës.

Në vitin 2020 në SPB Tetovë janë regjistruar 96 vepra penale nga fusha e dhunës në familje nga të cilat 74 janë në Komunën e Gostivarit. 91 kryerës nga gjinia mashkullore. Kjo përsëri na jep një argument të fortë këtu të vendoset dhe të ekzistojë një strehimore për gratë viktima të dhunës dhe fëmijët e tyre.

Këtu në Tetovë sipas gjetjeve tona ekziston edhe një qendër referuese e dhunës seksuale e cila ekziston brenda repartit gjinekologjik në Spitalin e Tetovës, sa kjo funksionon sa e vazhdon punën e saj është një pikëpyetje e madhe për të parë si funksionon.”

Cilat janë rastet më të shpeshta të dhunës të shfaqura te viktimat të cilat paraqiten për ndihmë te ju dhe në çfarë grup-moshe fillojnë viktimat që vijnë te ju?

Ne kemi lloje të ndryshme të paraqitjes së dhunës, kemi rast nga më të ndryshmet. Më e shpeshtë është paraqitja kur grave u rrezikohet shëndeti fizik kur përjetojnë dhunë fizike, shumë rrallë arrijnë ta paraqesin dhunën psikologjike ndoshta ndonjëherë  edhe nuk e detektojnë, por e përjetojnë.

Ne kemi shfrytëzuese të shërbimeve të cilat kanë përjetuar lloje të ndryshme të dhunës, duke filluar nga abuzimet seksuale, ngacmimet seksuale, dhuna fizike, dhuna psikologjike, dhuna ekonomike, rastet janë nga më të ndryshmet. Kemi edhe raste të komplikuara të cilat na është dashur shumë kohë t’i trajtojmë kur e dimë se te ne mentaliteti patriarkal vazhdon të jetë i qasshëm. E kemi shumë më problem që deri në fund ti kthejmë te familjarët apo të gjejmë përkrahjen e merituar që ata gra të mund ta vazhdojnë jetën dhe të arrijnë në rintegrim dhe të vazhdojnë jetën pa dhunë. Çdo individ që lind i meriton të gjitha të drejtat njerëzore, çdo grua është e barabartë dhe meriton një jetë pa dhunë.

Në çfarë grup-moshe fillojnë viktimat që vijnë te ju?

Ne kemi edhe raste të mitur të cilëve u është shkaktuar dhunë e ndryshme dhe që shfrytëzojnë shërbimet tona. Domethënë te ne në RMV apo në Tetovë dhuna ekziston nga mosha e mitur, në pubertet e lartë.

Nebahate Ziberi-Imeri, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Nebahate Ziberi-Imeri, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Si veproni me fëmijët të cilët janë viktima, çfarë shenjash shfaqin dhe sa është e vështirë të punohet me to?

Fillimisht është një dhimbje shumë e madhe për atë që u ka ndodhur. Ne për të gjitha klientët e kona e japim maksimumin por kur kemi raste të fëmijëve, angazhojmë ekspert psikolog për ta ndihmuar që sa më shpejtë ta tejkalojë procesin e traumës për të ringritur vetëdijen që të mund të jetojë pa frikë dhe të krijojë besim te tjerët, pasi ata e kanë të vështirë të krijojnë raporte të sigurta edhe ankthi është një element përcjellës i jetës së tyre. Kemi pasur raste dhe vazhdojmë të punojmë, progresojmë, pas 7 muajsh punë intensive kur shohim fytyrën e fëmijëve që fillon të buzëqesh, pasi në fillim janë të ngrirë emocionalisht dhe duket si robotë. Kur e vërejmë se shfaqin shenja emocionale dhe dëshire për kontakt me të tjetrin, është shenja jeshile që na jep neve se po jemi duke e kthyer në normalitet.

Sa janë pasojat nga dhuna të njëjta të fëmijëve krahasuar me gratë?

Secili individ e përjeton në mënyrë të ndryshme. Gjatë përjetimit të traumës, vetë sistemi nervor ka tre mënyra të mbrojtjes apo reagimeve: ikje, luftë apo ngrirje. Kjo nuk u ndodh vetë njerëzve por edhe kafshëve. Dikush ikën dhe fshihet pas asaj dhe nuk e pranon realitetin. Fëmijët më shumë reagojnë me ngrirje apo me agresivitet alarmues që tregon një alarm ndaj prindërve sepse diçka e trishtë po i ndodh. Ose fillon të përdor fjalor vulgar që më përpare nuk e ka bërë, fillon të ndryshojë sjelljen, të paraqesë urinim natën, të vizatojë organe gjenitale që është një shenjë plus që fëmija ka përjetuar diçka të hatashme dhe të tjerët nuk janë të interesuar. Ai me ata shenja, ata gjeste po ju jep alarmin prindërve sa ka  nevojë për to. Fillon të bëjë pyetje për vdekjen shpesh, të flasë për njerëzit sikur janë të gjithë të këqij, fillon ti akuzojë për diçka të brendshme që e tangon dhe nuk din si të ua sqarojë. Fëmija nuk din se si të tregojë se dikush më ka bërë këtë këtë këtë. Prindërit janë ata që duhet të hetojnë ndryshimet në sjelljet, mendimet, emocionet dhe fjalorin e tyre.

Po pasojat me të cilat ballafaqohen gratë nga dhuna, çfarë janë efektet?

Pasojat janë nga më të ndryshmet, duke kaluar në ankth, depresion, çrregullim të personalitetit. Shpesh herë me tentativa për vetëvrasje, disa herë përfundojnë edhe në psikiatri për shkak të përjetimit të psikozës kufitare apo edhe deri në skizofreni.

Cili është mesazhi/apeli juaj deri te autoritetet  dhe çfarë ato duhet të bëjnë në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve?

Te autoritetet disa herë apo mos të them dhjetëra herë përmes mediumeve kam përcjellë mesazhin por sërish do e përsëris të njëjtin. Nevoja për të ndarë buxhet financiar që qëndrueshmëria e kësaj këshillimore të jetë afatgjatë dhe që të mund shërbimet tona  që janë falas t’i  shfrytëzojnë këto gra. Ato duhet  me patjetër të ndajnë buxhet pasi me  ndryshimin e ligjit të ri u takon edhe komunave që të ndajnë buxhet për këtë kategori të ndjeshme sociale. Andaj, i lus të gjithë nëse e dëgjojnë rastësisht, të gjithë kryetarët e komunave të Pollogut, edhe pse ne ishim në mbledhje, e dinë, ne ua kemi shprehur këtë kërkesë, është momenti më i duhur i mundshëm që ato të vetëdijesohen dhe sensibilizohen pasi kjo dukuri nuk është vetëm në imagjinatën tonë, këto gra ekzistojnë, këto gra vijnë këtu dhe marrin shërbime dhe këto gra kanë të drejtë si të gjithë gratë të jetojnë jetën e tyre të lumtur dhe pa dhunë. I lus autoritetet të marrin masa që të mund në rajonin e Pollogut të kemi shërbime të specializuara ashtu siç kanë të gjithë rajonet tjera në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button