Karakash: Për shkak të sistemit arsimor kemi gjithnjë e më pak lexues të mirë

Letërsia është një oazë e cila duhet ta ruajë artin nga politika. Sigurisht që e bëj dallimin e angazhimit politik të shkrimtarëve dhe të çdo krijuesi, por le të mos lejojmë që letërsia të shndërrohet në fushë të lirisë politike. Disi nuk jam i bindur se ekziston liria e përgjithshme, për të duhet të luftojmë tmerrësisht çdo ditë, por puna e shkrimtarit është ta bëjë këtë me libra të mirë, vuri në dukje shkrimtari dhe botuesi Vlladisllav Bajac në tryezën e rrumbullakët në temë “Letërsia/shoqëria/kritika (letërsia dhe rileximi kritik i proceseve shoqërore)” që, në kuadër të edicionit të 10-të të festivalit “Pro-Za Ballkan”, u mbajt në Shtëpinë e Evropës në Shkup, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Manifestimin e hapi themeluesi i festivalit, Dejan Trajkoski, i cili paralajmëroi temë të madhe dhe të gjerë, e cila mund të shqyrtohet nga shumë aspekte, e një prej tyre është liria. Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë të gjithë të ftuarit e festivalit – shkrimtarë, agjentë letrarë, si dhe redaktorë të cilët janë pjesë e programit “Skopje Fellowship”.

Shkrimtari kroat Damir Karakash tha se çdo shkrimtar duhet të thotë se për çfarë janë librat e tij, kështu që ai do të thoshte se ata kanë të bëjnë me lirinë dhe drejtësinë.

“Mendoj se e kemi nënvlerësuar rolin e lexuesve, i cili është shumë i rëndësishëm sepse ashtu siç ka shkrimtarë të mirë dhe të këqij, ka edhe lexues të mirë dhe të këqij. Lexuesi i mirë mund një novelë mediokër ta kthejë në një roman të shkëlqyeshëm, ndërsa lexuesi i keq mund ta shkatërrojë atë. Arsyeja që kemi gjithnjë e më pak lexues të mirë është për shkak të sistemit arsimor, si dhe shkaku i shfaqjes së mediave të reja. Rolin që dikur e kishte bibla tani e kanë iPhonët. Gjithçka është bërë e ngadaltë, e ngathtë për njerëzit, kurse përparësia e letërsisë është pikërisht në ngadalësinë e saj”, theksoi ai.

Katja Kac, botuese e librave për fëmijë nga Sllovenia, iu ndërlidh qëndrimit ndaj lexuesit dhe ndërtimin e qëndrimit të lexuesve ndaj librit dhe tha se letërsia sot duhet të konkurrojë me mediat e tjera që janë më të rëndësishme dhe më të aksesueshme për fëmijët.

“Në një analizë nga PISA për shprehitë e leximit, nxënësit sllovenë ishin nën mesatare. Ne zbuluam se kjo analizë vlen jo vetëm për leximin funksional, por edhe për leximin analitik dhe se fëmijët nuk janë të motivuar për të lexuar tekste më të mëdha dhe t’i vendosin ata në kontekst më të gjerë. Me promovimin e letërsisë së mirë të shoqëruar me aktivitete të caktuara shtesë, mund të ndërtohen lexues dhe jo t’i humbasim më shumë sesa po i humbasim tani”, tha Kac.

Lidhur me llojin e letërsisë që gjiganti francez “Gallimar” e ofron për lexuesit e tij, Oror Tuja theksoi se pas 91 vitesh gjuha maqedonase hyri për herë të parë në listën e “Gallimar” dhe është e lumtur që e ka arritur këtë me botimin e librit “Burri im” nga Rumena Buzharovska.

“Pavarësisht se nga është dhe në çfarë gjuhe është shkruar, libri duhet të jetë origjinal. Një pjesë e punës së redaktorëve është të hapin portën për diçka ndryshe nga ajo që e dinë dhe të mësojnë rreth realiteteve të mundshme në vende të tjera dhe më gjerë. Megjithatë ky nuk është qëllimi i letërsisë, por i artit. Nuk ka recetë, ndërsa ne kërkojmë universalitet, pa marrë parasysh se nga vini. Ne thjesht kërkojmë art dhe e di që nuk është e drejtë sepse kemi hapësirë ​​të kufizuar për publikime”, tha Tuja.

E pyetur se çfarë kërkojnë botuesit e huaj nga një autore që vjen nga Turqia, Pelin Jillmaz nga shtëpia botuese “Epsilon”, tha se e ka më të lehtë të punojë me vendet arabe për shkak të marrëdhënieve më të ngushta, ndërsa theksoi se edhe në vendet evropiane duan ta blejnë edhe kulturën, ilustrimet e librit, jo vetëm tekstin.

Shkrimtarja bullgare Elena Aleksieva tha se përveç se kah lexuesit një sy duhet të hidhet edhe kah shkrimtarët.

“Nga njëra anë letërsia është shtyrë në margjina, e nga ana tjetër kjo mund të jetë ashtu mbase sepse është e parëndësishme, përkatësisht nuk thotë asgjë relevante për botën dhe shoqërinë që na rrethon. Shkrimtari, në një masë të madhe, është shndërruar në njeri i cili dëshiron të tërhiqet anësh, në klasën e tij të mesme ai dëshiron të ketë privilegjin të bëjë atë që dëshiron pa e bezdisur askush atë dhe në fund si rezultat kemi njerëz që shumë shpesh shkruajnë për shkrimtarë të tjerë. Ka sasi jashtëzakonisht të madhe veprash letrare që kanë të bëjnë me krijuesit e tyre, me letërsinë, me lloje të ndryshme të krizave të shkrimtarit. Duam letërsi të mirë, duam letërsi cilësore, por të mbushësh letërsi cilësore me kuptim dhe të krijosh letërsi cilësore është diçka shumë më e vështirë”, tha Aleksieva.

Në ditën e dytë të festivalit, në kafenenë “Bukva” (Shkronja) u zhvillua një bisedë mes Aleksandar Prokopiev dhe regjisorin Rajko Grliq, e më pas vazhdoi me performancën muzikore të Pijan Slavej dhe promovimin e librit të tij të tretë me poezi “Poligrafi”, botuar nga “Prozart Media”. Pijan Slavej së bashku me Goce Jovanovskin e bënë të veçantë mbrëmjen.

Regjisori kroat Grliq iu referua periudhës së xhirimit të filmit “Karaula” (Karakolli) (2004), bashkë-prodhues i të cilit ishte edhe Maqedonia. Ishte filmi i parë që ish-vendet anëtare të Jugosllavisë e realizuan pas shpërbërjes së saj.

“Kur shkruani një skenar, ai ka rregullat e veta dhe gjithçka që shikon në ekran duhet të shkruhet në tekst. Me letërsinë nuk është kështu. Gjithë jetën kam shkruar skenarë dhe nuk e konsideroj veten shkrimtar. “Tregimet e parrëfyera” është më shumë një libër me shënime për mua. Por, as zhanri nuk ka rëndësi. Është një kategori që amerikanët e shpikën për të kategorizuar filmat e tyre në kinema. Unë pata fatin të kem lirinë për të zgjedhur se çfarë do të bëja me çdo film të ardhshëm. Kam mësuar nga mjeshtrit e filmit – Dushan Makavejev, Aleksandar Petroviq, Zhika Pavlloviq. Në kohën kur disa filma filluan të ndaloheshin, ndodhi tragjedia e një kulture. Të bësh film nuk është një punë e lehtë. Në kohën tonë, festivalet ishin një lloj kushti që ne t’ia dalim t’i bindnim, në vendin tonë, që filmi ynë duhet të shfaqet në kinema. Sot kam ndjenjën se autorët nuk kujdesen për publikun, por vetëm për festivalet”, tha Grliq.

Organizator i festivalit është “Prozart Media”. Mbështetësit e “PRO-ZA Balkan” janë: Ministria e Kulturës, “Traduki”, Qendra Kulturore Turke “Junus Emre”, Qyteti i Shkupit, Qendra Kulturore dhe Informative e Bullgarisë në Shkup, Ambasada e Sllovenisë, Instituti Francez në Shkup, Kinoteka, Galeria Kombëtare, SPONA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button