Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale: Personi i parë për kontakt gjatë realizimit të të drejtave tona sipas ligjit

Qytetarët kanë të drejtë t’i drejtohen personit i cili i përpunon të dhënat e tyre personale në raste të keqpërdorimit të tyre, përdorimit të pavetëdijshëm ose përdorimit pa pëlqim në situata më të ndryshme. Për këto raste, si dhe për prezantimin, ndjekjen dhe përditësimin e mekanizmave të brendshme për mbrojtje të të dhënave personale te personat juridikë – përpunues të të dhënave personale, Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale parasheh caktim të personit të autorizuar për mbrojtjen e të dhënave personale.

Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale caktohet detyrimisht në katër raste: kur përpunimi bëhet nga organi i pushtetit shtetëror, kur aktivitetet themelore të personit i cili përpunon të dhëna personale përbëhen nga operacione për përpunim të cilat për shkak të natyrës, vëllimit dhe/ose qëllimeve të tyre kërkojnë në masë të madhe ndjekje të rregullt dhe sistematike të subjekteve të të dhënave personale dhe kur aktivitetet themelore të personit i cili përpunon të dhëna personale përbëhen nga përpunimi i vëllimshëm i kategorive të veçanta të të dhënave personale ose të dhënave personale lidhur me dënime dhe vepra ndëshkimore.

Të marrim si shembull një supermarket tipik që ka instaluar sistem të video vëzhgimit. Duke pasur parasysh se supermarketi ka të punësuar dhe i përpunon të dhënat e tyre personale për të përmbushur detyrimet, siç është pagesa e rrogave (më shumë për mbrojtjen e të dhënave personale në marrëdhëniet e punës këtu), kryen përpunimin e të dhënave personale të blerësve përmes sistemit të video vëzhgimit (më shumë për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë kryerjes së video vëzhgimit këtu), është i detyruar të caktojë një zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale.

Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale caktohet në bazë të kualifikimeve të tyre profesionale, veçanërisht në bazë të njohurive profesionale për legjislacionin dhe praktikat në sferën e mbrojtjes së të dhënave personale. Ai mund të jetë i punësuar te personi i cili përpunon të dhëna personale ose t’i kryejë punët në bazë të marrëveshjes për shërbime. Duke pasur parasysh atë se zyrtari nuk duhet doemos të jetë i punësuar te personi i cili përpunon të dhëna personale, që do të thotë se zyrtari do t’i kryejë detyrat e tij vetëm për atë person, grup të personave juridikë që përpunojnë të dhëna personale mund të caktojnë bashkërisht një zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale. Për shembull, supermarketi i lartpërmendur mund të caktojë person i cili është i punësuar në atë market si zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale ose më shumë markete mund të caktojnë bashkërisht një person të jashtëm me kualifikime përkatëse si zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale. Personi i cili përpunon të dhëna personale ose grupi i personave që kanë caktuar zyrtar të përbashkët janë të detyruar që t’i publikojnë bashkërisht të dhënat për kontakt të zyrtarit dhe ta njoftojnë Agjencinë për Mbrojtje të të Dhënave Personale për caktimin e tij.

Në lidhje me punën që e kryen, përkatësisht detyrimet që i ka zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale, ato mund të ndahen në dy grupe: të brendshme dhe të jashtme. Detyrimet e brendshme të zyrtarit kanë të bëjnë me informimin dhe këshillimin e personit i cili i përpunon të dhënat personale (supermarketi ose grupi i supermarketeve, në shembullin tonë) në lidhje me detyrimet e tyre sipas Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Ai gjithashtu e monitoron harmonizimin e politikës së mbrojtjes së të dhënave personale dhe akteve përkatëse që i miraton personi i cili i përpunon të dhënat personale me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ligjet tjera përkatëse. Ai kryen analiza të akteve, si dhe trajnime të të punësuarve në lidhje me këto akte dhe Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Detyrimet e jashtme të zyrtarit kanë të bëjnë me komunikimin e tij me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe me publikun e gjerë, përkatësisht me qytetarët që i realizojnë të drejtat e tyre për mbrojtjen e të dhënave personale. Gjatë punës së tij zyrtari është i detyruar të veprojë në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime apo presione të jashtme nga të punësuarit apo eprorët tjerë.

Në shembullin tonë, zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale është i detyruar të kryejë analizë të mënyrës së mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave personale që i kryen supermarketi për të punësuarit e tij me qëllim të pagesës së rrogave dhe ta informojë supermarketin (personi që i përpunon të dhënat personale) për çdo gjë të paligjshme ose për çfarëdo lëshimi. Ai duhet t’i informojë dhe trajnojë të punësuarit për të drejtat e tyre në kontekst të përpunimit të të dhënave të tyre personale në kontekst të pagesës së rrogave. Më tej, ai duhet të bëjë një analizë për arsyeshmërinë e instalimit të sistemit për video vëzhgim, si dhe t’i përgatisë aktet përkatëse për të. Nëse ndonjë konsumator dëshiron ta realizojë të drejtën e tij për të fshirë video incizimin në të cilin duket pamja e tij, zyrtari duhet t’i përgatisë aktet përkatëse për procedurën e fshirjes ose të përgatisë arsyetim për pamundësinë e fshirjes së video incizimit.

Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale është hallkë e rëndësishme për përmbushjen e të drejtave të qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale sipas Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Ai është pika e kontaktit dhe këshilltar “kryesor” ndërmjet përpunuesit të të dhënave personale, Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe publikut më të gjerë, përkatësisht qytetarëve. Duke pasur parasysh atë, ai duhet të ketë aftësi përkatëse dhe t’i kryejë të gjitha detyrimet në mënyrë të pavarur dhe të vetëdijshme.

Autor: Mr. Nikolla Dimitrov

Ky tekst është përgatitur me mbështetje të Bashkimit Evropian. Përmbajtjet në këtë tekst janë përgjegjësia e vetme e partnerëve të projektit “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i ekosistemit digjital inkluziv” dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet  e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button