Iran – Vdekje për shkelje të rregullit të hixhabit?

Para udhëtimit në Nju Jork për në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të hënën (19.09), presidenti iranian, Ebrahim Raisi telefonoi me prindërit e Mahsa Aminit dhe u ka shprehur ngushëllimet. Raisi ka kërkuar hetimin e rastit, raportoi agjencia iraniane e lajmeve, IRNA. “Vajza juaj ishte si vajza ime”, ka thënë Raisi sipas IRNA, transmton DW.

Ky udhëtim i presidentit iranian në SHBA shoqërohet kësaj here nga reagimet e tronditura pas vdekjes së 22-vjeçares në Iran, që ka ngjallur protesta dhe zemërim dhe reagime në mediat sociale. Hashtagu #MahsaAmini është nga fundjava një nga më të klikuarit në twitter dhe instagram. Vdekja e me gjasë e dhunshme e vajzës së re ka gjetur jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, nga “New York times”, Washington Post”, “CNN” në SHBA deri tek “India Today”, “The Japan Times” në anën tjetër të globit. Kur Ebrahim Raisi të takohet me gazetarët në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së vdekja e Mahsa Aminit do të jetë temë. Qeveria iraniane duhet tani të japë shpjegime.

Një udhëtim me fund tragjik

22 vjeçarja nga qyteti i vogël Saghes në provincën perëndimore Kurdistan në fillim të javësh kishte udhëtuar me vëllanë në Teherain për të parë kryeqytetin. Për shkak të mbajtjes së papërshtatshme të hixhabit të detyruar Mahsa u arrestua të martën e kaluar rreth orës 18:00 nga policia e mbikqyrjes së sjelljes në Iran dhe dy orë më vonë u dërgua e pajetë në spital. Ajo papritur humbi ndjenjat, pretendon policia.

Një foto e tregon Mahsën në shtrat me sy të enjtur dhe veshë të gjakosur. Kjo foto u përhap me shpejtësi në internet dhe duket se preku një nerv në shoqërinë iraniane – vuajtjen e grave, vajzave nënave nën poshtërimet e keqtrajtimet e përditshme për shkak të detyrimit të mbajtjes së hixhabit. Që nga Revolucioni Islamik, 1979, gratë në Iran janë të detyruara të respektojnë rregulla strikte të veshjes, që përcaktojnë si duhen mbuluar flokët dhe pjesa tjetër e trupit. Miliona gra e kundërshtojnë këtë, shpesh në heshtje dhe pa rënë në dy, por vitet e fundit gjithnjë e më shpesh edhe publikisht. Shumë femra e mbajnë lirshmë shaminë e kokës dhe e lënë t’iu bejrë mbi supe duke rrezikuar edhe arrestimin. Një sërë videosh qarkullojnë në internet, që tregojnë si gratë në arrestime janë keqtrajtuar dhe rrahur nga policia. Shpesh me goditje të rënda në kokë, kur gratë merren me forcë në makinë.

Mahsa Amini të premten e kaluar, tre ditë pas dërgimit në spital u deklarua e vdekur. Policia ka hedhur poshtë akuzat për tortura. Vdekja e saj u shpjegua me një “infarkt i papritur në zemër”. Një video e transmentuar nga televizioni shtetëror tregon si Mahsa bie përtokë, kur është duke negociuar me policët lirimin e saj. Spitali Kasra, ku Mahsa u dërgua në një deklaratë të shtunën bëri të ditur, se pacientja ka qenë në vdekje klinike kur ka ardhur në spital. Kjo deklaratë u fshi më vonë nga instagrami.

Dyshime për hetimet

Mediat shtetërore kanë deklaruar, se drejtësia iraniane ka filluar procesin hetimor dhe se hetimet për përcaktimin e saktë të vdekjes së Mahsas vazhdojnë. Por shumë iranianë pyesin, si do të bëhen këto hetime. Kufoma e vajzës së re u dërgua që të premten në mbrëmje nga forcat e sigurisë në qytetin e saj Saghes dhe të shtunën u varros.

Në të njëjtën ditë në provincën Kurdistan filluan edhe proteat për shkak të vdekjes së Mahsa Aminit, që ndizen herë pas here. Në varrimin e Mahsas morën pjesë mijëra vetë dhe sipas agjencisë Fars pati edhe përplasje me policinë. Edhe në Sanandash ka pasur protesta të dielën. Kurse tregtarët në Kurdistan në shenjë solidariteti me Mahsa Aminin bënë të ditur se të hënën i mbyllin dyqanet. Gratë e kanë shprehur ndryshe protestën e tyre. Disa iraniane të njohura kanë prerë flokët dhe postuan video me pamjen e ndryshuar në rrjetet sociale, të tjera kanë djegur shamitë  ekokës. Edhe në universitetet e Teheranit janë planifikuar protesta. Ndërkohë gazetarët raportojnë se shërbimet e internetit dhe telefonisë mobile kanë shpesh avari në Iran duke vështirësuar postimin e fotove dhe videove në rrjete.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button