Maqedonia dhe Shqipëria zhvilluan takim skriningu me Eurostatin për kapitullin e Statistikave

Delegacionet nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipërisë zhvilluan të premten më 16 shtator skrining shpjegues së bashku me më shumë se 30 përfaqësues të Eurostat-it si pjesë e procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Portalb.mk.

Procesi i negociatave për hyrjen e dy vendeve në BE ka nisur më 19 korrik të këtij viti përmes konferencave të para ndërqeveritare me secilin prej vendeve.

Faza tjetër për të dy vendet është kontrolli analitik i trupit të ligjeve të BE-së, pra procesi Screening që mbulon të gjithë spektrin e politikave dhe legjislacionit të BE-së, i organizuar në gjashtë grupe që mbulojnë të 35 kapitujt e ligjit të BE-së. Kapitulli 18 – Statistikat janë pjesë e grupit Themelor, së bashku me të drejtat dhe liritë themelore, gjyqësorin, drejtësinë dhe çështjet e brendshme.

Procesi i skriningut i lejon vendet kandidate të njihen me ligjet dhe standardet e Bashkimit Evropian dhe detyrimet që ato mbartin. Shqyrtimi është hapi i parë në fillimin e procesit të negociatave. Ai përbëhet nga dy faza:

Sesioni shpjegues ku departamentet e Komisionit shpjegojnë hap pas hapi ligjin e Bashkimit Evropian;
Sesioni dypalësh ku çdo vend kandidat ftohet të prezantojë se ku qëndron kapitull pas kapitulli në përgatitjet e tij për miratimin dhe zbatimin e ligjit të Unionit.

Në shkurt 2019 u organizua një sesion shpjegues hyrës ku u njohën vendet me të drejtën statistikore. Takimi i mbajtur të premten e kaluar ishte plotësues me atë të vitit 2019. Delegacionet e vendit tonë dhe Shqipërisë fqinje u njohën me të rejat dhe legjislacionin e ri të futur në fushën e statistikave që nga takimi i fundit.

Hapi tjetër është skriningu dypalësh që do të organizohet për të dyja vendet veç e veç deri në nëntor të vitit 2023. Do të jetë një mundësi për vendet që të paraqesin vlerësimin e tyre për secilin kapitull, dhe njësitë përkatëse të Komisionit për të sqaruar çështjet e hapura.

Ndryshe, nga data 15 deri më 27 shtator, në Bruksel në kuadër të procesit të skriningut RMV-BE mbahen takime për fushat dhe kapitujt e grupit të të Drejtave themelore, ku Komisioni Evropian prezanton legjislacionin e tij për këto fusha. Të gjitha këto takime zhvillohen në Bruksel, përveç takimit për kapitullin e Statistikat që u mbajt në Luksemburg.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button