Kovaçevski në OKB: Investojmë në arsim cilësor dhe të qasshëm për çdo fëmijë

Kreu i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski mori pjesë dhe foli në Samitin për transformimin e arsimit në kuadër të Asamblesë së 77-të të Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Në debatin e Samitit, të cilin e hapi Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres, ku morën pjesë mbi 90 krerë shtetesh dhe kryeministra, u debatuan për qëllimet kombëtare të vendeve për promovimin e arsimit. Kovaçevski tha se kriza energjetike me të cilën përballet Maqedonia e Veriut, Evropa dhe bota paraqet kërcënim serioz për procesin arsimor, transmeton Portalb.mk.

“Për të arritur qëllimet afatgjata, së pari duhet të sigurohemi që të kemi burime të mjaftueshme për të siguruar kushte bazë të jetesës dhe punës, si klasa të ngrohta dhe të ndriçuara mirë dhe shtëpi të ngrohta dhe të ndriçuara mirë, për nxënësit tanë që të kenë arsim cilësor të pandërprerë këtë dimër. Ky është prioriteti numër një sot, nesër dhe në muajt e gjatë të dimrit që vijnë”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se sa herë që flet për rëndësinë e arsimit, “më kujtohet thënia se “Edukimi është ai që mbetet pasi harron atë që ke mësuar në shkollë”.

“Do të thoja se sot kjo është shumë e rëndësishme, veçanërisht sepse Sekretari i Përgjithshëm Guterres ka theksuar vazhdimisht se rezultati i arsimit të mirë në shekullin 21 do të thotë: të mësosh të mësosh, të mësosh të jetosh së bashku, të mësosh të bësh, të mësosh të jesh. Unë pajtohem me këtë dhe i mbështes rezultatet e tilla të arsimit”, tha Kovaçevski.

Zgjidhja e problemeve në arsim, sipas tij, mund të gjendet vetëm në bashkëpunim të ndërsjellë ndërkombëtar dhe ndër-rajonal.

“Por mbi të gjitha, mund të gjendet në solidaritet. Nëse duam që nxënësit tanë të rriten me arsimim të mirë, fillimisht duhet t’u tregojmë se si ne të rriturit mund t’i zgjidhim problemet së bashku. Përndryshe, asnjë model arsimor apo strategji zhvillimore nuk do të bëjë ndonjë ndryshim dhe as nuk do të thotë asgjë për ta”, tha Kovaçevski.

Ndrysh, asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, nisi të martën punimet teksa bota përballet me kriza të shumta, duke nisur nga lufta në Ukrainë.

Pas dy vjetëve të kufizimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit, dhe adresimeve përmes videove, OKB-ja u ka kërkuar liderëve botërorë që të marrin pjesë fizikisht në organizim.

Përjashtim bën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Vdekja e Mbretëreshës Elizabeta II e ka ndryshuar agjendën e samitit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili sipas traditës flet në ditën e parë të samitit, kësaj here do të marrë pjesë të mërkurën.

Në ditën e parë do të mbajnë fjalime presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz – liderët e dy ekonomive më të mëdha në Bashkimin Evropian.

“Këtë herë, Ukraina do të jetë shumë lart në agjendë. Do të jetë e pashmangshme”, ka thënë kryediplomati i BE-së, Josep Borrell në Nju Jork.

“Ka shumë probleme tjera, e dimë. Mirëpo lufta në Ukrainë ka dërguar valë shoku në gjithë botën”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button