Institucionet vazhdojnë t’i publikojnë të dhënat në formën e dokumentit PDF të skanuar

Të punësuarit në institucionet publike vazhdojnë të publikojnë të dhëna në formën e një dokumenti PDF të skanuar, në vend që t’i ngarkojnë të njëjtat në formën PDF të hapur, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në lidhje me këtë, prof. Dr Ivan Çorbev, profesor në fakultetin e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë kompjuterike tha se punonjësit nëpër institucione kanë kryer trajnime të shumta për të dhënat e hapura dhe procesin e publikimit të tyre, si dhe për aspekte të avancuara teknike dhe të njëjtat duhet t’i zbatojnë në praktikë, në vendin e punës.

Megjithatë, sa i përket mënyrës se si publikohen të dhënat, profesor Çorbev tha se kjo gjë varet ekskluzivisht nga menaxhmenti i institucionit.

“Punonjësit në institucione bëjnë atë që i urdhëron drejtori. Nëse ata kanë ndjekur trajnime, ata duhet t’i zbatojnë njohuritë nga atje në praktikë. Nëse, për shembull, punonjësit e shërbimit studentor të fakultetit nuk punojnë mirë, atëherë unë jam përgjegjës për këtë”, tha profesor Çorbev.

Gjëja më e keqe, sipas profesorit, është kur sheh një dokument PDF të skanuar.

“Prej atij dokumenti nuk mund të kopjosh asgjë. Më e keqja është kur të japin një numër për fletëpagesë për TVSH ose doganë dhe në vend që t’i kopjosh të njëjtat në e-banking, të duhet t’i përshkruash numrat në të. Për një punë më efikase, këto gjëra duhet të ndryshojnë.”, tha profesori.

Këshilltarja për zhvillim të GIS në komunën e Karposhit, Iva Zafirofska, njëherit edhe pjesëmarrëse në trajnimet e realizuara nga Metamorphosis për transparencë dhe të dhëna të hapura, në lidhje me këtë problem tha:
“Kam 10 vite që punoj në komunë, e di numrin e shkollave dhe kopshteve, por kolegëve u kam thënë të më japin informacion më të detajuar, sa fëmijë kemi, sa janë meshkuj dhe sa janë femra. Se në çfarë forme do t’i dërgojnë, iu thashë që nuk është e rëndësishme, sepse të dhënat do t’i kaloj në Excel. Disa prej tyre më janë dhënë në PDF që nuk mund të modifikohet, por kanë qenë të hapura për bashkëpunim.”, thotë Zafirovska.

Tre muaj më parë, Fondacioni Metamorfozis, në bashkëpunim me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, ka zhvilluar një trajnim dyditor për të dhënat e hapura për katër institucione shtetërore. Trajnimi mbuloi temat: nocionet e përgjithshme të të dhënave dhe informacionit, definimi i konceptit të të dhënave të hapura, përfitimet e publikimit të të dhënave të hapura, parimet e të dhënave të hapura, aspektet teknike të avancuara të të dhënave të hapura, procesi i identifikimit, katalogimi dhe prioritizimi i grupet e të dhënave dhe procesi i publikimit të të dhënave të hapura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button