Tërmet i fuqishëm në Meksikë, raportohet për viktima

Shërbimi sizmologjik amerikan USGS njoftoi tërmeti ishte me magnitudë 7.6 ballë të shkallës Rihter, ndërsa Instituti Sizmologjik Meksikan raportoi se tërmeti ishte me magnitudë 7.7. Epiqendra, sipas ekspertëve, ishte në një thellësi prej 15.1 kilometrash në juglindje të qytetit të Aquilas, në shtetin federal të Michoacan, në bregdetin meksikan të Paqësorit. Autoritetet kanë lëshuar paralajmërim për cunami. Ekspertët deri më tani kanë regjistruar më shumë se 70 pasgoditje, më e forta prej të cilave ishte 5.1. Sipas presidentit Andres Manuel Obrador, një person vdiq nga një mur që u shemb në shtetin federal të Colimas, transmeton DW.

Në internet qarkullojnë fotografi për të cilat supozohet se janë bërë në rajonin e goditur nga tërmeti. Ato tregojnë shtëpi të dëmtuara rëndë. Dëshmitarët okularë nga Mexico City raportojnë për ndërtesa që lëkunden. Deri më tani, në kryeqytet nuk janë raportuar dëme, tha kryebashkiakja Claudia Scheinbaum Pardo. Megjithatë, shtoi ajo, ende nuk ka pasqyrë të saktë të situatës. Ka pasur ndërprerje të energjisë në disa pjesë të Mexico Cityt. Qyteti ndodhet rreth 400 kilometra nga epiqendra e tërmetit. Vetëm gjysmë ore para tërmetit, në Mexico City ka përfunduar një stërvitje e Shërbimit të mbrojtjes civile, e cila mbahet çdo 19 shtator.

Ky është tërmeti i tretë i fuqishëm që godet Meksikën në të njëjtën ditë. Më 19 shtator 1985, një tërmet me magnitudë 8.1 vrau më shumë se 10,000 njerëz në Mexico City. Qindra ndërtesa u shkatërruan. Në vitin 2017, tërmeti i 19 shtatorit me magnitudë 7.1 vrau afro 370 njerëz, kryesisht në Mexico City. Një pronar dyqani në lagjen Cuauhtemoc tha: “Data 19 është një ditë për t’u frikësuar”.

Meksika kufizohet me Atlantikun dhe Paqësorin dhe është një nga rajonet më aktive sizmike në botë. Territori i tij shtrihet mbi pesë pllaka tektonike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button